Duan vetëm para, udhëtime e pushime

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 18:22 | Nga

Shkruan: Ibrahim REXHEPI

Kjo është legjislatura më e dobët që ka pasur Kosova- Kuvendit i ndodhë që për shkak të mungesës së kuorumit të shtyjë votimin, që në situata kritike ata të mos ndodhen fare në vend, ndërkaq pa fije turpi kërkojnë rritje pagash dhe përfitime të tjera që burojnë nga statusi që ua dha vota

A ekziston ndonjë mekanizëm për matjen e efikasitetit të të zgjedhurve nga populli- deputetëve ? Përgjigja mund të jetë e thjeshtë: janë ligjet, vendimet, rezolutat, prania në seanca, në mbledhje të komisioneve… Por, a mund të jetë ky kriter real, duke pasur parasysh shkallën e mosrespektimit të ligjit në Kosovë dhe faktin se asnjëherë në Kuvendin e Kosovës nuk është debatuar për këtë problem. Njësoj ndodhë edhe me vendime e me rezoluta.

Është edhe një përgjigje tjetër- efikasitetin e të zgjedhurve e matë elektorati përmes votës- i ndëshkon dembelët dhe të padijshmit, ndërsa i shpërblen ata që i mbetën besnik premtimeve dhe betimit të dhënë. Pak e besueshme, posaçërisht për një vend ku vidhet vota dhe për postin e deputetit vendosë partia, apo lideri, e jo votuesi.

Sipas këtyre alternativave, deputeti në asnjë mënyrë nuk mund të ndëshkohet, prandaj mund të sillet në mënyrë të papërgjegjshme ndaj institucionit, shtetit e votës. Ky rahatllëk dhe pamundësia e ndëshkimit e bëjnë deputetin të paprekshëm, pa marrë parasysh se ai në CV-në e tij nuk mund të radhitë asnjë sukses që ka arritur në jetë, pos asaj se është i dëgjueshëm deri në servilizëm .

“Statusi” i tillë i deputetit reflekton në mënyrë direkte në gjendjen përgjithshme në vend, meqenëse atij i mungon fuqia që të kuroj llogari nga qeveria për shkak të punëve të pa bëra, apo të atyre që shkojnë keq, e as të insistoj që përmes zgjedhjeve të krijohet një realitet i ri, e me shpresë më i dobishëm. Deputetët nga partitë e koalicionit qeverisës janë të vetëdijshëm se me zgjedhje ata rrezikojnë rahatllëkun, që ndoshta dikur as që kanë mundur ta ëndërrojnë.

Papërgjegjësia e tyre u vërejt në shumë raste. Në një situatë mjaft të rëndë në të cilin ndodhet vendi, deputetët vazhdojnë pushimet e udhëtimet. Pamundësia e mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme për shkak të arrestimit të Ramush Haradinajt në Francë u arsyetua me faktin se një numër i madh i deputetëve nuk gjinden në vend- ata vazhdojnë pushimet e filluara një javë para se të përfundoj viti 2016. Do të thotë se Kryesia e Kuvendit, apo sekretaria e këtij institucioni pranojnë fatin se të zgjedhurit e popullit janë të shkapërderdhur dhe nuk mund të tubohen as për 4-5 ditë. Athua çfarë do të ndodhte sikurse vendi të ishte në një situatë më të rëndë, në ndonjë moment kritik ku fjala e deputetit dhe vendimi i Kuvendit është i domosdoshëm ?

Papërgjegjësi tjetër është edhe mungesa e shpeshtë e deputetëve në seanca plenare, apo të komisioneve, për çka ka ndodhur të shtyhet miratimi i ligjeve. Madje, kanë ndodhur edhe situata komike që kryesuesi të insistoj për votim “pasi që ende ka kuorum në sallë” !

Pas të gjitha këtyre vjen një situatë që më nuk tregon për papërgjegjësinë, por për pafytyrësinë. Tash deputetët kërkojnë edhe më shumë rahatllëk – duan më shumë para, qoftë në formë të pagës, apo si kompensim për punën shtesë që bëjnë. Atyre nuk po iu mjaftojnë gati 1.500 euro pagë mujore, 240 euro për pjesëmarrje në seanca plenare, apo mbledhje të komisioneve, si edhe 300 euro në emër të shujtës. Krejt së bashku bëjnë 2.040 euro në muaj, apo gati 25 mijë euro në vit për secilin deputet. Në total, për 120 deputetët vetëm për paga e kompensime të tjera ( pa shpenzimeve për udhëtime zyrtare) duhen afër tre milionë euro , të cilat i paguajnë tatimpaguesit kosovar.

Nëse këto shifra i krahasojmë me gjendjen në vend, del qartë pafytyrësia dhe qasja shumë egoiste që kanë deputetët rreth përfitimeve. Përfitimet mujore e një deputeti janë shtatë herë më të lartë se mesatarja e pagave në sektorin privat, si edhe pesë herë më të larta se në setorin publik.

Po ashtu, deputetët në Kosovë janë ndër më të paguarit në rajon, pasi që olegët e tyre në Mal të Zi marrin 1,200 euro në muaj, ata në Shqipëri- 1,080 euro, në Maqedoni-1,000 euuro, kurse në Serbi – 860 euro.

Ndërkaq, deputetët e pangopur të Kosovës, duket se në momentin kur bëjnë kërkesa të këtilla nuk e kanë parasysh faktin se ata janë të zgjedhur nga populli më i varfër në Evropë, ku papunësia te mosha e re arrinë deri në 60 për qind, ku shkalla e zhvillimit ekonomik nuk garanton perspektivë për gjeneratën e re dhe kjo është arsyeja kryesore pse është në rritje numri i kërkesave për azil nga të rinjtë kosovarë. Po ashtu, këtyre deputetëve duhet përkujtuar se sipas të dhënave të Bankës Botërore se GDP për kokë banori në Kosovë është afër 3,600 dollarë, apo 3.2 herë më e ulët se në Shqipëri, pastaj 4-5 herë më e ulët se në Maqedoni, Mal të Zi e në Serbi.

Prandaj, duket qartë se deputetët kosovarë, krahasuar me gjendjen në të cilën është vendi, janë të mbipaguar. Ata me pafytyrësi të skajshme po keqpërdorin postin që kanë fituar, meqenëse nuk janë të preokupuar me varfërinë e mjerimin në të cilin është elektorati i tyre, por për paga, kompensime, mëditje, pushime e udhëtime. Ndërkaq, marrë parasysh nivelin e varfërisë në vend dhe papërgjegjësinë që po tregojnë deputetët, atëherë pagat e tyre duhet të zvogëlohen, e jo të rriten.

Po ashtu, duke pasur parasysh faktin se kërkesat e këtilla janë të shpeshta, atëherë Qeveria e Kosovës duhet të ofroj një zgjidhej ligjore që pagat e deputetëve, por edhe të stafit në Presidencë, Kuvend, Kryeministri dhe nëpër ministri të lidhen me gjendjen ën të cilën është popullata, apo, së paku me mesataren e pagave në vend. Kjo do të ishte normale, meqenëse sivjet për paga e mëditje Kuvendi i Kosovës do të shpenzoj 6.3 milionë euro, prej të cilave 3.5 milionë euro janë për anëtarët e tij, ndërkaq për mbi 500 veta që punojnë në Zyrën e Presidentit, të Kryeministrit dhe të ministrave duhet paguar edhe pesë milionë euro. Në total 626 veta të akomoduar në Kuvend dhe nëpër këto zyra do të marrin afër 8.4 milionë euro, ose sa 2.333 paga mesatare vjetore në ekonomi.

Vërtetë raportet e këtilla më nuk janë anomali, por absurd.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme