Vlerësimet e raportit të Komisionit Evropian për disa nga fushat e qeverisjes

Prishtinë | 18 Pri 2018 | 19:23 | Nga

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i publikuar një ditë më parë nga ana e Brukselit zyrtar, ka vlerësuar punën e ministrave të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët udhëheqin dikasteret kryesore në Qeverinë e Kosovës.

Në fushën e ekonomisë dhe financave, raporti i Komisionit Evropian ka vlerësuar punën e bërë nga ministria që drejtohet nga Bedri Hamza i PDK-së.

“Sa i përket kritereve ekonomike, Kosova ka bërë përparim të mirë të zhvillimit ekonomik dhe krijimin e një tregu funksional. Ambienti i biznesit është përmirësuar dhe Qeveria ka respektuar rregullin fiskal për deficitin buxhetor. Në fushën e menaxhimit të financave publike,Kosova po zbaton kënaqshëm strategjinë e reformës së menaxhimit financiar publik (MFP) për 2016-2020. Po trajton disiplinën fiskale, alokimin dhe efikasitetin operacional dhe çështjet ndër sektorialë”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Po ashtu, sipas këtij raporti, Kosova është e përkushtuar në përmirësimin e transparencës së buxhetit.

“Raportimi mbi financat publike është bërë më i detajuar, gjithëpërfshirës dhe sistematik. Ministria e Financave gjithashtu ka filluar publikimin e të dhënave krahasuese financiare në baza mujore në faqen e saj të internetit. Ky është një hap drejt përmbushjes së standardeve të Manualit të Statistikave Financiare Qeveritare të FMN-së 2014”, thuhet në raport.

Ndërsa sa i takon fushës së mjedisit të biznesit, raporti i KE vlerëson se progres i rëndësishëm është bërë në përmirësimin e mjedisit të biznesit.

“Është reduktuar koha për eksport dhe kostoja e përputhshmërisë rregullative si rezultat i përmirësimit të sistemit të automatizuar të menaxhimit të të dhënave doganore, riorganizimit të proceseve të zhdoganimit dhe zbatimit të korridorit tranzit Shqipëri – Kosovë. Qasja në kredi është bërë më e lehtë me miratimin e rregullave të qarta për procedurat e falimentimit për kreditorët e siguruar”, thuhet në raport.

Edhe në fushën e sistemit të drejtësisë, raporti i Komisionit Evropian ka vlerësuar reformat e bëra dhe pakon legjislative në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Raporti vlerëson progres të theksuar në zbatimin e pakos ligjore të vitit 2015 në kuadër të sistemit gjyqësor, ndërsa integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, vlerësohet si arritje shumë e madhe e vitit 2017.

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, sipas raportit të Komisionit Evropian, është shënuar progres në trajtimin e rasteve të shenjëzuara, duke përfshirë vendimet e shkallës së fundit. Po ashtu, progres është shënuar edhe në konfiskimet preliminare.

Raporti i Komisionit Evropian, vlerëson po ashtu se progres është shënuar edhe në luftë kundër terrorizmit, përfshirë zbatimin e masave për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, radikalizimin dhe parandalimin e qytetarëve për t’iu bashkuar konflikteve në vendet e treta.

Sa i përket fushës së shëndetësisë, Raport i Komisionit Evropian për Kosovë, thekson se ka progres në disa segmente, duke vlerësuar progres të dukshëm në transferimin e kujdesit shëndetësor të burgjeve nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Po ashtu, raporti thekson se ka progres për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Raporti i KE-së thekson se Kosova ka nxjerrë një mori ligjesh e udhëzimesh administrative për shëndetësinë, ndërsa thekson nevojën e zbatimit më të madh të tyre.

Edhe në fushën e kulturës janë vërejtur avancime. Në raport thuhet se Ministria e Kulturës ka ndërmarrë masa për të ruajtur monumentet në rrezik dhe po ashtu theksohet se Ministria e Kulturës po bashkëpunon më ngushtë me shoqërinë civile në menaxhimin e trashëgimisë kulturore.

“Në vitin 2018, Kosova do të jetë pjesëmarrëse në Programin e BE-së Evropa Kreative”, thuhet në raportin e KE-së.

Raporti e thekson se pas themelimit të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) në Tiranë, Kosova ka hapur zyrën përfaqësuese në Prishtinë në tetor 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme