Ekspertët “ndeshen” për deuroizimin

Prishtinë | 08 Shk 2018 | 21:14 | Nga Sabina Veizaj

Ndërsa Banka e Shqipërisë tashmë do të nisë procesin për të vënë në jetë masat për uljen e përdorimit të monedhës euro në ekonominë e vendit dhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare do të kontribuojë në këtë proces në kuadrin e transparencës, ekspertët e ekonomisë kanë hedhur në fushëbetejë mendimet e tyre në këtë situatë të re ekonomiko-financiare.

Eksperti Zef Preçi pozicionohet kundër vendimit të Bankës Qëndrore për deuroizimin e ekonomisë.

Ai shkon edhe më tej duke marrë parasysh se monedha europiane euro përdoret  në më shumë se 50 % të transaksioneve financiare. Sipas tij, vendi ynë ka mundësi të zëvendësojë Lekun shqiptar me Euron. Por Preçi thekson për Ekonomix.al, që për të hedhur këtë hap drejt euroizimit, nevojitet një strategji e detajuar dhe e mirëmenduar me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara vendase dhe një mbikëqyrje të rreptë nga ana e institucioneve monetare europiane dhe FMN-ja.

Kurse dy ekspertët e tjerë, Adrian Civici dhe Elvin Meka mbështesin BSH në nismën e saj dhe sqarojnë se ky proces nuk është luftë kundër euros, por mbrojtje ndaj qytetarëve dhe transmetim i mirë i politikës monetare në ekonomi.

“Arsyeja pse po ndërmerret ulja e përdorimit të euros në ekonomi ka disa faktorë; statistikat kanë treguar se 1 mld euro në vit kanë ardhur nga emigracioni, 65-70 % e volumit tregtar kryhet në monedhën europiane, sektori që kontribuon me më shumë të ardhura në ekonomi, turizmi shënon 90 % të të ardhurave në valutën euro. Ekonomia shqiptare ka një nivel euroizimi 50 %. Gjendur përballë kësaj situate BSH ka ndërmarrë procesin e deuroizimit për të mirëtransmetuar politikën monetare në ekonomi dhe për të mbrojtur klientët nga luhatjet e thella të kursit të këmbimit, pasi volumi më i madh i kredive të marra është në euro, ndërkohë që rrogat rezultojnë në monedhën vendase, lek”- shpjegon Adrian Civici.

Për Elvin Mekën, ndërmarrja dhe zbatimi i masave në momentet aktuale gjykohet si i përshtatshëm, nisur nga fakti se tashmë ja kemi arritur të sigurojmë dhe të mbajmë një mjedis të qëndrueshëm makroekonomik dhe inflacion të ulët, falë politikave të vendosura dhe efektive të Bankës së Shqipërisë.  Sipas tij, që de-eurioizimi të ketë rezultate pozitive duhet që këto arritje të plotësohen në vijim dhe me konvertimin e deficitit fiskal në suficit dhe zhvillimin e thellimin e tregut kombëtar të kapitaleve (letrave me vlerë).

“Nuk do te ketë asnjë lloj përpjekje për të ndaluar drastikisht përdorimin e Euros në ekonomi dhe sistemin financiar shqiptar. Ajo që synohet është një baraspeshë e përdorimit të monedhës shqiptare dhe atyre të huaja në ekonomi. Për sa i përket biznesit duhet të jetë e qartë që nuk do ketë masa admnistrative që banakt mund të vendosin  mbi bizmesin, por janë masa me kararakter rregullativ, që synojnë nxitjen e një përdorimi më të madh të monedhës vendase në ekonomi dhe sistemin financiar, si në kreditim ashtu dhe në depozitim”- thotë Meka për Ekonomix.al.

Për ekspertët Civici dhe Meka masat e BSH-së nuk do të ndikojnë absolutisht në mënyrë negative në lidhje me procesin e integrimit europian të vendit në BE.Sipas tyre, procesi i integrimit europian të Shqipërisë do të jetë relativisht i gjatë dhe hyrja në zonën Euro do të kërkojë edhe më shumë kohë sesa hyrja në BE. Prandaj, duke ndarë të njëjtin mendim, ekspertët shprehen se de-euroizimi nuk pengon aspak proceset integruese, ose t’i kushtëzojë  ato.

Sipas Mekës, më shumë sesa de-euroizimi, proceset integruese do të varen nga një sërë reformash strukturore që do të duhet të ndërmerren në ekonomië shqiptare, që do t’i mundësojnë asaj këtë një integrim të suksesshëm. “Shqipëria ka nevojë të ndërtojë një ekonomi të fortë, të qëndrueshme, të aftë të përballojë dhe menaxhojë me sukses rreziqet dhe goditjet që vijnë nga këto rreziqe, siç janë rreziku i kursit të këmbimit dhe i likuiditetit dhe besueshmërisë”- shprehet Meka për Ekonomix.al.

Ndërsa eksperti Zef Preçi duke e kundërshtuar kategorikisht deuroizimin sqaron se  “nxitimi në futjen e Euros në vend të Lekut shqiptar do t’i shërbejë padyshim edhe zbutjes apo amortizimit të rrezikut nga goditjet që duken në horizont nga politikat e pakujdesshme të qeverisë, sidomos në drejtim të rritjes agresive borxhit publik, të përfshirjes kërcënuese të sektorit privat në investimet në infrastrukturën publike, deri edhe në ekspozimin e dukshëm të ekonomisë kombëtare ndaj pastrimit të parave, me burim veprimtaritë kriminale siç është kultivimi, përpunimi, tregtimi dhe eksportimi i marijuanës dhe drogave të tjera të forta. Kjo nuk e përjashton as efektin e kundërt, siç është rasti i PIIGS , d.m.th. vendeve mesdhetare që adoptuan Euron dhe që ishin thelbi i krizës së Eurozonës në 2011-12, tregoi se ulja e normave të interesit mbi borxhin publik vetëm sa i kishte nxitur qeveritë të merrnin borxh më të madh publik. Në mënyrë që të mos përsëritet ky fenomen, mendoj se duke adaptuar në mënyrë të njëanshme Euron krijohet një terren i favorshëm për më shumë transparencë në borxhin publik dhe një rol më të madh të Bankës Qendrore Europiane në këtë drejtim. Gjithashtu mendoj se futja e Euros do të ndihmojë për të frenuar PPP-të e rrezikshme sidomos në të ardhmen dhe deri-diku edhe për mbrojtur ekonominë kombëtare nga fenomeni evident dhe kërcënues i pastrimit të parave.”

Të ngjashme