2106-ta, viti që i dha fund një epoke

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 12:23 | Nga

Teksa 2016 ka përfunduar, perspektiva për vitin 2017 është e zhytur në pasiguri. Tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje, dhe lëvizjet populliste kanë gjalluar në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Në Lindjen e Mesme, konflikti tragjik në Siri vazhdon, pavarësisht disa përpjekjeve të pafrytshme gjatë negociatave të fundit, të karakterizuara nga mosmarrëveshja themelore në lidhje me rolin e ardhshëm të presidentit sirian, Bashar Al-Asad, në çdo lloj procesi paqeje apo tranzicioni politik.

Ndërkohë, gjatë javës së shkuar, trupat siriane qeveritare, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, rimorën thuajse të gjithë Alepon – dikur qyteti më i madh i Sirisë, tanimë i shkatërruar krejtësisht nga lufta. Prioritet kryesor i botës për vitin e ardhshëm, duhet të jetë arritja e paqes në Siri, e cila do të kërkojë një bashkëpunim më të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar. Në 27 dhjetor, Irani, Rusia dhe Turqia mbajtën një takim trepalësh në Moskë, për të diskutuar një zgjidhje politike për konfliktin në Siri, nga ku u arrit formalisht konsensusi për një armëpushim mes forcave rebele dhe atyre qeveritare.

Nuk është për t’u habitur që janë këto palë, dhe jo ShBA-ja dhe Bashkimi Evropian, negociueset e një marrëveshje të tillë. Një zhvillim pozitiv vitin që sapo lamë pas ndodhi në mars, kur BE-ja dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për të adresuar krizën e refugjatëve. Turqia deri tani ka pranuar 3 milionë refugjatë sirianë, që nga fillimi i konfliktit.

Edhe pse marrëdhëniet BE-Turqi, janë aktualisht jo në nivelin më të mirë të tyre, dialogu mes të dyja palëve duhet të vazhdojë edhe në vitin 2017, jo më pak për shkak të interesave të tyre të përbashkëta, të cilat bazohen jo vetëm tek ndërvarësia ekonomike, por edhe nga kriza e refugjatëve dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit. Ndërkohë, politika evropiane këtë vit do të konsumohet nga negociatat mbi Brexit.

Në marsin e 2017-ës, Mbretëria e Bashkuar ka gjasa të evokojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, duke nisur kësisoj procedurën formale për largimin nga unioni. Sfidë do të jetë arritja e një marrëveshje, e cila garanton mirëqenien e marrëdhënieve të ardhshme BE-Mbretëri e Bashkuar. Kjo s’do të jetë e lehtë, dhe negociatorët e BE-së kanë vendosur tashmë një afat kohor prej vetëm 18 muajsh.

Ndërsa shumëçka mbetet e pasigurt, e qartë është se në qoftë se Britania e Madhe do të ruajë qasjen në tregun e vetëm evropian, ajo do të duhet të pranojë katër liritë themelore të BE-së, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të punëtorëve. Këtë vit, disa vende evropiane do të mbajnë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, dhe ekziston rreziku që lëvizjet izolacioniste populiste anti-evropiane të regjistrojnë rezultate domethënëse. Për BE-në, humbja e një vendi, si ushtarakisht ashtu dhe ekonomikisht të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, është mjaftueshëm negativ; por humbja e një shteti themelues anëtar të BE-së si Franca, do të qe tragjike.

Fatmirësisht, pikëpamja e shumicës së evropianë në raport me BE-në, është përmirësuar si pasojë e referendumit Brexit. Por kjo s’do të zvogëlojë sfidën për qeveritë e BE-së gjatë 2017-ës. Ato duhet të bashkojnë shoqëritë e ndara nga forcat e fuqishme botërore si globalizimi dhe inovacioni i shpejtë teknologjik. Referendumi Brexit, i pasuar nga fitorja e Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale amerikane, sinjalizuan ngritjen e popullzimit në Perëndim. Por tashmë që Tramp është duke plotësuar kabinetin e tij me oligarkë dhe ish-ushtarakë, kemi arsye të dyshojnë nëse ai do të mbajë premtimin e tij për të qeverisur pa “establishmentin” e Uashingtonit.

Administrata e ardhshme Tramp është plot me të panjohura, por nuk ka asnjë dyshim se refuzimi prej tij i institucioneve shumëpalëshe, do të rrezikojë përpjekjet ndërkombëtare për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problemeve më të mëdha që shqetësojnë sot botën. Kjo vendos në rrezik edhe marrëdhëniet ShBA-BE. Gjatë viteve të kaluara, marrëveshja mbi klimën e Parisit dhe ajo bërthamore me Iranin, qenë rrezet e dritës në një botë që po mbyllej në vetvete, e distancuar nga multilateralizmi.

Gjatë viteve që do të vijnë, rreze të tilla mund të bëhen edhe më të pakta. Tani më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për llojin e dialogut që ndërton besimin strategjik midis fuqive të mëdha. E megjithatë, deklaratat e Tramp hedhin dyshime mbi vazhdimin e aderimit të ShBA në politikën e “Një Kine” dhe avancimin drejt njohjes së Tajvanit, gjë që mund të dëmtojë rëndë marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha botërore.

Ngjashëm, pavarësisht prirjeve pro-ruse të disa prej pjesëtarëve të ekipit të Tramp, marrëdhënies ShBA-Rusi i mungon ndërkohë besimi strategjik, për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Siri, pushtimit prej saj të Ukrainës lindore, dhe dyshimeve për ndërhyrje kibernetike në zgjedhjet presidenciale amerikane. Viti që sapo ka trokitur, do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për Evropën. Marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe ShBA-ve, duhet të mbeten të forta, të rrënjosura në respektin e ndërsjellë për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut.

Pas një 2016-e të trazuar, dhe me pak lajme pozitiv në politikën ndërkombëtare, 2017-a është duke u formësuar si viti i sfidave dhe i pasigurisë. Por pasiguria më e madhe nga të gjitha, është nëse ky qe thjesht fundi i një viti dhe fillimi i një tjetri, apo fundi i një epoke gjeopolitike. (bota.al)

(Javier Solana)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme