Aromë Vllaznimi

Prishtinë | 18 Kor 2017 | 16:15 | Nga Edison Ypi

Në Shkozet bëjnë plazh kryesisht shqiptarë Kosove dhe Maqedonie që quhen Berat, Elbasan, Saranda, Labinot, Kujtesa, Buna, Vjosa, Vlora, Festim, Flamur, Patriot, Vigjilent, Agon, Visar, Etnik, Lasgush, Hitler. Duke folur me ta provon ndjesinë se po flet me Kombin dhe të vjen keq që nuk ka shqiptar Shqipërie që quhet, për shembull, Istog, Gjilan, Prizren, apo ndonjë vlonjate a korçare që të quhet Prishtina apo Podujeva.

Emrat e lokaleve të tyre janë “Besa e Gostivarit”, “Vushtrria“, “Lidhja e Prizrenit”, “Tetova”, “Ferizaj” “Prishtina” etj. Pra emrat e vendeve të Shqipërisë ua vënë kalamajve, ndërsa emrat e vendeve të Kosovës dhe Maqedonisë ua venë bizneseve. Sipas këmbyesit të valutave në rrugë që mban në duar tufa me Euro dhe dollarë, me këta nuk ja vlen të merresh. Janë të ngathët, të pakulturuar, të pagdhendur. Të mira, sipas derrit të Durrsit, këta kanë vetëm valutat.

Erdhi vjet nipi im nga Italia, thotë një mesoburrë, kur një ditë, tek bënte plazh, pa një pejan nja 3 vjeç që bëri kakën në rërë. Mamaja e bebes, e mblodhi kakën me gazetë e hodhi në det. Zonjë, mos vepro në këtë mënyrë, se është gabim, i tha pejanes dikush që kishte ardh me pushime nga Kanadaja. U përgjigj pejania; Ani’, s’ka problem, kështu e doni ju shqiptarët e Shqipnis. I tmerruar nga kjo përgjigje, me vështrim te kaka përmbi dallgë, nipi u betua sa kohë në plazh të ketë kosovarë e tetovarë, në Shqipëri nuk do vi më kurrë.

Një tironc,
-Njihen nga gjuha e derrit që flasin, nga e qethmja që s’ngjan me asnjë modë, nga e veshmja për ibret, nga e hecmja si katunar, jan’ rob’ të trash’.

Punëtori i karburantit:
-E kanë ballin e gjerë, veshët e mëdhenj, buzët të trasha, hanë shumë bukë dhe ëmbëlsira, pinë shumë ujë, gromësijnë pa kriter, pjerdhin pa hesap.

Një snob që punon në një televizion:
-Janë bërë si mizat e dheut. Nuk i duroj dot. Do ta shes apartamentin që sapo e bleva.

Një lab:
– Para 20 vjetësh ishin 50 vjet para nesh. Tani i kemi lënë ne ata nja 200 vjet mbrapa dhe të paktën 80 vjet anash. Janë të prapambetur, të trashë, të pistë, të pabesë.

Një durrsak:
-Na kan zili. Me zhvillimin tonë galopant mbeten me gojë hapur amerikanët dhe anglezët, e jo më këta.

Një elbasanlli:
-Njeriu nuk njihet në det dhe i lagur. Njeriu njihet në tokë dhe i thatë. Këta dallohen kur ecin duke u lëkundur sikur janë mbi anije. Tani që u bë rruga, më përpara mbërrin në Shkozet një prizrenali i trashë, se një leskoviqar i sofistikuar.

Një polic:
-Janë të çuditshëm. Edhe të trashë, edhe të hollë. Edhe të mirë edhe të këqinj. Edhe të ndershëm edhe të pamoralshëm.

Nën një çadër tre të rritur dhe një Festim nja 15 vjeç.
-Pse nuk keni vajtur në Greqi ose në Spanjë por keni ardhur në Shqipëri?
-Kemi prona, shtëpi të mëdha, kerra të shtrenjtë, kemi pasurina, kemi pare, udhëtojm, bëjm biznese. Vijmë këtu sepse këtu flitet Shqip.
I tha këto fjalë duke i rënë tavolinës me grusht aq fort sa derdhi të gjitha lëngjet mbi tavolinë.

Katër diva nga Drenica, nga 19 deri 25 vjeç kanë qejf të bëjnë muhabet dhe pranojnë të fotografohen. Janë të kënaqur që paguajnë vetëm 20 Euro në natë për një apartament dy dhoma e kuzhinë, ujë, dush, të gjitha.
– Sa vjeç je ?
– 12.
– Nga je ?
– Nga Rahoveci.
– Si e ke emrin ?
– Atdhe.
-Faleminderit i vogli Atdhe që paske ardhur i tëri këtu.

Një prishtinalie elegante shtatlartë thotë se shqiptarët e Shqipërisë janë të egër, të ngutur, të shqetësuar, nervozë, jetojnë si në jerm, si në delir, ndërsa shqiptarët e Kosovës nuk guten, janë të qetë.

Gjakovari thotë shkurt se ai dhe miqtë e tij vijnë në Shqipëri me e pasuru sado pak.

Restorante pa numërim. Si t’i duash, në këmbë, ulur, “Extra”, “Familjar” etj. etj. ku mund të hash gjithçka, Gulash, Pasul, Musak, Burek, Çorbë.

“Kosovaexpres” nuk është kartë krediti e as tren i shpejtë, por restorant ku hahet mirë.

Mes diellit përvëlues, muhabetit, kafeve, rakisë, pasulit, gulashit, pleskavicave, piskamave, e gjitha i ngjan gjëmimit të një koncerti madhështor me dirigjent Zotin.

Kujtesa nga Prishtina ka rënë në dashuri me çamin. Patrioti i mban sytë nga deti. Një lab nga Salaria po ja lyp një Vjose nga Suhareka. Vigjilenti nga Kumanova po pi raki me një skraparlli nga Therepeli. Etniku nga Peja po lidh krushqi me një shijaks, Labinoti nga Lipjani po pi kafe duke folur shtruar me një myzeqar. Një kolonjar po i thotë një Agoni nga Shtimja se baca kurvi ishte më vrasës se serbi…

Berati i Podujevës është marrosur pas një shkodraneje me bishtaleca. Kushtrimi i Malishevës, Visari i Vitisë, Vigjilenti i Leposaviqit, janë mbuluar me rërë. Saranda nga Mitrovica e ka
tret vështrimin kah deti. Flamuri i Drenicës shkon vazhdimisht në banjë se e ka zënë barku. Qurrat që dalin me furi nga hunda e Dardanit nga Podujeva formojnë një ylber me ngjyra. Hitleri nga Samadrazha po i thotë një përmetari se komunistat duhen djegur të gjallë. Lasgushi nga Vaksinca duke u dridhur si fije bari po lodhet ta bindi një Peqins se poezia nuk vdes kurrë. Një pejane shalgjatë me vështrim nga deti ka dalë topless. Një Buna nga Shtimja ka bërë pak mbi bythë një tatuazh me një shqiponjë në fluturim.

Sikur teksti të nuhatej, ky reportazh do mbante aromë vllaznimi.

Të ngjashme