Gruaja shqiptare më së shumti lodhet gjatë pushimeve verore

Prishtinë | 12 Kor 2017 | 17:46 | Nga Kimete Berisha

Çdo grua, më me qejf do të kishte shkuar në det me shoqe, me motra e me 1 sesa me burrin e saj.

Roli i robëreshës dhe i shërbëtores së pagojë, spikatet dhe vjen në shprehje sidomos gjatë pushimeve verore.

Ende është vetëm ide në ajër, kur fillon drama për datën kur do të shkojnë në det…pastaj kjo temë zgjerohet dhe kërkohet përgjigja në pyetjen ‘ku do të shkojmë sivjet’.

Burri pyet-burri përgjigjet. Përmenden të gjitha vendet e mundshme bregdetare, e në fund vendoset të shkohet në vendin e njëjtë ku kanë qenë vjet, dhe me t’u kthyer kanë bë be e rrëfe se më në atë vend nuk do të shkojnë përjetë.

Pasi merret ky vendim i burrit (në prani të gruas), situata familjare për disa ditë (nga jashtë) duket e qetë, por përbrenda vlon shpirti i çiftit ‘pushues’ të cilët pyesin veten ‘a shkohet more o Zot në pushim me këtë njeri’!

(Sa herë kam bë be rrejshëm;
E sa herë Zoti më ka vra)

Gruaja i përgatit valixhet për të gjithë, i tubon rrobet dhe gjësendet e të gjithë anëtarëve të familjes. Pa e harruar ‘bicin’ e burrit dhe numrin e brekëve të mjaftueshme për të.

Pasi që sigurohet se s’ka harruar gjë, e mbyll valixhen vet, ulet përmbi të në dy gjunjë dhe i jep zor, derisa shlitzi puthet me shlitzin.

Çohen herët në mëngjes, se duhet me shfrytëzu diellin. Gruaja çohet e para, qet kafet, përgatit mëngjesin, i bart bashkë me ‘shokun’ valixhet dhe në rrëmujë e sipër (mo’ Zot e ka harru plloqën e shporetit lshut; mos e ka harru çeshmen lshut, kthehet edhe një herë, e ndez dritën e ballkonit për t’u lënë përshtypje të rreme hajnave sikur është në shtëpi, e s’ka shkuar në det.

– A e mbylle derën- pyet burri!
– Po, e mbylla – përgjigjet ajo!
– A je e sigurt – ia kthen ai!
– O po, po…a të kthehem edhe një herë ta vërtetoj…

Dhe, kështu nisen, duke i thënë ai-asaj: ‘Ishalla s’na pa kush nga kojshitë, duke dalë nga banesa. Se m’u pas nis ti atëherë kur t’thashë unë, krejt n’gjumë i kishim lënë…po ti pa u vakarru ti është e pamundur!’

Kur më në fund nisen i përshkon një ndjenjë lirie, një ndjenjë çlirimi. Dhe, nëse nuk dinë vetë të këndojnë, lshojnë muzikë në radio, dhe për një çast duken të lumtur, jo si njerēz që po shkojnë diku të pushojnë, por si njerëz që po shkojnë diku të argëtohen.

Çdo gjë shkon mirë në këto momente, këngë mbas kënge, nuk ‘shpëtojnë’ pa u kënduar ‘Në bankat shkollore moj m’ike’, ‘Moj zeshkanja ime’, ‘ Niset trimi për gurbet’, ndërsa kur mbërrijnë në autostradë është e pamundur mos m’u gjend në kerr dikush që e këndon këngën ‘O moj Shqipni, e mjera Shqipni’, sikur që është e pamundur të kalosh kah Shkodra e të mos e këndosh ‘Shkodra ka plot dashuri’, apo të kalosh ditëm drekë kah Korçka e të mos këndosh ‘Kur nata Korçën e mbulon’!

Në autostradë fillon nervoza e shoferit e cila nervozë shtrihet deri në fund të rrugës.

Si shofer, s’të hiqet kurrë shqetësimi se mos të lë kerri n’rrugë!

– A ka mjaft vaj?
– A po më duket njëra gomë është shfry?
– Kur po e shkel kfaqillën po më duket sikur s’është diçka në rregull me të?
– Nuk po ngreh në përpjetze!
– Me mbet në rrugë kanë me thirrë!
– Na shkojnë krejt paret e pushimit m’i ndreq kerrin!
– Ani këtu në Shqipëri m’u bë myftjaq, këta janë hajna!
– E kam një vëlla në Morenë,…jo, më mirë m’u kthy e me dështu pushimi sesa m’i bë telashe vëllain.

Fëmijët me veti, i shikon babai në pasqyrë.

– Zoti na ruajt, rrugë është kjo. Me na ndodh diçka, e me na lënë kerri n’rrugë, rebelat e Shqipërisë na bëjnë ‘sallatë’, m’i marrin fëmijët.
– Jo se e thërras policinë!
– O Zot, policia janë bashkëpunëtorë të kriminelëve!

Këtë monolog shoferi e bën në heshtje të plotë, vet me veti.

Dhe, një të dytën i bërtet gruas “mos e gabuam rrugën”, “hapi sytë, këqyri shenjat…se me bë me habit rrugën, s’t’vyn më gja jeta, ju kthej menjëherë n’shpi…”

Gruaja nuk e kupton dramën dhe frikën e burrit, prandaj ai duket në sytë e saj një mashkull i keq.

Burri nuk e kupton qetësinë e gruas, dhe prandaj ajo i duket si një “shpirt i fjetur”, një qurë që s’i bëhet vonë…dhe që është aq naive sa nuk e kupton se ‘në çfarë rreziku munden me qenë’ ?

Dhe, kështu, nëpër rrugën e shtrirë me frikë, mbërrijnë. Vendosen në banesë. Burri shtrihet me pushu, e gruaja, ende pa i palu teshat, i nxjerr xhezvet dhe e qet nga një kafe.

Kjo kafe pihet me lezet. Sepse konsiderohet si hallve, që zihet pasi që dikush ka shpëtuar nga rreziku.

-Shuj se mirë jemi ardhë!

Gjithë ajo tutë, gjithë ai shqetësim, gjithë ai bagazh nervash në kokat e tyre, sikur kur niset njeriu në luftë.

Ne, që e kemi përjetuar luftën, çdo gjë vazhdojmë ta përjetojmë si luftë. Prandaj, ne nuk dimë të pushojmë. Pushimin e ngatërrojmë me argëtimin. Shkojmë në bregdet për t’u kënaqur në zhurmën e muzikës, jo për të pushuar;

Shkojmë për t’u argëtuar midis njerëzve, jo për të ikur në qetësi prej njerëzve.

Kot kthehemi të pushuar nga pushimi, nëse s’jemi argëtuar.

Pushojnë vetëm pleqtë dhe njerëzit e perënduar. I gjalli nuk pushon pasi që të zgjohet nga gjumi.

Pastaj, hanë drekë, gruaja i merr peshqirët për të gjithë dhe dalin në plazh.

Burri e ka fituar “xhenetin” me djersë, sepse u lodh nga rruga duke vozit, prandaj ai rri në kokërr shpine se nuk çlodhet deri ditën e fundit të pushimit kur të nisen për në shtëpi.

Nga kokrra e shpinës, burri e sheh diellin kur ia skuq shpinën fëmijëve, sheh çdo gjë që nuk është në vendin e vet, prandaj, as aty nuk e lënë “të pushojë” siç e meriton…e monitoron situatën dhe jep urdhra të prerë:

-Çu, lyja shpinën djalit’!
-Çu shko bleje do ujë, se diçka flaka po më del!
-Çu shtini fëmijët pak në ujë, mos u hullav se po të humbin para sysh..
-Çu lyma shpinën edhe mu’ se po më duket m’u bë ushul;
-Çka don me na bë sonte për darkë?
-Mos ti ka qarru Zoti sytë i ke harru xhygymat!

Dhe kështu, kalon dita!

Kur kthehen në banesë, burri hyn i pari të pastrohet, pas tij fëmijët, e në fund, kur ka ngelur vetëm uji i ftohtë, hyn gruaja të pastrohet.

Kur del nga banjo, gruaja fillon e bën bukën, e përvëlon çajin, të gjithë argëtohen me mobila, të shtrirë, pushojnë, ajo ende nuk është ulur.

Bëhet aksham, dhe ajo ende nuk është ulur.

Dalin shëtisin në korzo, hanë akullore, ndonjë shtalb dhe dikur vonë kthehen në banesë, dhe ajo ende nuk është ulur.

Të gjithë shtrihen për të fjetur, përveç gruas e cila në banjo është duke i pastruar peshqirët e plazhit dhe rrobat e tjera që kur i kanë zhveshur, të gjitha i kanë lënë grumbull.

Nuk është lehtë m’i shtrydh peshqirët dhe me ua heq zallin që u ka hyrë penj më penj. Ditën e fundit të pushimit ajo do të kujtohet se peshqirët e plazhit herën tjetër s’do t’i lajë hiç, veç do t’i shkund nga zalli e do t’i var në ballkon derisa t’i thajë era (edhe ashtu meshkujt nuk dinë ta bëjnë dallimin).

Në ato mendime, me kokë në shkumë, duke shtrydh peshqir pas peshqiri, kur e ndal çezmen, e dëgjon zërin e burrit ‘O hajde ma, ku mbete, shkyme atë hamam drite se na le pa fjet’!

Kur kthehet në shtrat, dhe i fikë të gjitha dritat, e thërret zëri i fëmijëve: Hajde hiqma edhe do zall m’u ka ngjit në çarçaf. Gruaja e ndez baterinë e mobilit, dhe shkon ua heq të gjithëve zallin ‘e fundit’ nga çarçafi. Del në ballkon nëpër terr, dhe anipse në mobil e ka kalendarin, i numëron me gishta ditët deri te dita që do të kthehen në shtëpi.

Gruaja më së shumti lodhet gjatë pushimeve verore.

Legjenda thotë: Në fillim meshkujt kanë jetuar në Mars, e gratë në Venerë.

Nga larg e kanë parë njëri-tjetrin dhe (hajt) një ditë prej ditësh për t’u argëtuar kanë vendosur të vijnë për “pushime” në ‘Tokë’!

P.S.
Ka do ditë unë jam kujtu
Për mos me t’folë ma me gojë

Të ngjashme