Femrat deçanase nuk kanë nevojë për lëmoshë, por marrje të përgjegjësive

Deçan | 08 Mar 2017 | 22:21 | Nga Adem Lushaj

Nëpër të gjitha periudhat e historisë sonë kombëtare, femrat çdoherë ishin përkrahë gjinisë së kundërt, përkrah burrave dhe vëllezërve të tyre, qoftë me penë, shpatë apo pushkë. Nënat shqiptare ishin dhe mbesin krenaria e kombit, të cilat pos që lindën dhe rritën bijë dhe bija me të cilët krenohet historia jonë, ato ishin pjesë aktive e gjitha zhvillimeve për liri dhe pavarësi. Një kontribut të tillë kanë dhënë dhe po japin, edhe nënat dhe motrat deçanase. Edhe në luftën e fundit për liri dhe pavarësi të Kosovës, (1998-99), nuk ishin të pakta ato femra deçanase që kishin rrok armët dhe mësy fronte e luftës, duke mos pasur trembje nga plumbi i armikut.

Kontributi i tyre nuk ishte vetëm në rrokje të armëve për ta mbrojtur vendin e vet, por ishin ato që me duart e tyre, kishin ushqyer dhe kujdesur për dhjetëra mijëra ushtar, anekënd Kosovës.

Përkundër gjitha angazhimeve dhe vlerave të tyre, gjinia femërore në Deçan, nuk vlerësohet në nivelin e merituar, qoftë me dhënie të përgjegjësive në procese vendimmarrëse apo ekzekutive, po ashtu edhe në shënimin e ngjarjeve të ndryshme historike kombëtare, ku meritat e tyre anashkalohen apo vlerësohen në nivelin jo të duhur.

Një nga anashkalimet e kësaj gjinie është edhe çështja e marrjes së statusit të veteranit të luftës apo pjesëmarrjes në luftën për çlirim dhe pavarësim të Kosovës, ku një numër i vogël i tyre është në listën e e marrjes së këtij statusi.
Po ashtu, anashkalimi i tyre bëhet edhe në emërimet që bëhen në pozita të rëndësishme vendimmarrëse dhe menaxhuese, ku mund të numërohen me gishtërinj numri i tyre në pozita të rëndësishme qeveritare. Përfaqësimi i gjinisë femërore në institucionin komunal të vendimmarrjes, është sipas kuotës gjinore të garantuar me Ligj.

Ndërsa, përfaqësimi i tyre në organet tjera, është për keqardhje kur dihet se kjo komunë ka veç një femër në pozitën e drejtoreshës së një Drejtorie Komunale. Po ashtu, edhe në pozitat e rëndësishme vendimmarrëse numri i përfaqësimit është i vogël, duke pas parasysh se në Komitetin më të rëndësishëm komunal, atë për Politikë dhe Financa, është vetëm një nga shtatë që ka ky komitet. Ngjashëm është edhe në emërimet në pozita tjera menaxhuese të institucioneve publike komunale.

Gjinia femërore në komunën e Deçanit, çdo herë ka kërkuar marrje të përgjegjësive dhe trajtim të barabartë, e jo privilegje apo plotësim të kuotave të kushtëzuara ligjore.

“Nuk duam lëmoshën e as kuotën e përqindjes, por barazi të plotë dhe marrje të përgjegjësive në raport me përbërjen e popullatës, qofshin ato legjislative apo ekzekutive”, ishin deklaruar në takime të ndryshme, qofshin të karakterit komunal apo edhe më të gjerë.

Pra, kontributi gjinisë femërore në Deçan, është aq i madh, sa që nuk kanë nevojë të presin lëmosh apo plotësim kuote ligjore, por me angazhimin e tyre, duhet të kërkojnë e ti marrin meritat dhe pozicionet e duhura në shoqëri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme