Veseli: Mbrëmë humbëm një njeri me shpirt të madh

Prishtinë | 12 Jan 2017 | 13:11 | Nga

Ramiz Kelmendi bëri që kultura jonë, gjuha shqipe në Kosovë, të gjejë rrugët e komunikimit me vlerat më të larta të kulturës botërore. Në këtë mënyrë, Kelmendi la shenjat e tij në rrugën e nisur një shekull më parë nga rilindasit, rrugën e ri-ngritjes kulturore dhe arsimore të kombit tonë.

Kështu tha kreu i Kuvendit Kadri Veseli, në mbledhjen komemorative për publicistin Ramiz Kelmendi i cili vdiq mbrëmë në moshën 86 vjeçare.

Veseli po ashtu në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se mbrëmë humbëm një personalitet shumëdimensional të shoqërisë sonë.

Paraprakisht, Veseli bëri edhe homazhe para trupit të pajetë të shkrimtarit Ramiz Kelmendi.

Në vazhdim ua sjellim fjalimin e plotë të Veselit:

E nderuara familje Kelmendi,
Të nderuar miq, bashkëpunëtor, admirues të profesor Ramizit.
Zonja dhe zotërinj.
Mbrëmë, të gjithë ne, humbëm një njeri me shpirt të madh,
humbëm një personalitet shumëdimensional të shoqërisë sonë,
një intelektual që me përkushtimin e tij jetësor i dha aq shumë vendit të tij.
Ramiz Kelmendi jetoj pjesën më të madhe të shekullit 20, shekull gjatë të cilit populli ynë ishte në përpjekje të pandërprera për të fituar dinjitetin, të drejtat legjitime dhe lirinë kombëtare.
Ishin kohë të vështira.
Veç luftës politike, kërkohej edhe diçka më shumë.
Kërkohej ngritje shpirtërore, kulturore dhe arsimore e popullit tonë.
Profesor Ramizi ishte ndër të parët që shkëlqeu në këtë drejtim.
Shkrimtar, publicist, mësimdhënës, gazetar, përkthyes i veprave monumentale të letërsisë botërore, Ramiz Kelmendi bëri që kultura jonë, gjuha shqipe në Kosovë, të gjejë rrugët e komunikimit me vlerat më të larta të kulturës botërore.
Në këtë mënyrë, Ramiz Kelmendi la shenjat e tij në rrugën e nisur një shekull më parë nga rilind-asit, rrugën e ringritjes kulturore dhe arsimore të kombit tonë.
Në një kohë të zymtë, kur regjimi jugosllav, na mohonte me dhunë policore dashurinë për Shqipërinë, Ramiz Kelmendi, me pasionin e shkrimtarit, e kishte ndërtuar një Shqipëri të vogël në vetë familjen e tij.
Fëmijëve të tij u kishte vënë emra që asoconin me ëndrrën e tij për Shqipërinë.
Ai donte që që rrahja e zemrës për fëmijët e tij të ishte njëkohësisht rrahje zemre për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Pas përfundimit të luftës e takova rastësisht në sheshin e Prishtinës.
E kisha pasur profesor në shkollën e lartë pedagogjike dhe u gëzova shumë.
Ishte plot entuziazëm.
Më tha se liria më ka bërë edhe njëherë djalë të ri.
Kishte një cilësi të rrallë : më këdo që takohej transmetonte energji, shpresë dhe frymëzim.
Gjithmonë mbeti i tillë, optimist i pandreqshëm dhe idealist i pathyeshëm.
Ai e përçmonte pesimizmin, sepse pesimizmi është formë e dorëzimit para realitetit të keq.
Optimizmi dhe idealizmi nuk ishin teke personale të tij.
Ishin zgjedhje që i kërkonte koha në të cilën jetoj profesor Ramizi, sepse pa idealizëm nuk do të mund ta bënim të lirë Kosovën.
Sot ne përsëri kemi nevojë për energjinë dhe idealizimin e personaliteteve si Ramiz Kelmendi, sepse ende jemi në gjysmë të rrugës drejt qëllimit për ta bërë Kosovën pjesë të familjes së demokracive evropiane.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të dhe veprën e tij në shërbim të atdheut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme