Evropa ime: Rrugës drejt EUtopisë

Prishtinë | 29 Tet 2016 | 09:41 | Nga

EUtopia: Termi vjen nga greqishtja dhe do të thotë “vend i mirë”. Stanisław Strasburger ëndërron për një Evropë të qeverisur mirë, pa kufij por me lidhje të forta rajonale.

Aeroporti i Frankfurtit në fillim të viteve ’80. Ne mbërrijmë nga Varshava: nëna, motra ime katërvjeçare dhe unë. Në muzg shoh nga dritarja ndërtesën e terminalit. Babai ka ardhur disa muaj më parë me një bursë në Bielefeld. Së shpejti do të jemi përsëri së bashku! “Mami?” Pyes me zë të shqetësuar. Unë s’i kam mbushur ende tetë vjeç. “A do të na qëllojnë me armë gjermanët?” Megjithëse e dija se babai ishte duke na pritur, më kapi frika.

Nga buronte kjo frikë? Ajo e kishte origjinën në atë që sot e quajnë “gjuha e urrejtjes” dhe tek emisionet televizive për fëmijë apo sistemi arsimor i instrumentalizuar në Republikën Popullore të Polonisë. Ndikimi destruktiv i sistemit politik e zbehte të vërtetën, unë e dija që – në fund të fundit, askush nuk e kishte qëlluar babain tim! Ideja shtypëse se sa i madh është dëmi që mund të shkaktojë gjuha e helmuar e medias dhe elitat në pushtet më shoqërojnë edhe sot e kësaj dite.

Gëzimi i bashkimit

Unë i përkas atij brezi të evropianëve që lindën dhe u rritën pas Perdes së Hekurt (pas gati dy vjetësh ne u kthyem nga Bielefeldi në Varshavë). Por unë pata fatin që hyra në moshën madhore, kur perdja ra duke shkaktuar një valë entuziazmi mbi kontinentin që po bashkohej.

Ç’Evropë ishte ajo? Nga njëra anë një Evropë pa kufij. Edhe në fund të vitit 1989 pati njerëz që u vranë në përpjekje për të kaluar nga Berlini Lindor në Perëndim. Megjithatë, pak më vonë, kur fillova studimet, unë fillova të udhëtoja nëpër Evropë duke u ngritur dorën makinave: nga Slubicja, në kufirin polako-gjerman deri në Malagan andaluziane në Detin Mesdhe. Entuziazmi i lirisë dhe ndjenja e të qenit qytetar evropian, është një nga përvojat e mia kryesore. Është për të ardhur keq që termi “qytetar i Evropës” sot tingëllon si një frazë e rëndomtë dhe nuk është ekuivalente e “ëndrrës magjike amerikane”.

Nga ana tjetër, një Evropë pa kufij nuk ishte për mua një Evropë e shteteve kombe, por e rajoneve. Nga udhëtimet e mia studentore më kujtohet ndjenja që mund të qëndroja pothuajse kudo në çdo vend të kontinentit, të studioja aty apo edhe të jetoja. Vendlindja ime ishte bërë përfundimisht pjesë e një bote mundësish të mëdha.

A nuk ishte pikërisht kjo edhe ideja? Nëse dikush ka lindur në Jutlandën me re, por do diellin, atëherë ai mund të vendoset pa pengesa në Sicili. Elitat evropiane donin të mundësonin që një zhvendosje e tillë të ishte po aq e lehtë sa edhe nga Frankfurti në Berlin!

Drejt EUtopisë

Gjatë një leximi në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Berlin u shpreha për EUtopinë. Termi vjen nga greqishtja dhe do të thotë “vend i mirë”. EUtopia është menduar si një projekt real, në krahasim me utopinë, pra një “vend që nuk ekziston”. Papritmas nga publiku u ngrit një grua e moshuar dhe elegante dhe tha: Si mund të funksionojë kjo, ju lutem? Politikanët në fund të fundit nuk drejtohen nga ëndrrat tona!

Po, pse jo? A nuk i zgjedhim ne ata pikërisht për këtë?

EUtopia është një hapësirë mundësish të barabarta, që përfshin të gjithë kontinentin. Ajo është një vend ku kujtesa historike lokale dhe lidhjet e forta rajonale – me gjuhën, zakonet, madje edhe me ushqimin dhe klimën – plotësohen nga një Evropë e mirëqeverisur. Kështu ajo bëhet një aktor global që vepron në nivel politik, ekonomik dhe – mirë a keq – edhe ushtarak. Nëse e shohim të vërtetën në sy të krijohet gjithnjë e më tepër përshtypja se qeveritë e shteteve kombëtare nuk bëjnë më tepër se sa lënë më të dobtit që të paguajnë për gabimet që bëjnë ata që janë tepër të fortë për t’u nxjerrë përpara përgjegjësisë. Për të mos folur pastaj që ata nuk i realizojnë ëndrrat tona. Pra ka ardhur koha që ata t’i flakim në koshin e plehrave!

Si do të shkojë më tej?

Përvojat e mia të fëmijërisë nga Bielefeldi kanë edhe një vazhdim. Kur unë desha të thosha diçka me njohuritë e mia të pakta të gjermanishtes, mësuesja më lejonte të fusja ndërmjet disa fjalë apo fjali në polonisht. Dhe ato i përkthente për të tjerët një djalë me origjinë polake që ishe me mua në klasë.

Në këtë mënyrë mësuesja e mençur më ndihmoi jo vetëm mua që të mposhtja frikën. Por ajo u mësoi edhe fëmijëve të tjerë, që njohuritë e gjuhëve të huaja janë një gjë e çmuar dhe jo shkak për turp apo tallje. Mua më doli shumë shpejt frika.

Shumëgjuhësia si një kompetencë kulturore dhe ripërtëritja e gjuhës politike – këto janë themelet e EUtopisë. Sot debati publik po dominohet gjithnjë e më shumë nga gjuha e populistëve nacionalistë. Barazia para ligjit, demokracia përfaqësuese, paqja, pjesëmarrja dhe liria e lëvizjes (në të gjithë kontinentin!), këto janë parimet e sistemit më të mirë politik që kemi menduar deri tani. Mos t’ua lëmë atë populistëve! Le t’i hyjmë më mirë rrugës sonë – drejt EUtopisë.

Stanisław Strasburger është lindur në Varshavë. Ai është shkrimtar dhe manaxher kulture. Temat e tij kryesore janë kujtesa kolektive, migrimi dhe multikulturaliteti. Ai jeton në Berlin, Varshavë dhe Bejrut.

Autor: Stanislaw Strasburger

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme