Ekonomia nën një perspektivë politike

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 16:44 | Nga Teuta Nunaj

Ishte “bukur” kur dëgjoje në fushatën elektorale se ekonomia do të zhvillohej kështu e ashtu; se do të uleshin taksat e tatimet kaq e aq; se do të hapeshin shumë vende të reja pune; se mirëqenia do të rritej, ndaj varfërisë do t’i thonim të ikte tutje… Por, ndeshja në ring mbaroi, drejtuesit politikë shpalosën idetë e mbledhura në kornizën e quajtur program, ku në qendër tentohej të bindnin se vetëm zbatimi i programit të tyre do e zhvillonte ekonominë e brishtë në Shqipëri.

Por, gjuha shkon ku dhemb dhëmbi dhe problemi i madh në ekonominë shqiptare mbetet papunësia. Në një treg ku sipas INSTAT në fund të vitit 2016, 15.2% e popullsisë mbi 15 vjeç ishte e papunë, që e përkthyer në shifra do të thotë rreth 375 mijë të papunë, deklarata e fituesve në fushatë se do të hapnin 220 mijë vende të reja pune nëse do të fitonin, të duket më shumë se optimiste. Por, votat në zgjedhjet parlamentare e përcaktuan si detyrim mbajtjen e këtij premtimi, që mbetet elektoral.

Skepticizmi nuk shmanget në këtë premtim numerik, pasi premtimi pa mbështetje analitike mbetet më shumë një premtim politik se ekonomik. Shmangia për një kohë të gjatë e hartimit të një strategjie zhvillimi për ekonominë shqiptare; lënia në hije e profesionistëve të fushës; mungesave e raporteve monitoruese dhe vlerësuese për ecurinë dhe zbatimin e politikave publike në ekonomi, vonon gjithnjë e më shumë zhvillimin e ekonomisë në mënyrë të integruar dhe e lë atë pre të zhvillimeve sporadike, pa plan dhe vizion ekonomik.

Që premtimi elektoral dhe politik për hapjen e mijëra vendeve të punës të ketë bazë për realizim, është e nevojshme më parë përgjigjja e këtyre pyetjeve: (i) Sa kushton sot të hapësh një vend të ri pune në Shqipëri? (ii) Ku do të gjenden paratë që të hapen këto vende të reja pune? (iii) Mbi cilët faktorë do të mbështetet politika e ardhshme ekonomike, që do të nxisë investimet e brendshme dhe të jashtme për hapjen e vendeve të reja të punës? (iv) Cilat janë avantazhet konkurruese dhe fituese me të cilat Shqipëria do të jetë fillimisht në gjendje të konkurrojë në rajon e më tej në tregun europian e atë global? (v) Si do të jetë e lidhur politika ekonomike me atë arsimore? Përgjigjja e këtyre pyetjeve kërkon analizë serioze, profesionale dhe shkencore. Por, përtej retorikave dhe premtimeve elektorale këto analiza mungojnë.

Asnjë nga forcat politike pretenduese të pushtetit nuk ka shpalosur një studim të tregut për nevojat që ai ka për profesionistë, për të arsimuar apo individë të punës. Në një kohë kur në Shqipëri ende nuk ka investime të huaja direkte nga korporata të mëdha (përjashtim TAP-i), që të gjenerojnë hapje vende të reja pune; kur eksporti shqiptar vijon të mbështetet te tekstilet e këpucët dhe te mineralet e papërpunuara, zëra të cilat sipas INSTAT zënë 61.1% të eksporteve për periudhën janar–maj 2017, gjë e cila sjell të ardhura të ulëta për të investuar; kur miliona euro nga fitimet e bankave të nivelit të dytë të realizuara gjatë aktivitetit në Shqipëri, janë transferuar në bankat mëmë të origjinës, para të cilat nuk investohen në Shqipëri; kur prodhimi vendës bujqësor nuk plotëson ende kërkesat e tregut vendës dhe importi i tyre është zëri më i lartë për periudhën janar–maj 2017, ku sipas INSTAT zëri “Ushqime, pije, duhan” zë 17% të importeve, ndërkohë që bujqësia është punëdhënësi më i madh në Shqipëri; kur kompanitë shqiptare po sipas INSTAT, me më shumë se 50 punonjës zënë vetëm 1% të të gjitha ndërmarrjeve aktive në fund të vitit 2016; kur të ardhurat vjetore kanë luhatshmëri; kur shpenzimet publike kanë rënë; dhe kur tatimet parashikohet të ulen, por ndërkohë që nuk deklarohet sa është vlera reale e këtyre uljeve dhe se si këto të hyra publike që nuk do të merren më, çfarë ndikimi do të kenë në buxhetin e shtetit dhe si do të zëvendësohen këto të ardhura që do të mungojnë; ndaj, kur lexon këtë panoramë të situatës ekonomike në vend nuk të mbetet më optimizëm, mosbesimi të rritet dhe pyetja: ku dhe si do të hapen 220 mijë vende të reja pune, mbetet ende pa përgjigje.

Ekonomia është dhe do të mbetet thembra e Akilit në zhvillimin e Shqipërisë. Shqipëria është dobët në teknologji, teknikë dhe zhvillim infrastrukturor; ka një turizëm të bazuar te dy standardet; krahu i lirë i punës vijon të mbetet ende avantazhi konkurrues i ekonomisë shqiptare; punonjësit arsimohen, por nuk profesionalizohen; ende edhe sot vendimet ekonomike i marrin politikanët jo ekonomistë dhe vendimet politike i marrin biznesmenët; ndaj mundësitë që të kemi së afërmi zhvillim të ekonomisë në masën që do të sjellë ndikim në mirëqenien e punonjësve dhe se 220 mijë shqiptarë do të punësohen, mbeten ende në kuadër të dëshirës. Pa një ekonomi të zhvilluar nuk ka pavarësi politike, nuk ka votë të lirë, nuk ka zbatim të rregullave demokratike, nuk ka administratë publike profesionale dhe nuk ka integrim politik, ekonomik dhe social në BE.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme