Walker habitet që Franca po i zbaton fletarrestet e Serbisë

Prishtinë | 10 Jan 2017 | 17:06 | Nga

Ushtaraku dhe diplomati amerikan në pension, William Walker, është shprehur i zhgënjyer me zhvillimet politike në Kosovë.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së të vitit 1998 – 1999, i cili denoncoi masakrën e forcave serbe ndaj popullsisë civile në Reçak të Shtimes, tha sot se dëshiron të shohë zhvillime më pozitive në Kosovë.

I kthyer në Kosovë në vigjilje të përvjetorit të kësaj masakre, Walker sot ishte edhe në Kuvendin e Kosovës për ta përcjellë për disa çaste një seancë të jashtëzakonshme.

“Jam i dëshpëruar që gjërat nuk kanë shkuar më mirë. Isha këtu në kohën e çlirimit, isha këtu në kohën e pavarësisë, dhe besoj pritjet ende nuk janë kryer”, tha ai para gazetarëve në Kuvend.

“Shpresoj që gjërat do të shkojnë më mirë, por jam i dëshpëruar”, tha ai shkurt.

Walker komentoi edhe arrestimin e ish-komandatit të UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti serb të lëshuar në vitin 2004.

“Jam konfuz se si autoritetet franceze ende zbatojnë urdhërarrestet e Serbisë. Francezët duhet ta dinë se këto janë akte politike që vinë nga Beogradi. Jam hidhëruar si Beogradi vazhdon të bëjë këso gjërash politike, por poashtu edhe me Parisin”, tha Walker. /Kallxo.com

Të ngjashme