Buzhala: Turp e faqja e zezë

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 15:23 | Nga Berat Buzhala

Po i zmadhoni incidentet. Nuk ka islam radikal. Ju jeni islamofobë. Po e dëmtoni reputacionin e Kosovës. Po paguheni prej shërbimeve sekrete izraelite, ose edhe prej atyre serbe. Pak a shumë këto ishin akuzat që na ngjiteshin sa herë që raportonim për ekstremizëm fetar ose për imamë të dyshimtë. E tash?

Sa herë që e kemi spikatur dështimin e Bashkësisë Islame për ta mbajtur nën kontroll hovin e ekstremizmit nëpër xhami të ndryshme të Kosovës jemi përballur me lloj-lloj morbiditet-esh. Kurse tash djalli ka dalë nga shishja. Tash nuk mund të flasim më për kurrfarë preventivi. Duhet të merremi me menaxhim dhe sanim të dëmeve. Shoqëria jonë, segmente të rëndësishme të saj, ka dalë prej binarëve. Nuk i japin më përgjegjësi historisë sonë, as nuk e konsiderojnë të rëndësishëm – të shenjtë jo se jo – amanetin e baballarëve tanë, etërve themelues të identitetit shqiptar. Ata kanë gjëra të tjera të shenjta.

Për ta nuk thotë asgjë emri i Skënderbeut, ai i Jeronim De Radës, i Abdyl, Sami dhe Naim Frashërit, Pjetër Budit dhe Pjetër Bogdanit, Faik Konicës dhe Fan Nolit, Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit, Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Dhe meqë këta emra për ta nuk thonë asgjë, nuk zgjojnë kurrfarë emocioni, atëherë ne kemi dështuar, e jo ata.

Ka dështuar shkolla shqipe. Xhamia. Shoqëria. Nuk i kemi bindur për gjërat tona të shenjta. Dikush tjetër, me shumë më pak mundësi, ndoshta me shumë më pak buxhet, në mënyrë shumë më klandestine, i ka përfituar ata. Ka arritur që para hundëve tona, në emër të lirisë së shprehjes, t’i përfitojë ata.

Ne kemi qenë dëshmitarë të mijëra ligjërimeve të dyshimta të imamëve të ndryshëm, që pa asnjë hezitim e kanë degraduar kombin dhe etninë përpara vlerave të tjera jo autoktone. I kemi dëgjuar ligjërimet e tyre flagrante kundër figurave më të ndritura të kombit tonë. Kur kemi thënë se kjo është e rrezikshme, na keni thënë se ju jeni islamofobë. Keni thënë se liria e shprehjes është para së gjithash.

Në vend që ta marrim seriozisht Shefqetin, Irfanin…, në vend që të kërkojmë llogari prej tyre pse po i orientonin gabimisht xhematin, ne kemi marrë pjesë në përurimet e librave të botuar prej tyre. I kemi shpallur dhe trajtuar si dijetarë. Para tyre janë gjunjëzuar edhe akademikët (Daci), edhe gazetarët (Nexhi dhe disa të tjerë), e edhe politikanët (Mimoza, Shpendi etj.). Jemi zbavitur me tritol. Ne që e kemi tërhequr vërejtjen në kontinuitet kemi qenë më të sharë sesa ata, frytet e të cilëve sot po i korrim.

Një situatë jonormale e kemi shndërruar në normale. Një ligjëratë antisemite, kundër figurave më të shenjta të kombit, e kemi trajtuar si çështje të lirisë së shprehjes. Madje, edhe kur policia para disa kohësh i arrestoi disa të rinj te betoheshin para flamurit të ISIS-it, kishte zëra që thoshin se kjo ishte inskenim, ose përpjekje për ta tërhequr vëmendjen prej problemeve reale në vend – sepse te ne nuk paska kurrfarë ekstremizmi fetar.

Kur shkrimtari Mehmet Kraja, para disa muajsh, e shkroi një kolumne fenomenale për myslimanët e “Facebook”-ut, ai u linçua për të, shumë më shumë, bie fjala, sesa është linçuar ai që i quan kurva të gjitha gratë që shkojnë në det. U linçua shumë më shumë sesa ai që deklaron faqe botës se në Kosovë shqiptarë nuk ka pasur deri para se këtu të vinte Perandoria Otomane. U linçua shumë më shumë sesa ata që thanë, publikisht, se kjo Perandori nuk paska qenë pushtuese por çliruese.

Nëse Shefqeti, ose kushdo tjetër i kësaj skote, shante dhjetë herë, ne kënaqeshim kur ai herën e njëmbëdhjetë thoshte se ISIS dhe “Al Kaeda” janë organizata terroriste. Merrnim frymë thellë dhe lirshëm, duke thënë se paskemi qenë ne gabim që e kemi paragjykuar, sepse ky shumë mirë po flet.

Historianët tregojnë se Neville Chamberlain, kryeministër i Britanisë së Madhe, por edhe liderë të tjerë evropianë, të periudhës në mes dy luftërave botërore, duke mos dashur të përballeshin me rrezikun nazist në ardhje, me ëndje gjurmonin në fjalimet e tij për të gjetur ndonjë paragraf ku ai fliste për paqe. Dhe kur e gjenin gëzoheshin sikur fëmija. U thoshin popujve të tyre se “ai, Hitleri, nuk është aq i keq, sa po e bëjnë mediat”. Pra duke mos dashur që Hitlerin ta quanin me emrin e vërtetë, duke shpresuar që gjërat do të vetë-rregulloheshin, ata ia bënin qejfin vetes, duke provuar që një situatë të rrezikshme ta falsifikonin.

Edhe te ne naivët menduan që për ta konsideruar situatën serioze, dikush duhet të dalë publikisht në Prishtinë e ta mbrojë ISIS-in, ose çfarëdo organizate tjetër terroriste. Pritëm që dikush të dalë në Prishtinë dhe të thotë se duhet të sulmohet Gjermania, ose Franca me sulme terroriste. Për disa prej nesh, vetëm këto fakte do të ishin kredibile për të konstatuar se kemi lëvizur shumë larg prej boshtit tonë si shqiptarë. Nuk donim ta trajtonim problemin që në lindjen e tij. Që në hapat e parë. Qëllimisht e relativizuam çdo gjë.

Një pjesë shpresonte që problemi do të vetë-zgjidhej, edhe nëse nuk e trajtojmë. Pjesa tjetër fliste për persekutim, pas çdo shkrimi. Sipas tyre, shumicës myslimane në Kosovë po i shkeleshin të drejtat. Prej kujt? Kategoria më komike ishin ata që provonin ta mbronin reputacionin e Kosovës, duke fshehur të vërtetën. Këta i sulmuan gazetarët që kishin bashkëpunuar me gazetën “The New York Times”, muaj më parë, e cila raportoi në mënyrë korrekte se Arabia Saudite e kishte mbjellë në vendin tonë një farë të terrorizmit.

Çfarë do të thonë tash mbrojtësit e reputacionit të Kosovës, ata që thoshin se gjërat po zmadhoheshin pa të drejtë? A më shumë do të dëmtohej reputacioni i Kosovës nëse do të raportohej për rrezikun në rritje, apo tash kur shqiptarët kapen në flagrancë disa minuta, ose disa orë, ose disa ditë, përpara se ta hedhin në erë një qendër tregtare, përpara se të vrasin gjithë ekipin e futbollit të Izraelit?

Si do ta mbrojmë tash reputacionin e vendit, kur policia gjermane thotë se arrestimi i të rinjve nga Kosova është një moment i ri për sigurinë gjermane. Sipas përfaqësuesit të sindikatës së policisë, në njërin prej lendeve gjermane, personat me origjinë nga Kosova deri më tash nuk kanë qenë të dyshuar si pjesë e rrjeteve terroriste. Tash janë.

Sigurisht që apologjet-ikët edhe ketë herë do të japin kontributin e tyre për të relativizuar edhe rastin e fundit, këtë të Gjermanisë, kur dy të rinj me origjinë nga Kosova, tashmë pjesë e ballinave të gazetave kryesore botërore, deshën të hedhin në ajër një qendër të madhe tregtare.

Do të thonë që këta të rinj, çuditërisht, janë edukuar në mënyrë radikale nëpër xhamitë e Perëndimit. Sepse këtu në Kosovë nuk ka të tillë. Broçkulla. Ndoshta nuk ka edhe më tutje të atillë që do të provojnë të vrasin shqiptarë, por të tillë që janë të gatshëm të vrasin çdo gjë që paraqet qytetërimin perëndimor, ka sa të duash. Rrënjët e së keqes janë këtu te ne. Përgjegjësinë kryesore e ka Bashkësia Islame, respektivisht myftiu Naim Tërnava.

Sejmenët e tij e nisën të parët flirtin me radikalizmin, ata që e shikuan me përbuzje islamin tradicional, atë të tolerancës dhe bashkëjetesës. Shkolla e re e imamëve radikalë, e përkrahur nga Tërnava, ose nëse dëshirojmë që të jemi pak më të butë, e toleruar nga Tërnava, zbarkoi pas luftës në Kosovë. Këta imamë radikalë, fillimisht operuan nëpër skuta, për të pushtuar më vonë platformat qendrore të komunikimit me masat.

Ekziston mundësia që një numër i tyre, i këtyre imamëve, tash edhe janë zbutur, pse jo edhe penduar, i kanë hequr ligjëratat e tyre nga “Youtube” dhe rrjetet sociale, por është pak vonë. Kuadrot e para të mësimeve të tyre, nxënësit, tash gjenden në terren. Ata as që dëshirojnë të dëgjojnë për pjesën e dytë të mësimit. E konsiderojnë se kanë mësuar mjaft. Do të operojnë vetëm me mësimet fillestare.

Megjithatë, pa marrë parasysh dëmin e shkaktuar, pa marrë parasysh sa larg kemi shkuar, dorëzimi nuk është opsion. Pjesa e shëndoshë e shoqërisë, pjesa e atyre që besojnë në islam paqësor, tradicional, është shumë më e madhe sesa ajo e ekstremistëve. Mirëpo paqësorët, besimtarët e mirë, aktualisht nuk janë të përfaqësuar. Janë lënë në mëshirën e fatit të tyre.

Zëri i tyre duhet të dëgjohet shumë më shumë. Dhe kjo ndodh vetëm kur në Bashkësinë Islame të Kosovës do të ndodhin ndryshimet. Nuk munden të njëjtit njerëz që kanë nxitur ekstremizmin, ose kanë toleruar atë, që tash të predikojnë për paqe. Nuk kanë kredibilitet. Askush nuk iu beson. Duhet një narracion i ri. Me fytyra të reja. Duhet ta kapim besimin atje ku e kemi braktisur.

 

Të ngjashme