Zbatimi i Ligjit për digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive, jo i kënaqshëm

Prishtinë | 25 Pri 2017 | 16:35 | Nga

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri ka diskutuar për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore.

Anëtari i komisionit, Raif Qelaj, dhe kryesues i grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji duke folur për qëllimin e këtij takimi, vuri në dukje rëndësinë e zbatimit të këtij ligji dhe për të arritur këtë ai vlerësoi se duhet angazhim i të gjithë faktorëve relevantë dhe grupeve të interesit.

Në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZhE), foli Enver Basha, i cili tha se niveli i zbatimit të ligjit nuk është i kënaqshëm dhe kjo është si pasojë e ndryshimit të Projektligjit të cilin e ka propozuar MZhE-ja.

“Kuvendi ka amandamentuar disa nene të cilat e kanë shkarkuar ministrinë nga përgjegjësia e zbatimit të ligjit. Prandaj, përgjegjësia e implementimit të tij tashmë është kryesisht në kompetencë të Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), i cili nuk ka kapacitete të mjaftueshme të implementimit të ligjit”, theksoi Basha.

Deputetja Xhevahire Izmaku, njëherësh kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ishte e mendimit se për procesin e digjitalizimit të transmetimeve radoidifuzive kërkohen mjete buxhetore dhe për këtë vlerësoi se duhet shikuar mundësit gjatë rishikimit të buxhetit.

Përfaqësuesi i Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), Xhemail Krasniqi, këtë proces e cilësoi të rëndësisë së veçantë dhe për jetësimin e tij kërkoi angazhim të të gjithëve.

Ai foli në hollësi për hapat e ndërmarrë nga ana e tyre për zbatimin e këtij ligji, ku me theks të veçantë vuri në dukje përgatitjen e Strategjisë për implementimin e ligjit. Kjo strategji, tha ai, është hartuar deri në detaje dhe përshkruan qartazi hapat që duhen të ndërmerren që ajo të jetësohet.

Po ashtu, ai njoftoi edhe për hartimin e rregullores, sipas së cilës është përshkruar angazhimi konkret i të gjithë faktorëve relevantë në domenin e të cilëve bie implementimi i ligjit. Duke folur për sfidat, ndërkaq, Krasniqi vuri në spikamë mungesën e mjeteve buxhetore.

Ardita Zejnullahu në emër të AMPEK-ut, duke folur për procesin e digjitalizimit të transmetimeve radiodifuzive tokësore,vlerësoi se KPM-ja është e papërgatitur që të udhëheqë këtë proces dhe vlerësoi po ashtu se, për jetësimin me sukses të tij mungon analiza e duhur.

Përfaqësuesi i ARKEP-it në këtë debat, Kreshnik Gashi, bëri thirrje për një mobilizim të të gjithëve, në mënyrë që ky proces të përfundojë me sukses. Ai vlerësoi se moszbatimi i ligjit ka pasur efekt negativ në operimet telekomunikative.

Në kërkim të gjetjes së mënyrave më të përshtatshme për implementimin e këtij ligji, në debat u inkuadruan edhe një numër i madh deputetësh, të cilët kërkuan që vërejtjet dhe rekomandimet për zbatimin e tij të dërgohen edhe me shkrim në komision.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme