Beqaj, veteranëve: Mos keni frikë nga Specialja, por nga “gjarpri”

Prishtinë | 10 Jan 2018 | 12:08 | Nga

Analisti Belul Beqaj, përmes një letre publike drejtuar veteranëve të luftës së UÇK-së, të botuar në numrin e sotëm të gazetës “Koha Ditore”, ka kërkuar nga ta që të mos bien pre e individëve potencialisht të dyshuar të Gjykatës Speciale që, nën petkun e pushtetit dhe nga frika se mos u zbulohen krimet e tyre, kanë penguar drejtësinë kosovare që të merret me krimet serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se sot është “kategorikisht kundër shfuqizimit të GJS-së, ngase po bëhet ekskluzivisht për të shpëtuar të dyshuarit potencialë të krimeve në dëm të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe rrezikimit serioz të miqësisë së dëshmuar ndërkombëtare, pa të cilën nuk do të kishim këtë shtet të brishtë”.

“Nuk po kuptoni, apo nuk po dëshironi të kuptoni, se të dyshuarit potencialë nga GJS-ja, të veshur me pushtet e kanë penguar drejtësinë kosovare për të mos u marrë me krimet e serbëve në Kosovë, ngase zbardhja e disa krimeve serbe, por edhe ndaj disa shqiptarëve, do të zbardhte eventualisht edhe krimet e tyre”, ka thënë Beqaj në këtë shkrim autorial.

Funksionalizimi i GJS-së, sipas Beqajt, ndihmon Kosovën ndërsa shfuqizimi i Ligjit për GJS-në “fuqizon individët që e kanë sjellë shtetin e Kosovës para dështimit”.

“E vërteta dhe ndershmëria duhet të jenë qëllime të përpjekjeve tuaja e jo mbështetja e manipuluesve. Në vend se të hiqni ‘retë e zeza’, që e kanë mbuluar Kosovën nga individët e përfolur nga Raporti i Dik Martit, ju me nismën tuaj, po errësoni të gjithë kosovarët dhe Kosovën, e më së shumti, ata që me gjithë mend, kanë luftuar për liri dhe drejtësi! Mbase, po i veni në dyshim edhe idealet e martirëve që dhanë jetën për liri, dhe drejtësi. Veteranët e mirëfilltë nuk duhet t’i trembin e vërteta dhe drejtësia. Përkundrazi, ata, duhet t’i trembë padrejtësia. Fundja,të nderuar veteranë, definitivisht nuk duhet të frikësoheni nga GJS-ja, por nga ‘gjarpri’ që po përpiqet që t’ju kafshojë edhe një herë, për të njëjtën gjë dhe në të njëjtin vend!”, ka potencuar analisti Belul Beqaj në këtë letër publike drejtuar veteranëve të luftës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme