Veseli: Në Reçak nisi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë

Prishtinë | 15 Jan 2017 | 18:34 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 18-vjetorin e masakrës së Reçakut, të kryer nga forcat serbe mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare, ka nderuar viktimat e kësaj masakre dhe ka mbajtur një fjalë rasti në Akademinë Përkujtimore.

Fjalimi i plotë i kryeparlamentarit Veseli:

“Të nderuara familje të martirëve të Reçakut
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I nderuar kryetari i Komunës së Shtimes, z.Ismajli
Të nderuat të pranishëm
Zonja dhe zotërinj,

Janari ka një simbolikë të jashtëzakonshme në historinë e popullit tonë. Është muaji i sakrificave të mëdha, është muaji i rënieve të mëdha. Është muaji i krenarisë dhe lavdisë për popullin tonë. Është muaji i vdekjes së heroit tonë kombëtar Skënderbeut, i rënies së Isa Boletinit, Ismajl Qemalit, i rënies së Vëllezërve Gërvalla, i rënies së Rexhep Malës, Nuhi Berishës, e Zahir Pajazitit.
Është muaji i Reçakut, fshatit martir, fshatit që u bë simbol i sakrificës dhe rezistencës kosovare në sytë e gjithë njerëzimit.
18 vjet më parë, në Reçak u krye një nga krimet më monstruoze nga makineria ushtarake e regjimit serb.
Qëllimi i Serbisë ishte i qartë: përmes terrorit të gjunjëzojë shqiptarët, të thyej shpirtin e tyre të rezistencës, t’i bënte të pranonin nënshtrimin dhe të harronin lirinë.
Kjo llogari kriminale doli krejtësisht e gabuar.
Krimi në Reçak ju kthye bumerang Serbisë.
E vërteta e Reçakut kapërceu kufijtë e shteteve, kapërceu kontinentet dhe preku ndërgjegjen e njerëzimit.
E vërteta e Reçakut shkatërroi sistemin e propadandës serbe dhe luftën e saj speciale.
Pas shumë muajsh me dilema dhe hamendje, bota e pa qartë se çfarë po ndodhte në Kosovë.
Po ndodhte një luftë në mes të mirës dhe të keqes, një luftë mes një populli që aspironte lirinë dhe një regjimi fashist që synonte ta mbaj të nënshtruar me dhunë e terror.
Në këtë mënyrë, Reçaku nga një fshat i vogël, u kthye në pikë kthese për historinë e Kosovës dhe atë botërore.
Në Reçak nisi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë.
Në Reçak e vërteta e Kosovës triumfoi mbi mashtrimin njëshekullor të Serbisë, mbi doktrinat e saj ta nacionalizmit shovinist.
Shumë janë ata që kanë merita për këtë moment historik, por më meritori prej tyre është miku i madh i vendit tonë, z. ËilliamËalker.
Të faleminderit nga zemra Ambasador Walker.
Ju jeni hero i gjallë i të vërtetës për Reçakun dhe Kosovën.

Të nderuar të pranishëm,
18 vjet pas Reçakut, sfidat e Kosovës janë ende sfida të mëdha. Shtet-ndërtimin ende nuk e kemi përmbyllur. Zhvillimin ekonomik ende nuk e kemi në nivelet e kërkuara.
Përveç kësaj, sot jemi në një situatë kur po tentohet të krijohet një perceptim tjetër për luftën tonë çlirimtare. Agresorët po synojnë të marrin rolin e viktimës.
Përmes gjyqeve të pafundme po tentohet që të njolloset rrëfimi madhështor për djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Serbia po manipulon me mekanizmat ndërkombëtarë, sikurse është Interpoli, për të njollosur këta djem dhe vajza. Rasti i fundit është ai i ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.
E tërë kjo nuk bëhet për të kaluarën, por për të tashmen dhe të ardhmen. Bëhet për të goditur shtetin e Kosovës, në themelet e tij.
Bëhet për të dëmtuar partneritetin e shtetit tonë me shtetet demokratike perëndimore.
Ne nuk guxojmë të qëndrojmë pasivë dhe duarkryq përballë kësaj loje të ndyrë. Duhet ta mbrojmë të vërtetën tonë, sepse nuk ka të vërtetë tjetër për Kosovën. Reçaku nuk guxon të harrohet. As Prekazi, As Izbica, as Meja, as Krusha.
Përgjigja më e mirë ndaj forcave të errëta që ia duan të keqen Kosovës është puna jonë e pakursyer për ta forcuar, në të gjitha pikëpamjet, shtetin e Kosovës, për ta zhvilluar ekonominë dhe perspektivën e sigurt për të rinjtë tanë.
Ta bëjmë atdheun tonë një vend të begatshëm, do të thotë t’ua shuajmë ëndrrat atyre që nuk na duan të mirën dhe njëkohësisht t’u bëjmë nderimin më të madh atyre që dhanë mundin dhe jetën e tyre për Kosovën e lirë e të pavarur.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e Reçakut.
Lavdi dëshmorëve të kombit”.

 

Image may contain: 2 people, beard

Image may contain: 24 people, people standing

Image may contain: 16 people, people smiling, people standing, wedding and suitImage may contain: 14 people, people standing and wedding

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme