Blerim Reka: Kosova, në pikën më të ulët të marrëdhënieve me aleatët euroatlantikë

Prishtinë | 14 Jan 2018 | 08:57 | Nga

Blerim Reka është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka qenë ambasador i Maqedonisë në Bruksel. Përvoja në diplomaci që ka, thotë të bëjë që të mos guxojë ta paramendojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës të nesërmen kur do të shfuqizohej Gjykata Speciale.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Reka thotë se dëmet për shtetin do të ishin shumë të mëdha. Dhe, konsideron se përfaqësuesit politikë të Kosovës nuk do të duhej t’i hynin aventurës së fundvitit. Ai ka rikujtuar shembuj në rajon që, sipas tij, duhej të merreshin si leksion, në mënyrë që të mos hapej konflikti me aleatët strategjikë që Kosovës i ndihmuan të çlirohet e edhe ta bëjë shtetin.

“Besoj ju kujtohen episodet e izolimit euroatlantik të Tugjmanit në Kroaci, të Meçijarit në Sllovaki, apo së fundi të Gruevskit në dy vjetët e fundit në Maqedoni. Apo, të mos shkojmë aq larg. Mjafton të mësojmë nga pësimet e Shqipërisë në vitet 1996-1997, kur Berisha nuk dëgjoi këshillat e perëndimorëve për të përsëritur zgjedhjet presidenciale dhe në mars të vitit 1997 vendi ishte desovranizuar tërësisht duke mos u këndellur me vite”, ka theksuar ai. “Nëse as pas këtyre pësimeve në fqinjësi nuk nxjerrim mësim se këshillat e aleatëve perëndimorë janë dashamirëse, e kotë është çfarëdo bisede tjetër për pasojat e Kosovës”.

Në këtë intervistë profesori Reka ka folur për skenarët që do të mundë të rridhnin pas shfuqizimit të Speciales, për dinamikat që do të pasonin në Kombet e Bashkuara e edhe për dëmet që mund t’i pësonte Kosova.

Ka argumentuar se si shtetet më nuk kanë sovranitete absolute dhe ka treguar se sa është e ndërlidhur çështja e qenies së shtetit të Kosovës në partneritet me Perëndimin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme