Çfarë na sjelli babadimri, Trump, Putin…

Prishtinë | 11 Jan 2017 | 18:14 | Nga Fadil Lepaja

Dhuratat kolektive të babadimrit, për Ballkanin, ende nuk janë hapur. Pra, aty mbretëron po aq mister sa edhe lidhur me “dhuratat” që do i sjell presidenti i ri i SHBA, apo ato që do i sjell Presidenti rus Putin për popujt e Ballkanit. Ka shumë fjalë, premtime, shpresa dhe shqetësime. Ka fjalë, se ndoshta që të tre të famshmit, së bashku, mund të ndajnë dhuratat e tyre, por kjo mbetet për tu parë se a është opsion real apo veç një “koalicion joparimorë”, i dëshiruar nga dikush në Ballkan. Babadimri gjithsesi është më i parashikueshëm, edhe pse dhuratat e dy të famshmëve të tjerë edhe mund të shpërndahen me karrocën dhe drerët e tij.

Viti 2016 na la gjithësesi shumë kujtime, të cilat në planin personal për shumëkënd mund të kenë qenë edhe të mira, por në politikë ishin një dëshpërim kolektiv. Edhe gëzimet që i patëm, dhe të cilat politika vrapoi për të i përvetësuar, si suksese të vetat, na i sollën kryesisht sporti, kultura apo kushdo tjetër përpos politikës. Dëshpërimi ishte pra kolektiv,veçanërisht në Kosovën e izoluar, sikur të ishte me kolerë. Korrupsioni dhe krimi janë rritur aq sa më ne nuk i vërejmë nga afërsia, ndërkohë që për botën janë bërë tepër të dukshme. Prandaj edhe na kanë izoluar.

Dëshpërimi më i madh ishte artikuluar sikur një pikëllim kolektiv për vizat, por gjithsesi nuk mund të thuhet se ishte më mirë edhe në fushat e tjera ku e keqja filloi të trashet. Dëshpërimi ishte edhe me arsye të brendshme, natyrisht, sidomos për shkak të pafuqisë qytetare për të ndikuar sadopak që të ndërrohet cikli i mbyllur i krijimit artificial të krizave dhe i plaçkitjes së organizuar të pronës publike dhe të qytetarëve. Ata janë rritur dhe fuqizuar aq tepër sa nuk mund të ndikohej jo vetëm as nga ndërkombëtarë. Edhe ndërkombëtarët, u treguan krejtësisht të pafuqishëm, sado që presioni i tyre ishte jashtëzakonisht i madh mbi kreun institucional dhe atë të partive politike. Loja e përçarjes së deputetëve ishte aq perfekte, dhe ndihma nga jashtë në këtë drejtim ishte aq e sofistikuar, sa i amortizoi të gjitha këto ndërhyrje. Ata u fshehën pas përqarjeve, pas opozite, pas kombit…kudo!

U krijuan probleme të paqena dhe u heshtën problemet e vërteta, të cilat po e fundosin jo vetë demokracinë por edhe shtetin e krijuar me mund dhe sakrifica të mëdha. Asnjëherë deri më sot, askush nuk ka arritur që të i bëjë qytetarët dhe grupet të punojnë kundër vetvetes dhe të jenë të bindur se po e bëjnë më të mirën. Kulmi i kësaj ishte viti 2016.

Qytetarët, të ndarë suksesshëm në tabore armiqësore, me shoqëri civile të instrumentalizuar, dhe individ të cilët flasin (ja fusin) kot, sepse nuk i dëgjon kush nga zhurma publike që krijon folk politika. Rrinë, vegjetojnë dhe janë krejtësisht të rehat me veten edhe me shtetin.

Por të kthehemi te tema jonë, e sotme. Serbët pra, u gëzuan për fitoren e Trump, sidomos klasa politike, ndërkohë që në politikën tonë, për ndonjë arsye të panjohur mbretëroi pak a shumë atmosferë mortore. I famshmi dhe i pamëshirshmi Sheshel, i cili sikurse edhe disa politikan tonë doli i pafajshëm nga gjykata (a)politike e Hagës, madje këndoi edhe këngë “dhjetëshe” për fitoren e Trump, ndërkohë që politika jonë e rritur dhe shkolluar në gjirin e ngrohtë të demokratëve, ku me gjasë i mësoi edhe shumicën “e prirjeve” të cilat i tregoi që nga çlirimi e këndej, për ndonjë arsye tash për tash të paqartë, mbeti gati krejtësisht e heshtur.

Me një fjalë, politika jonë mbeti pa fjalë, nëse me dashje e harrojmë atë prognozën dhe deklaratën e famshme dhe gjithsesi të pafat të kryeministrit Rama, lidhur me zgjedhjet më të rëndësishme globale, kur prognozoi se marrëdhëniet me SHBA mund të rrezikoheshin nëse do të fitonte, ai që tashmë ka fituar ! Ai që tashmë ka fituar” edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për të komprometuar fitoren e tij, përmes ndërhyrjes së carit modern rus me emrin Putin, prapëseprapë do të japë betimin me 20 janar dhe me vetëm këtë fakt vlerësohet se do të bëjë ndryshimin i cili shumëkënd në Ballkan e gëzon apo shqetëson me vet shpresën apo frikën se balanci i krijuar këto 20 vitet e fundit do të ndryshojë dhe kastat e krijuara do të rrënohen përpara pakënaqësisë qytetare po aq sa para vrullit të politikës së re amerikane, e rrjedhimisht edhe euro-atlantike në Ballkan.

Pra, kryeministri Rama foli ndërkohë që të tjerët me “urti” heshtën, edhe pse treguan preferenca të qarta për lagjen (politike-ekonomike) Clinton. Ftesat drejtuar Ramës nga Putin më nuk po hasin në vesh të shurdhër, as edhe rreshtimi i z.Thaçi pas presidentit turk  Erdogan nuk u arsyetua fare, çka nga shumëkush u kuptua si shenja e parë e rebelimit të kryetarit të Kosovës ndaj politikës amerikane.

Ndoshta edhe arrestimi i Ramushit, në Paris, ishte mesazh, sidomos pasi ai me sukses kishte arritur “të blejë” ftesën për inaugurimin e Presidentit Trump, çka me gjasë presidenti dhe të tjerët ende nuk kanë arritur ë e bëjnë. Ndoshta për shkak të “çmimit” të lartë?

Sido që të jetë, tash pritet vetëm të hapet thesi i babadimrit, dhe të shihet se çfarë na ka sjellë për këtë vit, si popull, si qytetarë, dhe si ushtarë të rreshtuar prapa klaneve, partive, grupeve të interesit, apo kujtdo që nuk është vetëm në këtë acar siberian që e ka kapluar rajonin. Në këtë ftohtë, vetëm ëndërrimtarët dhe idealistët mund të durojnë pa u futur në rresht.

Hapja e “dhuratave” të para ndoshta pak a shumë e sqarojnë se prej nga ky aktivizim i Serbisë zyrtare rreth Kosovës, përse ky rikthim i deklaratave luftënxitëse dhe përse kjo situatë ku kryeministri serb direkt ndërhyn, fton në “raport” deputet dhe ministra të republikës së Kosovës, kur ai paralajmëron të festojë në Kosovë bashkë me “qytetarët e tij”, ndërkohë që kryetari serb anulon vizitën në Kosovë për të njëjtën festë.

Ndërkohë edhe kryeministri Rama të njëjtën gjë e bënë edhe me partitë politike shqiptare në Maqedoni. Kur e rikujtojmë faktin e takimit të famshëm të qeverive shqiptare dhe serbe në samitin e Nishit, disa marrëveshjeve ende të pahapura krejtësisht për publikun, krejt kjo merr një formë të re, sidomos nën dritën e reflektorëve që do të ndezën në Ëashington me rastin e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA.

Mbetet të shihet kush do të shkoi, në Uashington, e kush në Moskë sivjet? Kush tjetër do të arrij “të blejë” ftesën për inaugurimin, me 20 janar, mbetet të shihet? Sigurisht, nuk është vetëm çështje xhepi!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme