Edi Rama, tatime si të perandorit romak

Prishtinë | 29 Mar 2018 | 16:49 | Nga Agim Popoci

Në Shqipërinë e varfër të Partneritetit Publik Privat dhe taksave nga më të ndryshmet, thirrjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për ta shmangur “këtë lloj zhvillimi” vetëm sa shtuan edhe më shumë bindjet e kryeministrit Edi Rama, se është në rrugën e drejtë.

“Pse”-të janë  të shumta, dhe nuk kanë të bëjnë me raportin që Edi Rama ka me ndërkombëtarët por me të gjithë ata që marrin guximin dhe kundërshtojnë idenë e rilindasit të parë shqiptar.

Ekspertë të shumë të ekonomisë u munduan ta zbërthejnë këtë formulë ekonomike të qeverisjes, por në historinë e taksave nga më të ndryshmet, nuk arrijmë të gjejmë modelin e rimbëkëmbjes ekonomike duke falur gjithçka shtetërore vetëm pse gropën “na e paska bërë Saliu” dhe taksuar gjithçka qytetare vetëm pse “kështu e ka gjithë bota”.

Kur mbledhjes së taksës i shtojmë shpërndarjen kaotike dhe megalomane të kryeministrit Edi Rama, modelin e gjejmë vetëm tek romakët aty ku perandori Vespasianus nuk e kishte Saliun por Neronin, dhe me mbushjen e arkës së shtetit, ngjashëm si Edi Rama, duke rrjepur njerëzit, kokë në vete la projektin në qendër të qytetit për të cilën do të flitet shekuj me radhë. Dhe në fund, pse jo, u bind se është edhe Zoti.

Taksat e çmendura

Kur shpiku PPP-të tha se janë kudo në botë, kur filloi të nxjerr menynë e tatimeve që do të zbatohen nga qeveria e cila tashmë i kishte hipur tepsisë, sërish u hakërrye me fatura uji e burgu. Tatimet ishin të ulëta, dhe u desh një spunto nga Lali Eri dhe Arben Ahmeti për t’i thënë shqiptarëve se sa jetë të patatueshme që jetoni. E për ata që morën guximin të kritikojnë këto fatura e tatime të çuditshme, përgjigja ishte universale: Kudo në botë paguhet tatimi!

A kishte kjo botë fatura dhe tatime të çuditshme?! Natyrisht që kishte por tatimi vlente për gjërat që ekzistojnë qofshin ato edhe të jashtëzakonshme. Madje ia vlen edhe të përmenden.

Historia e tatimeve njeh periudhën 1695-1706 kur në Angli “beqarët ishin të detyruar të paguajnë tatim”. Për pjesën fisnike ky tatim ishte 20 shiling ndërsa për të tjerët 1 shiling. Këtë ide e përdori edhe Benito Mussolini gjatë Italisë fashiste ku beqarët paguanin një tatim jo aq të papërfillshëm.

Në shekullin XIV, në Spanjë, të ashtuquajturat “të veja të lumtura”, gra të cilat pas vdekjes së burrit dëshironin të martoheshin sa më shpejtë, duke mos dashur të mbajnë zi për shumë kohë, duhej të paguanin tatim të madh. Por për dashuri ose burrë të pasur, kryesisht nuk u dhimbsej paraja.

Prusianët kanë paguar tatim të madh nëse kanë dashur të mbajnë çizme. Gjatë kohës së sundimit të Petrit të Madh, meshkujve u është dashur të paguajnë “tatim për mjekër”. Perandori rus acarohej nga zakoni rus për mbajtjen e mjekrave të gjata dhe kishte dëshirë që edhe rusët të kenë pamje të mirë të perëndimorëve pa mjekër.

Edhe në Venecia kanë paguar tatim për qime, por të llojit tjetër. Në fakt, në shekullin XV në Venecia për çdo “paruke në kokë paguhej tatim i veçantë”. Edhe pse vetë paruket  ishin të shtrenjta  edhe ky tatim ishte i madh, të pasurve që mbanin këto paruke, nuk e kishin të vështirë të paguanin për këtë fantazi. Gjithçka për bukuri!

Në Francë, kumari konsiderohej mëkat i madh në mesjetë. Që të parandalojnë këtë ves, për blerjen e kartave për lojë paguhej tatim i madh.

Mbretit francez Louis XV, këshilltari financiar i ka propozuar që ta vendos “tatimin në inteligjencë”, sepse këtë tatim do ta paguanin të gjithë. Askush nuk do të thoshte se është i trashë dhe nuk duhet të paguaj tatim. Kardinali dhe shtetari francez Richelie i pari e ka kuptuar se nga qejfi për pirje të duhanit mund të përfitohet shumë, dhe propozoi “tatim në duhanin e importuar në Francë”. Dhe nuk gaboi. Sipas të dhënave nga viti 1932 në Gjermani janë pirë 5.5 miliardë paketa cigare, 32 miliardë cigare, janë përtypur 176 milionë paketa cigare. Është shpenzuar 1.819 ton duhan për thithje. Shteti në atë vit ka mbledhur tatim më shumë se 900 milionë marka (nga tatimi për sheqer këtë vit është mbledhur 285 milionë marka, e nga birra 261 milionë). Edhe sot shumica e buxhetit shtetëror mbushet nga duhani dhe prodhimet e duhanit).

Në kohën antike, pushteti kujdesej që tatimet të jenë në harmoni me pasurinë e atyre që paguajnë. Njerëzit e pasur kanë paguar më shumë, e të varfrit më pak. Në mesjetë gjërat ndryshuan. Pushtetarët i paguanin tatim gjithkujt dhe gjithkund, madje edhe atje ku nuk kishte, sepse pushtet mbajtësve  u duhej paraja që të luftojnë dhe të pushtojnë. U shpikën tatime të reja: për qenë, dele, grurë…

Tatimet më të tmerrshme i shpikën turqit, të cilët për plotë dy shekuj (XV-XVII) paguan “tatim për gjak”. Fëmijët janë marrë për tu thyer shumë vite më pas, por si pushtues turq. Përveç kësaj, turqit kishin edhe tatim për të krishterët, në të gjitha ato vende që pushtonin, vetëm pse ishin të krishterë.

Ludwig of Bavaria (1314 – 1347) shpiku “tatim racist”. Fëmija hebre sapo mbushte 12 vjeç, duhej të paguante tatim prej një floriri.

Italianët nga fundi i shekullit XIX duhej të paguanin “tatim për ngasjen e biçikletës” 10 lira, për siç thuhej, mirëmbajtjen e rrugëve të cilën biçiklistët “e shkatërronin”.

Në fillim të shekullit XIX në Angli paguhej “tatim i posaçëm për dritare”. Sa më shumë që kishte pronari i shtëpisë dritare, tatimi ishte më i madh.

Në këtë kohë në Poloni pronarët e shtëpisë paguanin “tatim në bazë të numrit të oxhaqeve”.

Ndërkohë që edhe në këtë pjesë të Evropës ku jemi ne është paguar tatimi për para, punë, verë, djathë, lëkurë, shërbim ushtarak, kalimin e urës, rrugës…

Luftëtarët kroat që ruanin kufirin austro-hungarez me atë turk, në shekullin XVIII duhet të paguanin “tatimin e harabelave”. Në fakt, meqë harabelat kërcënonin kulturat bujqësore, çdo shtëpi duhej të vriste 300 harabela.

Non olet

Romakët e vjetër ishin ekspertë të vërtetë për tatime dhe dogana të jashtëzakonshme. Me qëllim që ta forcoj shtetin romak dhe ti kthej lavdinë e vjetër, perandori romak Vespasianus futi tatim në gjithçka. Ndër të tjera, qytetarët e Romës është dashur të paguajnë tatim për WC publike. Kur djali i Vespasianus e kritikoi të atin për këtë vendim, perandori mori një grusht me flori të fituara me këtë tatim dhe i futi djalit nën hundë. Titus në atë moment tha: “Non olet” (lexo shqip: Nuk mban erë të keqe).

Në kujtim të kësaj ngjarje në Francë edhe sot WC-të publike i quajnë “la Vespasiennes”.

Romakët tatimin ishin të detyruar ta paguanin, në mënyrë që ushtria romake të mos i vërë nën kontroll shpejtë dhe ashpër, por ngadalë.

Rilindasi ynë nuk është se ka kohë të merret me histori, por WC-të publike i ka studiuar mirë si emigrant në Paris. Këtë e ka dëshmuar me ardhjen e tij në fron si në ministri, bashki dhe qeveri. Në veçanti kjo e fundit i dha hapësirë për zbrazjen e gjithë mllefit që kishte akumuluar me enveristë  dhe demokratë, për të treguar se si bëhet shteti.

Meqë të gjithë e kishin harruar kryebashkiakun e çmendur me sopatë në dorë, që vendoste rend dhe ligj për të zbatuar një projekt të rrugës i cili po zvarritej nga korporata energjetike, ai tashmë po futet me sopat në dorë në shtëpitë e tyre. Arka është bosh, e ka zbrazur Saliu!

Meqë nuk kishte WC publike por njerëz që nuk paguajnë drita, bëri një ofertë publike, burg, ndërkohë për spitalet dhe laboratorët private mike që po u zbrazej buxheti, edhe pse dorë nuk kishte Saliu, u shpikën PPP me check-up  dhe dializë. I erdhi koha edhe ujit, e atyre që nuk paguajnë, u mjaftoi vetëm një hakërrimë pa e përmendur burgun, që si fotomarganë  t’u shfaqej e bashkangjitur me faturën e ujit. Radhë pa fund të njerëzve që dikur ishin të irrituar me faturinon e ujit, dhe sot i buzëqeshën njeriut me sopat që po ju fut duart në xhep.

WC publike nuk ka ama parkingje publike pa fund. Filloi me projekte pilot në vend, ku kishte kryer testimin për shumë gjëra absurde. Parking me pagesë në Fier dhe Vlorë. Fillimisht ishte rrëmujë, nuk kishe se ku ta parkoje makinën, ecje me kilometra sepse parkingjet e shpikura nga Perandori rozë që i vijëzon ato me ngjyrë blu ishin serioze. Rrjeti i merimangës u ngrit, dhe komod ishin vetëm ata që kishin parkingje para pallateve. I erdhi fjala në vesh, se ata janë rehat. Brofi në këmbë Perandori, si është e mundur që të ketë njerëz rehat. Taksë parkingu edhe para shtëpisë, pallatit, dyqanit… U krijua një rrëmujë e madhe, por aty ishte Lali Eri. Filloi nga Tirana që me ndihmën e LSI-së ta luaj edhe humanin, dhe nga 40 ta ul çmimin në 20 lekë/orë për rezidentët. Karta e rezidentit ishte kallauzi i gjithë kësaj maskarade për të gjithë ata që për taksiratë kanë makinë.

Uji u taksua, ajri me vakt dhe me kohë me pipin tek koalidimi, toka para pallateve dhe apartamenteve u zgjidhë, po çfarë të bëhet brenda tyre, ku tatimi që vjelët është mizerabël. “Populli nuk qetësohet pa polici, policia nuk qetësohet pa rroga, e rrogat pa tatime,” i kishte thënë Sajme qorri. Nuk po e harronte për kiamet  këtë thënie të bukur, por kur e zbuloi se nuk ishte thënie nga koka e tij e studiuar në Itali, por nga njëri prej historianëve më të njohur të Romës së lashtë, Taçit, u mërzitë shumë. Sidoqoftë lekat duhen!

Sërish Lali Eri dhe performanca e trashë e Arben Ahmetajt. Tatimi në pronë thotë Perandori është e vogël, e rrisim e teleisim dhe sërish për ata që nuk paguajnë, fatura e uji dhe më pas burgu. Por Perandorit dikush edhe i pëshpëritë, jo si rasti i këshilltarit financiar të mbretit francez Louis XV, por servil rilindas që kurrë në jetë nuk kanë paguar as vetë tatimin dhe bëjnë shkencën e tatimeve. Në fillim i bëjnë me dije Perandorit se ka shumë shtëpi të palegalizuara, por ai nuk ndalon punën, urdhëron të bëjnë ligjin e për absurditetet në Ligj ka arkitektin e kangjellave me shpatën origjinale të Skenderbeut, Artan Lame.

Dhe, fal Lamçes së pronave, meqë është i domosdoshëm, shpiket një metodë fenomenale e të mbledhurit të tatimit në pronë. Për ta rritur nuk pyeti njeri, ama me Ligjin e ri për tatim në pronë shpiku dhe një tatim të padëgjuar më parë. Pra, kishim tatim të çmendur për beqar, ama kishte beqar. Kishte tatim për mjekër ama tatoheshin vetëm ata që kishin mjekër. Edhe harabeli ishte çështje shtetërore e tatimit, por kishte harabela….Por që të paguash tatim për pronën e cila nuk është e jotja, “por është në proces”, ky me siguri se do të jetë njëri ndër tatimet që nuk do të aplikohet ndonjëherë në botë. Madje edhe në atë botën nga vjen kryeministri.

Flavius Vespasianus, më vonë Caesar Vespasianus Augustus, perandori romak i cili ka sunduar i fundit në Vitin e katër perandorëve (periudha e luftës qytetare e cila në Pernadorinë Romake u zhvillua në vitin 69 e.r. pas vetëvrasjes së Neronit, ku ishin katër pretendent) nuk njihet vetëm pse mbushi arkën shtetërore të cilën e kishte boshatisur Neroni,  por edhe për disa gjëra që sot i quajnë të mëdha dhe që ndërlidhen me rilindasin tonë të madh, i cili i rriti mirëqenien vetëm oborrit të tij pushtues.

Vespasianus i dha të drejtën qytetare latine banorëve të Hispanisë, e cila ishte një e drejtë që edhe u takonte por që me takëmën romake e drejta për të jetuar, për ca njerëz, mund të quhej edhe e drejtë e dhuruar nga perandori, kohë kur kishte shumë prej tyre që e kishin të mohuar. Kjo ndodhi edhe sot, ashtu siç u dha Edi Rama të drejtën e qytetarëve shqiptarë që të mbjellin drogë nëse dëshirojnë të mbijetojnë, dhe nuk duhet të jenë nga Lazarati. Nuk është se vuajtën shumë njerëz përveç se atyre fakirave që votojnë Saliun!

E për ata që mbjellin dhe korrin me sukses këtë kulturë rilindase, investimi në pronë ishte rruga e vetme e zgjidhjes së hallit të madh të shumë parave. Shumë pronë, pak takime sikur nuk shkonte. Perandori nuk kishte të bënte me antiken, që tatimet të jenë në harmoni me pasurinë e atyre që paguajnë. Të blejnë po, të mbyllen sytë edhe për prejardhjen e këtyre parave, ama tatimi duhet paguar. Jo si në periudhën antike ku njerëzit e pasur paguan më shumë, e të varfrit më pak. Kur në mesjetë gjërat ndryshuan pse mos të ndryshojnë edhe sot. Në mesjetë pushtetmbajtësve  u duhej paraja që të pushtojnë, por kjo duhet edhe sot pavarësisht se kemi OSBE-ODIHR-in nëpër këmbë . Këtë fakt rastësisht i pëshpëritën në veshë edhe Perandorit tonë i cili nga Vërmoshi në Konispol, nuk gjeti arsye që nga viti 2013 që të mos e tatoj këtë pronë që blihet, me 15 për qind.

Lajme të mira filluan të vijnë jo vetëm nga tatimet e doganat, por edhe nga ca rrugë të Saliut. Filloi nga Rruga e Kombit, atë që nuk po e duronte dot, në çdo rrugë që shkonte për ta vizituar Batonin. Ofertat e përfolura prej 2-3 eurove nuk e ngrohën, Qetin e kishte edhe mik, si do bënte ai me kusuret. Vendosi Perandori, 5 euro, kosovarët kanë lekë, Kukësi, Hasi e Tropoja shyqyr që nuk kanë e vijnë më pak në Tiranë.

Arkën e mbushi plotë ashtu si edhe xhepat, plani francez dhe belg që ai po i realizonte nuk i kishin lënë gjurmë fame që kishte projektuar, thirri Lali Erin urgjent se ç’kishte Vespasianus që ai nuk e kishte. Lali si Lali, i kujtoi Teatrin Kombëtar. “Po, do ta bëjë,” tha Perandori, “me brekë e me kulla, por do ta bëjë!”

Të gjithë aktorët u rebeluan, të gjithë i heshti Lali Eri. Tani Perandori ra në qetësi, kulla dhe beton gjithandej, Sheshin Skënderbej nuk e prek më njeri se Saliu iku, ja dhe Teatri u vulos, dhe sërish u kujtua për modelin e tij romak Caesar Vespasianus Augustus.

“Ka diçka që nuk kam bërë si ai. Ai para vdekjes deklaroi se po ndjenë sikur u bë zoti, sepse shpresonte në shpalljen romake të perandorëve pas vdekjes në Zot. Këtë do të zgjidhë më mirë tani se kurrë, kush e pret vdekjen “ vendosi Perandori Edi Rama, mori celularin, me bulëzën e gishtit të mesëm shtypi kontaktin e parë që ka të listuar:

“Taulant eja shpejt…”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme