Zveçani paguan 1,27 euro një litër naftë

Prishtinë | 17 Kor 2017 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Veriu i Kosovës shpesh është raportuar si vend ku nafta kushton më lirë se sa në rajonet tjera të Kosovës. Një hulumtim i Emisionit “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se nafta në katër komunat me shumicë serbe shitet nën 0.70 euro.

Por, Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se Komuna e Zveçanit paguan një litër naftë deri në 1.27 euro cent.

“Për furnizim me karburante, nga viti 2015 komuna ka pasur dy kontrata që kanë mbuluar periudhën deri në tetor të vitit 2016. Sipas këtyre kontratave çmimi i karburanteve ka qenë 1.27€/L përkatësisht 1,15€/L”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Zveçanit.

Madje, Auditori ka gjetur se Komuna e Zveçanit i ka marr parasysh edhe çmimet e bursës.

“Më 03.10.2016 komuna ka nënshkruar kontratën kornizë për një (1) vit me çmimin 1.13€/L, për të gjitha llojet e karburanteve. Në kontratë, në nenin 4.3 thuhet se duhet të merret parasysh edhe ndryshimi i çmimeve sipas berzës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, komuna e Zveçanit ka problem me tenderë. Raporti përmend kontratën ‘’Sigurimi fizik i objekteve për nevojat e Zyrës për Komunitete’’, ku kjo komunë ka caktuar të njëjtin zyrtar për kryetar të komisionit të vlerësimit të tenderit dhe për menaxhimin e kontratës.

“Ky vendim është në kundërshtim me nenin 62.3 pika 7 të Udhëzimit për prokurimin publik, ku thuhet se Kryetari i komisionit vlerësues nuk mund të jetë edhe menaxher i projektit”, thotë raporti.

Zveçani ka problem edhe me realizimin e buxhetit konform ligjit, duke theksuar se një pjesë e suficitit ishte jashtë kontrollit të komunës, ndërsa një pjesë e madhe e shpenzimeve, afër 900 mijë euro, janë bërë në tre mujorin e fund të vitit.

Auditori ka gjetur se pagesa e subvencionit për OJQ “Santa Marija” në vlerë 11,950€ ishte bërë kryer nga kategoria investimet kapitale.

Po ashtu thuhet se Zveçani ende nuk ka arritur që të siguroj shërbimet e auditimit të brendshëm, dhe këto shërbime nuk janë kryer as nga komuna, dhe nuk janë mbuluar as nga ndonjë organizatë tjetër.

Raporti ka gjetur se kjo komunë nuk është duke zbatuar Ligjin për Tatimin në Pronë dhe Ligjin për Ndërtimet, si dy burime kryesore të të hyrave. Si pasojë nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, nga shfrytëzimi i pronave publike nga qytetarët, apo në baza tjera, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake është simbolik.

“Shumat e arkëtuara të taksave administrative nuk deponohen rregullisht në llogari bankare, ndërsa evidencat mbahen në mënyrë manuale”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se Komuna e Zveçanit ende nuk ka caktuar zyrtar për regjistrimin e pasurive dhe nuk ka ndërmarr asnjë veprim lidhur me menaxhimin e pasurive.

Po ashtu kjo komunë në dy raste tek Kontrata “Mirëmbajtja dhe pastrimi i rrugëve, pastrimi i kanaleve, zbrazja e mbeturinave nga kontejnerët dhe krasitja e drunjëve përgjatë rrugëve lokale” në vlerë 3,676€ dhe Kontrata “Furnizimi me barna mjekësorë” në vlerë 9, 963€, ka hyrë në obligime financiare, duke nënshkruar kontrata në fund të vitit (datë 22 dhe 23 dhjetor 2016) pa zotim të mjeteve.

Sipas raporteve të pranimit dhe faturave të pranuara, të dy kontratat ishin përmbushur në ditën e nënshkrimit të kontratës.

Vetëm 1/3 e rekomandimeve ishin në proces e sipër të zbatimit, ndërsa pjesa dërmuese e tyre nuk ishte trajtuar fare nga menaxhmenti.

“Kjo, për arsyen se komuna nuk i ka kushtuar rëndësi çështjeve të ngritura nga auditimi dhe zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm”, thuhet në raport.

Në letrën konfirmuese, kryetari i komunës së Zveçanit është pajtuar me të gjeturat e auditorit dhe nuk ka dhënë ndonjë koment.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme