Aktrimi i mërzisë nga “Anonymous Albania”

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 13:47 | Nga Kimete Berisha

Janë nxehë shqiptarët e Shqipërisë, s’ju ka mbet tjetër të thonë, veç po pres që sot të dalin me një qëndrim të fundit se nëse nuk lirohet Ramushi do të fillojë Lufta e Tretë Botërore.

Namin e zi e kanë bërë sot me një videomontazh edhe “Anonymous Albania”, të cilët e kanë urdhëruar Francën (në gjuhën angleze), që ta lirojë Ramushin, se përndryshe “mos pyet…kur ta hakojnë Francën”.

Për mua, personalisht, është e pakapshme (dhe, gati realizëm magjik) se si është e mundur të ndodh që të përkrahin shqiptarët e Shqipërisë, gratis.

E paspjegueshme për mua mbetet po ashtu se pse po ndodh që më shumë janë “mërzitur” për Ramushin shqiptarët e Shqipërisë sesa ne të Kosovës.

Ndërkohë, ata s’janë budallenj të bëjnë gjeste me “mërzinë” e tyre, se gjuha prej tuli, fol sa të duash, nëse mërzinë nuk e shoqëron me veprime.

Për shembull, Kryeministri Edi Rama ka mundur të bëhet budalla e t’i telefonojë kryeministrit serb e t’i ankohet për këtë punë, apo ta thërras në takim ambasadorin francez në Tiranë, sa për “fotografi”…

Po, jo, askush s’është aq budalla sa të prishet me Francën, për Ramushin!

Ndoshta fati im ‘i zi’ ka dashur të
shoqërohem me njerëz negativ, a s’di pse, ama, unë ende nuk e takova një njeri që mërzitet për arrestimin e Ramushit. Përkundrazi (dilni pyesni), qytetarët e thjeshtë presin dhe shpresojnë se pas tij do të “ecin” të gjithë me rend…!

Çka e ka shkaktuar neverinë qytetare ndaj çlirimtarëve, nuk e di, ama se mërzia për Ramushin po aktrohet nga portalet, tregon ky fakt: Për tri ditë, Peticionin online për lirimin e Ramush Haradinajt e kanë nënshkruar vetëm 3000 veta (që do të thotë, as anëtarësia e ngushtë e AAK-së).

Ky është realiteti.
Kjo është mërzia jonë.
Si edhe dashuria.
Fjalë, dhe vetëm fjalë.

Të ngjashme