Ymeri: Ngjarjet në Halep kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzve

Prishtinë | 14 Dhj 2016 | 15:06 | Nga

Kryetari i lëvizje Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se ngjarjet e fundit në Halep kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzve anembanë botës.

Ai tha se njerëzit atje po përballen me krime kundër njerëzimit.

Ky është postimi i plotë i Ymerit në Facebook:

“Ngjarjet e fundit në Halep kanë tronditur ndërgjegjen e njerëzve anembanë botës. Qindra mijëra fëmijë e pleq të vrarë barbarisht, shtëpi e spitale të shkatërruara, persekutime, masakra e spastrime, janë këto pasojat e një lufte që nuk po kryhet tash e gjashtë vjet. Asnjë interes ekonomik, kurrfarë influence gjeopolitike nuk e arsyeton këtë batërdi. Njerëzit atje po përballen me krime kundër njerëzimit, këto krime janë të dënueshme dhe duhen dënuar.

Ndërkohë që solidarizohemi me civilët e pafajshëm, kjo nuk mjafton për të parë rrugët e daljes nga kjo vorbull e përgjakshme.

Siria është shembulli më ilustrues që na tregon se sa e rrezikshme bëhet bota kur marrëdhëniet ndërkombëtare udhëhiqen nga pragmatizmi- nga interesi vetjak për dominim. Në Siri tash e sa kohë po e pëson një popull i tërë, po i cenohet e shkatërrohet hapësira, po i pamundësohet jetesa e shkatërrohet e ardhmja. Është desovranizuar për t’iu kontrolluar territori e resurset, e kështu po i cenohet liria e mirëqenia. Një paqe e përhershme është e mundur vetëm nëse zhduken shkaqet e luftës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme