Buzhala: Letër miqve në Shqipëri: Edi Rama nuk është Shqipëria

Prishtinë | 16 Tet 2016 | 14:40 | Nga Berat Buzhala

Janë disa forma se si ne duhet të njihemi me mirë me njëri tjetrin. Njëra prej tyre padyshim qenka edhe kjo e ditëve të fundit. Kjo nuk është e vetmja mënyrë, e as më e mira, por është njëra prej tyre. Pak brutale, por efikase.
Si filloi e gjitha?

Çështja është shumë e thjeshtë: Vizita e Ramës në Beograd, si dhe ideja e tij, modeste, për t’i dhënë fund armiqësisë shumë shekullore serbo – shqiptare. Rama po mendon që e ka gjetur çelësin (jo atë të Bregovicit) e pajtimit, për konfliktin që zgjat qe disa shekuj, e që ka lënë prapa qindra mijëra viktima, në mos miliona.

Ndoshta ai tash edhe po e sheh veten, bashkë me Vuçicin duke e ndarë Nobelin për Paqe në Stockholm, vitin e ardhshëm. Në fakt edhe do ta meritonin, sepse po i bëjnë bashkë dy popuj, e bashkë me të ndoshta edhe krejt Ballkanin. Rama, po ta arrinte këtë do ta meritonte Nobelin jo vetëm për paqe, por, nëse ka një të tillë, edhe për Biologji. E ka zbuluar kodin human të politikës serbe. Kuptohet këto çmime do t’i fitonin po të kishte mundësi të korruptimit.

Pra kjo është çështja. Këtu edhe filloi. Te deklaratat e Ramës për pajtimin historik të serbëve dhe shqiptarëve.

Kjo u përsërit në takimin e tyre të fundit.

Dhe pastaj thanë, gati si me humor se ishin pajtuar që për një gjë nuk mund të pajtoheshin: Për çështjen e Kosovës. Se Vucic thoshte se Kosova është krahinë e Serbisë, kurse Rama se Kosova është shtet i pavarur.

Më falni?

Pra, të dashur miq në Shqipëri, nëse Rama dhe Vuçiqi nuk u pajtuakan për Kosovën, atëherë për çfarë pajtimi po flasin ata? A nuk ishin të pajtuara Serbia dhe Shqipëria? A nuk njihen si shtete në mënyrë reciproke? A nuk kanë ambasadorë në vendet reciproke? Shqipëria, pas vitit 1999, as që kufizohet me Serbinë. Madje as që kanë luftuar ndonjëherë me njëra tjetrën, këto 100 vitet e fundit.

Serbia ka qenë dhe është në armiqësi me shqiptarët, por me ata të Kosovës. I ka vrarë mbi 10 mijë, gjatë viteve 1997-99. I ka dëbuar mbi një milion gjatë kësaj kohe, një pjesë të madhe në Shqipëri, por për hir të së vërtetës edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe gjetkë.

Jo vetëm kjo: Serbia, ose ish-Jugosllavia, gjatë kohës së komunizmit, i pati dëbuar gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës për në Turqi.

Jo vetëm kjo: edhe para Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Jugosllavisë së vjetër, Serbia ka dëbuar shqiptarë nga Kosova, ka realizuar pastrim etnik, të përkrahur, në mes tjerash, edhe prej titanëve të saj të letërsisë, si bie fjala Ivo Andric, që u citua me dashuri nga Rama në Beograd, por për të cilin bien në dy gjunjë edhe gazetarë të shquar në Tiranë, të cilët kanë arritur ta bëjnë dallimin prej Andricit njeri dhe Andricit shkrimtar. Bravo që e keni bërë, nuk ka qenë punë e lehtë. Por mos harroni, sikur të mos ishte Andrici shkrimtari i madh, as që do të flisnim për Andricin njeriun e keq. Ishte shkrimtari fillimisht që e bëri njeriun e keq.

Sa e kemi mësuar nga historia, kontakti kryesor i Shqipërisë dhe Serbisë gjatë kësaj kohe ka qenë në kohën e Mbretit Zog, kur ky i fundit ishte kthyer në pushtet me ndihmën e serbëve, që si shenjë falënderimi pastaj filloi t’i vrasë patriotët nga Kosova. Pastaj gjatë Luftës së Dytë Botërore, përpara hundëve të forcave të Enver Hoxhës (jo ministrit tonë) forcat serbe kishin kryer masakra të papara në territorin e Kosovës. Të mos flasim pastaj për tri vitet e arta të raporteve Shqipëri – Jugosllavi, Enver – Tito. Dhe edhe kur ndodhi prishja, kjo nuk u bë për Kosovën.

Këtë digresion historik bëra, jo për të nxitur animozitete të tjera, por për t’u përgjigjur në konstatimet paushall se Kosova është ndihmuar shumë këto 100 vite nga Shqipëria. Kjo nuk është gjithaq e saktë. E kundërta është më e saktë: Kosova ka bërë shumë për Shqipërinë këto 100 vitet e fundit. Ka qenë për të mburojë e mishit dhe e gjakut. Dhe kush ishin agresorët? Ishin serbët pra.

Të dashur miq nga Shqipëria, kjo është esenca: Për çfarë pajtimi po fliste Rama? Dhe çfarë është tepër e rëndësishme, madje në mënyrë kritike e rëndësishme: A e ka marrë Rama pëlqimin e Prishtinës për të na pajtuar me serbët? Ose a i ka kërkuar Kosova atij që të na pajtonte me ta, apo i ka kërkuar Vuçici që të na pajtojë, ose çka dreqin po ndodh kështu? Në mes të dy qeverive, kësaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ekziston edhe një protokoll bashkëpunimi, për të informuar njëra-tjetrën për takime të rëndësishme. A ka ndodhur një gjë e tillë? A ka biseduar Rama me dikë në Prishtinë për këto iniciativa?

I lexova këto ditë me vëmendje edhe Mero Bazen, edhe Blendi Fevizun, edhe Andi Bushatin. Për të tre ata e kam respektin maksimal. Madje u gëzova që këta më në fund janë në një mendje për diçka. Nuk ju ka ndodhur një gjë e tillë këto 20 vjet. Mirëpo ajo çfarë nuk më gëzoi ishte tendenca e tyre për t’u rreshtuar krah Ramës pa kushte. As edhe një fjalë të vetme për iniciativën e tij megalomane për pajtime historike. Asnjë fjalë për vizitat e tij të njëpasnjëshme në Beograd. Asnjë fjalë për citimin që ai i bëri Ivo Andricit, njërit prej strategëve serb për politikat antishqiptare. Jahudinjtë edhe sot e kësaj dite kanë probleme serioze me muzikën e Wagnerit, e cila ishte përdorur, pa dijeninë e tij, sepse ai kishte vdekur, për tortura dhe për fushatë naziste.

Prandaj, për të gjitha këto arsye, si është e mundur që të insistoni në nënvizimin e faktit se Kosova po e dëbon Shqipërinë nga e ardhmja e saj. Kjo nuk është e vërtetë. Kosova nuk dëshiron ta pranojë vizionin e Edi Ramës, për të ardhmen e saj. Deklarata e tij sterile, madje në formë batute, se nuk u pajtuakan me Vuçiqin për Kosovën nuk do të thotë asgjë. Është e dëmshme.

Në biseda private, disa prej miqve të mi në Shqipëri, po më thoshin se “Rama është idiot” është “mashtrues”, dhe epitete tjera anatomike. Sipas tyre nuk duhej t’i kushtonim vëmendje se çfarë thotë ai. Unë mendoj që Rama është fillimisht Kryeministër i Shqipërisë, dhe në këtë cilësi ishte edhe në Beograd, e jo në atë të epiteteve të mësipërme.

Nacionalistët primitivë në Kosovë, por edhe këta në Shqipëri që sapo e kanë zbuluar dashurinë ndaj Kosovës, më akuzuan që i thashë Ramës mos fol në emrin tim në Serbi. U sulen të thoshin “Po në emrin tim”, sepse Rama qenka kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Në të gjitha format dhe trajtat kjo është e pasaktë. Rama nuk është Kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Sepse ne nuk e kemi një mbi-qeveri dhe një mbi-kryeministër dhe pastaj edhe disa miniqeveri për punë lokale. Tek e fundit, shtrohet pyetja, a kishte folur në emrin tim (tonë) edhe Kryeministri i Shqipërisë, ose i shqiptarëve, Fatos Nano, në Kretë, kur kishte takuar Millosheviçin. Edhe Nano ishte Kryeministër, sikur që është Rama tash. Kosova e kishte refuzuar fuqishëm qëndrimin e Nanos se Beogradi është kryeqyteti i shqiptarëve të Kosovës.

Pra, nuk është në pyetje pozita e Kryeministrit. Në pyetje është se çka thotë ai Kryeministër.

Sigurisht që në Shqipëri thonë se “Nano ishte karagjoz dhe i papërgjegjshëm”. Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por, prapë, dëmi është i njëjtë.

Në disa shkrime të mia e kam thënë se Rama është i fundit që duhet të flasë për Kosovën, tash jo si Kryeministër i Shqipërisë, por si një individ krejtësisht naiv për zhvillimet në rajon. Ai bashkëpunimin rajonal e kupton si një ekspozitë artistike. Si art bashkëkohor. Ai nuk e ka asnjë referencë tjetër. Krejtësisht i papërgatitur. Ai është lideri i vetëm në rajon që i beson Vuçiqit, i cili me ngulm po kërkonte partner në Ballkan. Këtë mundësi nuk ia dha Kroacia, por as Greqia. Për çudi, po ia jep Edi Rama, duke e lavdëruar Serbinë për sjellje shumë evropiane, madje më evropiane se shtetet evropiane, kur është fjala për refugjatët. Jashtëzakonisht korrekte si deklaratë, por cila është nevoja të thuhej? Pse duhet që shqiptarët ta ngrenë Vucicin në pishtar të sjelljeve evropiane?

Pra, miq të dashur, reagimet që vijnë nga Prishtina duhet t’i kuptoni si reagim ndaj Ramës, e jo reagim ndaj Shqipërisë.

Ju me të drejtë mund të thoni se edhe liderët e Kosovës po takohen me ata të Serbisë. Kjo është shumë e saktë, por takimet e tyre janë sipas detyrës zyrtare, të detyruar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Sigurisht që i kemi pikëpyetjet tona për këto takime. Këta liderë edhe do ta paguajnë çmimin për çdo gjë që bëjnë ditën kur mbahen zgjedhjet. Por cila është përgjegjësia e Ramës? Çfarë përgjegjësie ka ai? Ose çfarë zori ka ai? Pse po i duhet me kaq ngulm t’ia tregojë botës fytyrën tolerante të Serbisë? Rama ka mjaft opsione për t’u takuar. Askush nuk pret nga ai që të marrë barrën e Ballkanit mbi supet e tij. Ai nuk mund të jetë më i afërt me Serbinë, sesa, ta zëmë Millo Gjukanovic i Malit të Zi.

Miq të dashur në Shqipëri, për fund, unë besoj që ne mund të bëjmë shumë më shumë për njëri-tjetrin. Mund të ndihmojmë njëri tjetrin, pa pasur nevojë që këtë ta bëjmë nga Beogradi, e as me një lloj pajtimi me Vuçiqin. Duhet të shikojmë shembujt e mirë. Kosova kurrë nuk do ta harrojë ndihmën që dha Shqipëria gjatë kohës së luftës. Qeveria shqiptare e vitit 1999 do të mbetet përgjithmonë në memorien tonë si shpëtimtarja e popullit të Kosovës, në orët e tij të liga. Ndihma e Mejdanit, Majkos, Berishës, Metës ishte vendimtare për Kosovën. Dhe mbi të gjitha ndihma e popullit shqiptar, i cili hapi dyert e tij për të pritur vëllezërit e tyre.

Shqipëria nuk është Edi Rama.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme