Zv/ministri turk i Punëve të Jashtme vizitë në Kosovë

Prishtinë | 21 Pri 2017 | 18:50 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, ambasadori Ahmet Yıldız, po qëndron për vizitë në Kosovë me rastin e “23 Prillit, Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të vizitës, krahas aktiviteteve të 23 Prillit, zv/ministri Yıldız, i shoqëruar nga ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, ka zhvilluar takime të ndara zyrtare të mbyllura për mediumet me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ndërkaq, Yıldız më pas ka vizituar në zyrën e tij ministrin e Administratës Publike të Kosovës, Mahir Jagxhillar, ku morën pjesë edhe ambasadorja Kıvılcım Kılıç, zv/ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Kadir Hyseini, si dhe deputetët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Myferra Shinik dhe Fikrim Damka.

Pas takimit, ambasadori Yıldız ka dhënë deklaratë për media së bashku me Jagxhillar, duke folur për takimin e zhvilluar me kryeministrin Mustafa dhe ministrin e Jashtëm Hoxhaj.

Yıldız tha se në takimin me kryeministrin Mustafi ka përcjellur përshëndetjet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se në këto takime janë dhënë informacione në lidhje me gjendjen aktuale në Turqi dhe është ritheksuar pikëpamja e Turqisë ndaj Kosovës.

“Kosova është në zemër të turqve. Në mesin e pikave më të rëndësishme në agjendën e politikave të jashtme turke është njohja e Kosovës, vendi i saj në bashkësinë ndërkombëtare dhe anëtarësimi në strukturat euroatlantike”, theksoi Yıldız.

Duke folur për ndihmat e Turqisë të realizuara për shtetet e Ballkanit dhe posaçërisht për Kosovën me anë të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Institutit Yunus Emre, Bashkive dhe afaristëve, Yıldız tha se “Ne i bëjmë këto ndihma në tërë botën, por ndihmat që kanë të bëjnë me këtë rajon i shohim si përgjegjësi shpirtërore dhe morale. Këto ndihma janë vetëm një mjet. Ajo që është esenciale është që Kosova të zhvillohet, të zhvillojë institucionet dhe të zë vendin e merituar në bashkësinë ndërkombëtare.”

Duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve, Yıldız vuri në dukje se në takimet me zyrtarët e Kosovës është diskutuar edhe në lidhje me shtrirjen e Organizatës Terroriste FETO në Kosovë.

“Sa më parë presim lehtësim dhe mirëkuptim në mënyrë që fondacioni Maarif të nis aktivitetet këtu. Urojmë që arsimi këtu të vazhdojë në kushte moderne në certifikimin e ministrisë sonë të Arsimit. Ua përcollën kërkesat tonë në lidhje këtë”, tha Yıldız.

Ndërkaq, i pyetur në lidhje me kërkesën për nënshtetësi të dyfishtë për komunitetin turk të Kosovës, Yıldız tha se personat që përmbushin kushtet mund të aplikojnë, porse dëshirojnë që personat e njëjtë të jetojnë jetën e tyre në Kosovë si shtetas të Kosovës.

Nga ana tjetër, ministri Jagxhillar falënderoi ambasadorin Yıldız për vizitën dhe u shpreh se komuniteti turk i Kosovës është komunitet që përpiqet për ngritjen dhe zhvillimin e Kosovës.

Jagxhillar ka theksuar rëndësinë e aktiviteteve me rastin e Ditës së Komunitetit Turk të Kosovës për promovimin e interesave, fesë, gjuhës, arsimit, traditave dhe kulturës së komunitetit turk në Kosovë.

“Festimet e 23 Prillit i shohim në këtë aspekt. Këto janë aktivitete që bëhen për promovimin e Kosovës dhe komunitetit turk këtu dhe për promovimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë”, theksoi Jagxhillar.

Brenda ditës, ambasadori Yıldız do të marrë pjesë në aktivitete që do të organizohen në qytetin e Gjilanit në kuadër të aktiviteteve të 23 Prillit.Ndërkaq, bëhet e ditur se më 22-23 prill ai do të jetë pjesë e aktiviteteve që do të organizohen në Prizren dhe Mamushë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme