Amerika është pa pilot

Prishtinë | 28 Mar 2017 | 18:40 | Nga

Keq për presidentin, por për vendin, siç e ka përmbledhur “New York Times” më 25 mars. Sigurisht që është gjë e mirë për amerikanët, që Donald Trump dhe rrymat e ndryshme të shumicës republikane në Kongres, nuk janë në gjendje të shfuqizojnë Obamacare, me të cilin Barack Obama kishte zgjeruar mbulimin mjekësor për 25 milionë amerikanë, të cilëve u mungonte edhe në raste urgjente, shtatzënie dhe sëmundjesh të rënda.

Është e qartë se shfuqizimi i ligjit nuk do të kishte përfaqësuar një hap përpara për demokracinë më të pasur dhe më të fuqishme në botë. Në të njëjtën kohë, bëhet fjalë për një dështim të madh për një president i cili, pavarësisht nga mendimet që ekzistojnë mbi mënyrën e tij të të bërit politikë, duket qartësisht i paaftë për të udhëhequr vendin.

Dekretet me të cilët synonte të ndalonte hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara për qytetarët e disa vendeve myslimane, janë bllokuar dy herë nga gjyqësori, i cili i konsideroi diskriminues dhe fyes për lirinë fetare. Këshilltarit të Trumpit për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, iu desh të jepte dorëheqjen menjëherë pas emërimit, pasi kish gënjyer në lidhje me kontaktet e tij me ambasadorin rus në Uashington.

Një boshllëk ndërkombëtar

Si dëshmi për peshën e këtij skandali, drejtori i FBI deklaroi një javë më parë se njerëzit e tij po hetojnë për një “koordinim” të mundshëm mes Kremlinit dhe ekipit që merrej me fushatën elektorale të presidentit.

Me dështimin e lëvizjes për shfuqizimin e Obamacare, vjen konfirmimin se Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke improvizuar, nuk përgatiten mjaftueshëm dhe nuk zotërojnë artin e negociimit dhe kompromisit politik, pa të cilin nuk mund të marrin vendime në një demokraci. Kjo është serioze – dhe në këtë rast, ajo që është e mirë për amerikanët, nga ana tjetër është e dëmshme për Shtetet e Bashkuara dhe për stabilitetin e botës – sepse krijon një boshllëk ndërkombëtar tejet destabilizues, pasi tashmë, të gjitha qeveritë e huaja e kanë kuptuar se Amerika është pa pilot.

Kina nuk ka më asnjë arsye për t’u shqetësuar, në lidhje me reagimin e Uashingtonit përballë presionit kundër fqinjëve aziatikë. Koreja e Veriut nuk ka asnjë arsye për të mos vijuar provokimet e saj ushtarake. Rusia mund të bëjë ç’të dëshirojë në Lindjen e Mesme dhe Evropën Qendrore. Së fundi, dhe më e keqja, askush nuk është i sigurt nga një reagim impulsiv dhe zemërak i Donald Trumpit, në rast se një krizë ekonomike do t’i japë atij iluzionin e të qenit në gjendje për të fituar pikë në frontin e brendshëm, duke treguar muskujt jashtë vendit.

Kjo është konsiderata e parë që mund të nxjerrim nga vetëvrasja politike e republikanëve dhe presidentit të tyre. E dyta është se, para se të zgjedhin që të bëjnë një shkëputje nga e kaluara, zgjedhësit perëndimorë duhet ta mendojnë dy herë. Të djathtat e reja ekstreme nacionaliste që janë kundër gjithçkaje, e që po afirmohen kudo në botë, kanë joshjen e britmës së zemërimit, por paladinët e tyre, si në rastin e Trumpit, kanë edhe defektin që janë të mbushur me kontradikta, janë shumë thjeshtësues, apo tejet injorantë për të qeverisur. (France Inter)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme