Diçka për Matematikën në Kosovë

Prishtinë | 20 Kor 2017 | 15:03 | Nga Jusuf Thaçi

Këto ditë në Brazil po mbahet Olimpiada Matematike Ndërkombëtare (OMN), e 58-a me radhë, që është gara më prestigjioze dhe më e rëndësishme në botë për matematikë, apo Kampionati Botëror i Matematikës për nxënësit e shkollave të mesme, në të cilin marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e botës me nxënësit e tyre përfaqësues.

Kosova po përfaqësohet në këtë Olimpiadë nga 5 nxënës të shkëlqyeshëm (shpresoj që në mesin e tyre do të kemi medalist këtë vit).

Mediet tona e publiku ynë shumë pak e përcollën e e promovuan këtë ngjarje, thua se mendja, intelekti e matematika nuk janë fare me rëndësi për vendin e shoqërinë tonë. Po të ishte ndonjë garë ndërkombëtare që lidhet me muskuj e me lakuriqësi, do të kishim me qindra artikuj e storie nëpër media e me mijëra shkrime nga publiku për pjesëmarrësit e sukseset e përfaqësuesve të Kosovës. Dëshpëruese!

Askush nuk e ngre si shqetësim mospërkrahjen e duhur nga MASHT-i dhe nga institucionet tjera shtetërore për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës (SHMK), e cila nuk përkrahet financiarisht nga askush për organizimin e olimpiadës së matematikës në nivel vendi për përzgjedhjen e ekipit përfaqësues të Kosovës në OMN, nuk përkrahet financiarisht nga askush për trajnimin dhe përgatitjen intenzive të ekipit përfaqësues të Kosovës për në OMN. SHMK përkrahet nga institucionet shtetërore vetëm për shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të ekipit në OMN.

Kjo mospërkrahje e SHMK-së nga shteti bën që ekipi përfaqësues i Kosovës në OMN të mos arrijë rezultate meritore aq sa realisht kanë potencialë nxënësit pjesëmarrës, sepse ata nuk përzgjidhen me kohë dhe nuk trajnohen e nuk përgatiten si e sa duhet për OMN.

I vetmi që nuk ka qëndruar duarkryq dhe është munduar të përkrahë këta nxënës është Valmir B. Krasniqi, i cili me përkrahje simbolike nga Instituti ATOMI dhe me burimet e kufizuara të Garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo” që ka pasur në dispozicion ka ofruar trajnime dhe kurse përgatitore për nxënësit e ekipit përfaqësues të Kosovës në OMN, në të cilat kurse dhe trajnime, përveç vet dhe profesorëve vendorë, ka sjellë edhe profesorë ndërkombëtarë të matematikës.

Faleminderit Valmir për përkushtimin dhe punën tënde për promovimin e matematikës dhe për përkrahjen e talenteve të kësaj fushe në Kosovë!

Suksese nxënësve të ekipit përfaqësues të Kosovës në OMN-në e 58-të në Brazil 2017!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme