A flisni gjermanisht

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 12:06 | Nga

“Sprechen Sie Deutsch?!” Gjermanishtja nuk është vetëm gjuha që iu duhet infermiereve të sapodiplomuara apo zanatçinjve që kërkojnë një punë të paguar mirë. Gjermanishtja e mirë do u bënte punë politikanëve shqiptarë në çadër apo në qeveri, për të lexuar qëndrimet e vendit që drejton Bashkim Evropian dhe po ashtu, mbështet perspektivën e një Shqipërie të integruar. Ndërhyrja gjermane mund të jetë vendimtare për krizën, por ajo do mbetet në duart e politikanëve shqiptarë.

Për krizën shqiptare qeveria gjermane është shprehur deri në nivelin e zëdhënësit të saj. Mesazhi i dhënë javë më parë ishte mjaft i qartë. “Gjermania asiston dhe mbështet sidomos këtë proces të reformës në drejtësi…, forcat politike të punojnë së bashku në Parlament”. Angazhimi i Berlinit në punët e Tiranës dhe rajonit duket më i fortë së fundmi. Projekti i Berlinit për të ndihmuar Ballkanin të avancojë drejt BE, është pjesë e angazhimit të tyre për të ruajtur stabilitetin në Europë në një kohë kur Unioni ka plot probleme të brendshme dhe krizat e reja mund të destabilizonin edhe atë.

Sot zëvendës/kancelari dhe ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel viziton vendin tonë, në të njëjtën kohë pritet edhe angazhimi i David McAllister, kreu i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Parlamentin Europian, ndërsa qëllimet e vizitës dhe angazhimit janë të lexueshëm. Kriza politike në Shqipëri, që i bashkëngjitet asaj të Maqedonisë mund të krijojnë probleme të reja për Ballkanin, ndërsa do vononin integrimin e këtyre vendeve duke mbajtur pezull edhe për vite të tjera situatën.

Për Gjermaninë e rëndësishme është avancimi i Reformës në Drejtësi, e cila ndërsa mbetet pezull. Procesi i vettingut, pritet të vonohet edhe më, pas kthimit nga Gjykata Kushtetuese të njërit prej ligjeve që rregullon organet e reja të drejtësisë. Zgjedhjet e lira dhe një Shqipëri stabël janë po ashtu pjesë e interesit. Berlini pati shprehur vullnetin që Shqipëria të hapte negociatat menjëherë sapo të avancohej me këto çështje, por ngecja e tyre dhe rreziku për zgjedhjet, mund të cenojnë këtë proces dhe po ashtu, shtyjnë vendin në kaos.

Arsyet e një përfshirjeje kaq të “madhe” të Berlinit, duket se kanë të bëjnë me mbrojtjen e një procesi për të cilin ato janë investuar. Gjermania dhe ShBA janë mbështetësit kryesorë të Reformës në Drejtësi dhe financuesit më të rëndësishëm të procesit.

Ndërkohë ata janë po ashtu “sponsorët” kryesorë të rivendosjes së kontakteve politike mes vendeve të rajonit. Një proces që nisi në Berlin në 2014 dhe që Gjermania e mbështet si garantues të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

Kjo e bën Gjermaninë të ngulmojë në një zgjidhje të shpejtë të krizës politike shqiptare. Kjo shpjegon edhe intensitetin e shtuar, vizitat e pritshme dhe me gjasë edhe telefonatat nga Berlini.

Sigurisht kriza është në duar shqiptare. I vënë disa herë para deklaratave të forta nga BE që dënonin qëndrimin e opozitës, kreu i kësaj të fundit ose i ka përqeshur, ose i ka vënë në listën e të akuzuarve, ose ka marrë qëndrimin e fortë se nuk do të dëgjonte askënd pa pasur të plotësuara kërkesat e tij. Madje PD prej ditësh ka sulmuar qeverinë se ka blerë me lobing dhe para nafte e droge ndikimin në BE dhe në vendet Perëndimore.

Shumica nga ana e saj shkoi deri në atë pikë sa propozoi që negocimi mes palëve të bëhej prej Partive Popullore edhe prej faktit se bojkoti i zgjedhur prej PD si formë proteste nuk duket se shihet me simpati pavarësisht se kërkesat e saj mund të ishin legjitime. Nga e hëna duket se është Gjermania ajo që do të marrë në dorë negocimin. Palët mund të dalin ose jo me marrëveshje, por është e sigurt që atyre u duhet të mësojnë ca gjermanisht.

(Autor: Vladimir Kalaj)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme