I dashur ministër i arsimit, cilido që je

Prishtinë | 08 Sht 2017 | 14:41 | Nga Rrahman Paçarizi

Besoj që në momentin që e ke pranuar postin e ministrit, edhe nëse nuk ke luftuar përgjakshëm për atë post, e di se në ç’gjendje është arsimi në Republikën e Kosovës.

Shpresoj shumë të kesh ekspertizë në këtë fushë, por kjo s’ka shumë rëndësi në një qeveri ku postet duket të jenë krejt politike.

Tekefundit, edhe paraardhësit tu kanë qenë me ekspertizë të mjaftueshme dhe profesorë universiteti, por ja që gjendja është kjo. Në një situatë të tillë, shpresoj që të jesh i fuqishëm dhe të mos lejosh që rreth vetes të kesh informatorë të kryetarit të partisë tënde, të shefit tënd zyrtar ose jozyrtar – kjo i ka fundosur ministrat e deritashëm të arsimit.

I dashur ministër, që ende nuk po të njoh

Suksesi yt varet nga dashuria që ke për arsimin. Suksesi yt varet nga guximi yt. Suksesi yt varet nga vendosmëria jote. Suksesi yt varet nga ekipi që do ta kesh rreth vetes (përjashto zëvendësministrin që mund të jetë pjesë e pazarit për qeverinë).

Duhet ta duash arsimin dhe t’i kesh fëmijët duke u shkolluar në Kosovë dhe gjithçka ta masësh me brengën tënde prindore (standardi i dashurisë ndaj atdheut tashmë është shndërruar në një idealizëm të rrallë për të cilin të përqeshin). Duhet të kesh guxim për të ndërmarrë veprime, të cilat mund t’i humbin vota partisë sate, por është çmim që do paguar.

Mund të të mos zgjedhin kurrë më ministër, por më mirë një herë ministër i mirë, sesa ministër i recikluar dhjetëra herë. Shpërbërja e mbeturinave në sistemin e arsimit zgjat me shekuj, zoti ministër, ndaj kujdesuni që të mos na ndodhet edhe më ky ambient.

Vendosmëria jote është vendimtare për suksesin. Është vrapim në shtigje të gjata që kërkon mund, por gjithashtu është vrapim me pengesa e ato janë të shumta – militantët e partisë që duhet t’i punësosh e nuk duhet t’i punësosh; sindikatat që kujdesen për mirëqenien e mësimdhënësve e ti duhet të kujdesesh për cilësinë përpara mirëqenies së tyre dhe vota e partisë do të të sillet si gogol kahdo që sillesh, pasi secili veprim yti idealist do t’i humbë vota partisë.

Duhet të heqësh dorë nga mirënjohja ndaj partisë që të solli në këtë post, zoti ministër, pasi në dorën tënde janë rreth 300 mijë nxënës e student që ta kanë nevojën, pa çka se shumica dërrmuese e tyre janë fëmijë të prindërve që nuk të kanë votuar. Dhe, në fund, zoti ministër, suksesi yt varet nga ekipi yt, nga njerëzit që do të kesh rreth vetes.

Qofsh a jo ekspert i arsimit (unë do të doja të jesh) njerëzit rreth vetes merri njohës të fushës, njerëz që janë pjesë e arsimit, njerëz me dije e integritet që t’i trembin e largojnë militantët e partive, pasi vetëm ashtu mund të punosh.

I dashur zoti ministër, që shpresoj të të njoh së shpejti

Shkolla fillore në Kosovë e ka tashmë damkën e PISA-s. Me llum partiak nuk fshihet ajo njollë. Më beso kur të them se as me floskula patriotike si abeterja e përbashkët, s’do të bësh gjë (nuk po them se Abetarja ka faj).

Shkolla e mesme është gati-gati hajgarellëk, ndërsa universiteti është vetëm gjithëpërfshirës. Universiteti si gjithëpërfshirje i konvenon politikës, por nuk është cilësor. Kosova që ka telashe ta ketë një UP-në cilësore, vështirë se mund të ketë kuadro të mjaftueshme (jo emergjente se ka sa të duash) për t’i mbajtur shtatë universitete publike.

Universitetet jopublike e kanë pasur shansin e tyre. U duhet dhënë shansi vetëm atyre që janë cilësorë. E di që është vështirë, se janë të fuqishëm financiarisht, por duhet të futen në sistemin e cilësisë, jo vetëm asaj formale, por edhe substanciale.

Universitetet dhe shkollat jopublike janë rregullator i rëndësishëm i fushës së arsimit, por nuk duhet të jenë vetëm biznese. Ato që janë vetëm biznese e kanë kryer misionin e tyre – të tjerat kanë kontribuuar dhe duhet të vazhdojnë të kontribuojnë.

E di që ke punë të vështirë. Zoti të ndihmoftë, nëse nuk e do ndihmën tonë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme