A (s)duhet ndalohet ndërtimi i parkingut në kampusin e UP-së?

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 15:21 | Nga Liridon Gashi

Nevoja për parkingje në Prishtinë është shumë e madhe, andaj kësaj çështje duhet t`i bëhet një zgjidhje sa më e shpejtë. Numri i madh i veturave të futura në Prishtinë gjatë ditës, mungesa e parkingjeve masive, mungesa e objekteve garazhuese, e përkeqëson shumë situatën.

Prishtina ka nevojë imediate për parkingje, objekte garazhuese, për të siguruar zgjidhje për veturat të cilat do t`i çlironin rrugët, trotuaret për ecje të këmbësorëve, të cilat shpeshherë përdoren si parking.

Çdo zgjidhje është e mirëseardhur dhe e mirëpritur, do ta shtendoste qytetin, do ta lehtësonte qarkullimin, do t`i lironte trotuaret dhe si rrjedhojë do ta bënte më të lehtë jetën e qytetarëve.

Por a është zgjidhja e duhur parkingu nëntokësor në kampusin Universitar?

Janë disa faktorë të cilët argumentojnë që kjo nuk është zgjidhje e mirë:

– Ndërtimi i një parkingu publik brenda një kampusi, madje edhe nëntokësor është prishje e destinimit hapësinor

– Ndërtimi i një parkingu brenda asaj që mund të konsiderohet Zona 1, e cila zakonisht në metropole është Limited Zone mund të quhet zgjidhje e keqe

– Zakonisht në qytete metropolitane tentohet që parkingjet të ndërtohen jashtë zonës “Qendër”, madje në shumë prej tyre edhe ato ekzistuese dislokohen

– Fluksi i madh i veturave të cilat tentojnë shfrytëzimin e këtij parkingu, do ta vështirësoj edhe më shumë komunikacionin në qytet

– Studentët do të jenë viktima të gazrave të të gjithë veturave të qytetit dhe gjithë atyre që futen në qytet, pasiqë lirimi i këtyre gazrave do të bëhet pikërisht në hapësirën e studentëve

– Hapësira e gjelbëruar e kampusit do të prishet, si rrjedhojë gjasat për rehabilitim dhe kthim në gjendje ekzistuese është pothuajse e pamundshme

– Kohëzgjatja e punimeve prej rreth 18 muaj do të shkaktoj kaos në kampus dhe pengesa për studentë, e zakonisht kohëzgjatja e punimeve te ne edhe mund të dyfishohet

– Prishja e gjelbërimit, ndotja e ambientit nga pluhuri dhe punimet, zhurma gjatë punimeve janë pengesa objektive dhe psikologjike rreth dy vjeçare për studentë dhe profesor

– Funksionalizimi i tij do të sjell probleme të mëdha në komunikacion në rrugët Xhorxh Bush, Eqrem Çabej dhe Bulevardit Bill Klinton.

– Do të zvogëloj hapësirën ndërtuese në kampus, pra pamundëson ndërtimin e ndonjë objekti për nevojat e universitetit

Janë këta disa nga faktorët kryesor, por jo të vetmit të cilët dëshmojnë se ky projekt nuk duhet realizuar. Me këto mjete financiare të ndërtohet një parking apo objekt garazhues më në periferi të qytetit, kësisoj të bëhet zgjidhje për automjete dhe njëkohësisht të lirohet komunikacioni në qytet.

Ndërtimi i një parkingu në qendër është inkurajim për futjen e veturave në qytet, në vend të promovimit të politikave “dekurajuese”, të cilat do ta bënin më të lehtë qarkullimin në qendër me transport publik sesa me automjete.

Në vend të ndërtimit të pikave grumbulluese të veturave në periferi dhe lirim të qendrës, këto politika po promovojn pika koncentrike të grumbullit në qendër.

Derisa komuna e Prishtinës ne fillim të vitit morri një aksion për ndalimin e futjes së veturave në qendër me qëllim të ruajtjes së ambientit, ajo në pjesën e fundit të vitit synon ndërtimin e një parkingu me kapacitet 500 vetura, mu në mes të qytetit, gjegjësisht në zonën Qendra 2!

Nga një politikë e krijimit të “Limited Zone”, ulje e fluksit të veturave dhe vendosje e rregullave të qarkullimit, shndërruar në politikë të kaosit, grumbullim i veturave dhe ngritje e ndotjës.

Me të drejtë kjo mund të konsiderohet kthim mbrapa për qytetin në aspektin ambiental, infrastrukturor, organizativ dhe një shembull që duhet rrënuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme