Veseli: Mujë Krasniqi nuk u ndal asnjëherë

Prishtinë | 14 Dhj 2016 | 18:42 | Nga

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se Mujë Krasniqi ishte bërë shpejt shembull se si duhet të jetë Luftëtari i Lirisë, ndërsa ka rikujtuar rënien e tij aty ku ranë mijëra shqiptarë, në kufirin që për gati një shekull e ndante mizorisht kombin shqiptare.

Këto komente, Veseli i ka bërë sot gjatë fjalës së tij në shënimin e 18-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Kombit, Mujë Krasniqi, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Kryeparlamentari Veseli, ndërkohë, ka vendosur që salla alternative e Kuvendit të Kosovës ta mbajë numrin “506”, që ishte shifra simbol e Mujë Krasniqit gjatë luftës.

salla

Më poshtë, fjalimi i plotë i Kryeparlamentari Kadri Veseli:

E nderuara familje e komandantit Mujë Krasniqi
Familje e Beqës,
Të nderuara familje të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar bashkëluftëtarë,
Si sot 18 vjet me parë, ishte një ditë e rëndë për Kosovën, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për gjithë kombin tonë.
Ishte e rëndë si shumë ditë tjera të vitit 1998.
Në lartësitë e ftohta të Pashtrikut, atë ditë, bashkë me 41 luftëtarë të lirisë, ne humbëm njërin nga komandantët më emblematik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqin.
Dhimbja ishte e madhe, por edhe vendosmëria për të vazhduar rrugëtimin e Mujës ishte e pathyeshme te çdo pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Si pjesëtar i celulave të para të UÇK-së, Mujë Krasniqi u bë shpejt shembull se si duhet të jetë luftëtari i Lirisë.
Muja ishte kudo ku e kërkonte detyra ndaj atdheut, në aksione, organizime, në konsolidimin dhe strukturimin e njësiteve të UÇK-së.
Të gjitha këto vlera e bënë atë natyrshëm komandant të njërës prej Brigadave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brigadës 113.
Ishte pikërisht kjo Brigadë, që nën udhëheqjen e Mujë Krasniqit, gjatë verës së vitit 1998, përballoi me sukses sulmet më të rënda të makinerisë ushtarake serbe, duke mbrojtur popullatën civile dhe territorin e lirë në Zonën e Drenicës.
Muja nuk u ndal asnjëherë.
Edhe kur bora e dhjetorit mbuloi shtigjet ai u nis shtigjeve të lirisë.
Ai ra aty ku ranë mijëra shqiptarë, në kufirin që për gati një shekull e ndante mizorisht kombin tonë.
Muja ra që ai kufi të zhdukej njëherë e përgjithmonë.
Sot, ne ndihemi mirë që ëndrra e tij është realizuar.
Malet e Pashtrikut janë të lira.
E lirë është e gjithë Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, me perspektivë të sigurt të anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

Të nderuar bashkëluftëtarë,
Familje të dëshmorëve,
Në 17 vjetët e pasluftës, vendi ynë ka shënuar hapa historikë.
Kemi rindërtuar shoqërinë, kemi ndërtuar shtetin, jemi njohur ndërkombëtarisht dhe rruga e integrimeve euro-atlantike të vendit tonë tashmë është hapur.
Por, sukseset e arritura nuk duhet lejojmë të na mjegullojnë faktin se kemi ende shumë punë të mëdha për të bërë.
Para së gjithash, kemi sfidën e zhvillimit ekonomik.
Ashtu si dje, me guxim dhe vendosmëri, e luftuam pushtuesin, sot me të njëjtën vendosmëri duhet t’i luftojmë fenomenet negative ekonomike, papunësinë dhe varfërinë.
Për asnjë moment nuk duhet të jemi të qetë derisa Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër dhe më i izoluar në Evropë dhe të rinjtë tanë nuk ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre në atdheun e tyre.
Kemi humbur shumë kohë dhe energji në tema shterpe politike.
Ne jemi zgjedhur nga qytetarët për t’i zgjidhur problemet e tyre, e jo për të krijuar probleme të reja. Politika duhet të jetë mundësi dhe jo barrë për qytetarët.
Prandaj, është koha e fundit që të ndryshojmë drejtim.
Është koha ta bëjmë ekonominë dhe debatin ekonomik fokus qendror të institucioneve dhe politikës, sepse vetëm zhvillimi ekonomik garanton vlerat tjera: forcimin e shtetit, konsolidimin e demokracisë, vendet e reja të punës, përmirësimin e sistemit edukativ dhe atij shëndetësor.
Zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve i japin kuptim lirisë për të cilën ranë Mujë Krasniqi dhe mijëra luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, nderimi më i madh për ta nuk janë pllakat e mermerit, por bërja e Kosovës shtet të begatshëm.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për dëshmorët e lirisë!

Të ngjashme