Vuniqi: Mbrojtja e mjedisit çështje globale

Prishtinë | 10 Nën 2017 | 16:54 | Nga

Zëvendësministrjae Punëve të Jashtme, RejhanVuniqi mori pjesë në tryezën me temë “Cilësia e ajrit në Kosovë, sfidat dhe veprimet”. Në adresimin e saj para të pranishmëve, Zëvendësministrja Vuniqi vlerësoi se mbrojtja e mjedisit është një çështje globale dhe nuk është një problem i izoluar i ndonjë vendi apo kombi. Sipas saj, problemi i ndotjes mjedisore e në veçanti ndotjes së ajrit po bëhet i theksuar në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasysh madhësinë, nivelin e zhvillimit apo pozitën e tyre gjeografike.

“Padyshim, se pjesë e kësaj agjende globale sa i përket përmirësimit të ajrit dhe cilësisë së tij, është edhe Republika e Kosovës, e cila është duke marrë hapa konkrete për përmirësimin e cilësisë së ajrit, kryesisht përmes krijimit të burimeve të rinovueshme deri në 20% të prodhimit të energjisë, që pritet të arrihet deri në vitin 2020”, ka vlerësuarVuniqi.

Zëvendësministrja Vuniqi ka folur edhe për angazhimin e institucioneve të Kosovës karshi kësaj problematike. “Nuk ka dilemë që Republika e Kosovës do të zbatojë me përgjegjësi të lartë të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, përkitazi në cilësinë e ajrit. Kosova duhet dhe do të jetë në koordinim të plotë me BE-në, në planet dhe veprimet për politikat e transportit, bujqësisë dhe ndryshimeve klimatike, pasi ato konsiderohen të kenë një ndikim jashtëzakonisht të madh në cilësinë e ajrit”, ka theksuar ajo.

Sipas Zëvendësministres Vuniqi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, duke e pasur për obligim ligjor mbrojtjen e interesit të përgjithshëm të qytetarëve të saj, kërkon dhe mbështet Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të intensifikojë takimet e Këshillit Kombëtar të Kosovës për Ndryshime Klimatike dhe të tregojmë rezultate pozitive në këtë drejtim.

Në fund të fjalimit, Vuniqi ka nënvizuar se është inkurajuese që një prej komponentave të investimeve të Programit të Korporatës amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit MCC, do të fokusohet në revitalizimin e pikave të kontrollit të cilësisë së ajrit nëpër tërë Kosovën dhe në vijë me përkushtimin e SHBA-ve për zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë për Republikën e Kosovës.

 

Të ngjashme