VV e quan RTK-në Ministri të Propagandës

Prishtinë | 07 Tet 2016 | 13:02 | Nga

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes një aksioni simbolik “e kanë shpallur” Radio Televizionin e Kosovës – ministri të Qeverisë. RTK-ja është quajtur Ministri e Propagandës dhe Agjitacionit, ndërsa ministër i saj u emërua Mentor Shala, bazuar në aktivitetin propagandues të këtij mediumi në shërbim të pushtetit e kundër opozitës. Aktivistët vendosën një pano të këtij emërimi para objektit të RTK-së.

Aktivistja Marigone Drevinja në fjalën e saj ka cituar një frazë nga romani i famshëm “1984” i shkrimtarit George Orwell, i cili thotë “Gjithçka u zhduk në mjegull. E kaluara u fshi, fshirja u harrua dhe gënjeshtra kaloi si një e vërtetë” , për të shtuar se ky model i shtetit autoritar po zë vend në Kosovë. Dhe kjo dëshmohet më së miri me lajmet të cilat janë prodhim i këtij regjimi.

“Brenda romanit ekziston Ministria e së Vërtetës. Kjo ministri quhet e tillë jo pse shpërndanë të vërteta, por se shpërndan informacione të cilat pushteti dëshiron t’i kalojë tek qytetarët si të vërteta. Nëse regjimi brenda këtij romani e shpall një armik, i cili më pas bëhet mik – ndryshohen të gjitha lajmet dhe thuhet se ai na paska qenë gjithmonë mik. Apo edhe në rastin kur Vëllau i Madh i cili i vëzhgon qytetarët shpall se nuk do të ketë reduktime të sasisë së çokollatës brenda këtij viti, dhe më pas ndodh një regres ekonomik dhe detyrohen ta zvogëlojnë sasinë nga 30 gram në 20 gram. Lajmi nuk shitet si zbritje nga 30 në 20 gram, por thuhet se sivjet ka rritje të sasisë së çokollatës në 20 gram”, theksoi Drevinja, duke tërhequr paralele mes romanit dhe gjendjes aktuale në Kosovë.

Drevinja shtoi se Kosova, ndonëse vendi më i vogël në rajon, ka shumë ministri, por në fakt edhe ky medium është bërë dikaster qeveritar.

“Ne sot jemi mbledhur këtu për ta përuruar edhe një ministri. Këtë ministri pushteti po tenton ta mbajë të fshehur, për arsyen se ajo anasjelltas tenton t’ua fshehë aferat e tyre të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo ministri është e ngjashme me ‘Ministrinë e së Vërtetës’ tek Orwelli, vetëm se tek ne quhet Ministria për Propagandë dhe Agjitacion – pra RTK-ja, me ministër Mentor Shalën dhe një varg zëvendësministrash si: Ridvan Berisha, Xhymret Veliu etj.”, deklaroi tutje Drevinja.

Ajo tha se kjo ministri, dikur medium publik i dedikuar për qytetarët e Republikës së Kosovës, e shndërruar në vegël së regjimit shtypës, vazhdon të injorojë subjektin më të madh opozitar në vend duke mos i siguruar hapësirë mediale. Duke sqaruar se kërkesa legjitime e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për hapësirën e tillë po konsiderohet si presion ndaj tyre, kurse Kadri Veseli i cili me një mbyllje syri e kontrollon emisionin nuk po konsiderohet fare i tille. Kjo sepse ky medium i është nënshtruar komplet klanit “Pronto”.

Në fund të fjalës së saj Drevinja tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! s’do ndalet së kërkuari çlirimin e RTK-së dhe kthimin në medium publik, i cili bën informim të drejtë dhe të paanshëm, siç edhe i duhet qytetarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme