BE-ja me letargji drejt humnerës

Prishtinë | 07 Kor 2016 | 15:53 | Nga

Liderët e BE-së nuk kanë gjetur ende përgjigje për Brexit-in. Dhe Brexit-i nuk po e ngjiz BE-në, por po bën të dalin edhe më shumë në pah të kundërtat.Dy javë pas referendumit për Brexit-in, pas një samiti të BE-së dhe dy debateve në Parlamentin Evropian është ende e paqartë se si do të organizohet dalja e britanikëve nga BE-ja. Dhe ç’përfundime do të nxjerrin 27 anëtarët e mbetur pas këtij hapi.

Sipas Brukselit, Britania e Madhe gjendet në një gjendje kaotike, sepse në shtator do të ketë ndoshta një kryeministre, e cila do të marrë qytetarët e BE-së në Mbretërinë e Bashkuar si një peng politik për negociatat e ardhshme komplekse me BE-në.

Ata mund të vazhdojnë të qëndrojnë në Britaninë e Madhe vetëm nëse asaj i lejohet të ketë qasje në tregun e brendshëm të lakmuar të BE-së – një plan i pabesë i konservatores Teresa May.

Por edhe në anën tjetër ekstremistët po zënë pozicion: ata duan, si Presidenti francez Hollande, që t’i lënë britanikët të vuajnë.

Frika nga një rënie ekonomike e Britanisë, e cila po duket në horizont u vjen atyre për shtat. Sipas anketimeve të fundit shoku prej Brexit-it ka çuar në disa vende skeptike ndaj Evropës, si Danimarka, Finlanda dhe Italia në vlera më të mira në lidhje me BE-në.

Por se sa kohë zgjat ky efekt, javë apo muaj, askush nuk e di. Edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker është për një rrugë më tepër konfrontuese: britanikët duhet të dalin jashtë sa më shpejt të jetë e mundur.

Me ta mund të bëhet tregti, por vetëm në qoftë se ata paguajnë sikurse Norvegjia një çmim dhe vazhdojnë të lejojnë emigracionin nga BE-ja.

Kancelarja Merkel po ndjek taktikën e zakonshme: të presim një herë dhe të gjejmë ndonjë zgjidhje pragmatike për të mos përfunduar me grindje. Merkeli pret takimin e nivelit të lartë në shtator dhe atë të pranverës së ardhshme.
Bernd Riegert
Bernd Riegert
Brexit-i e ka ndarë politikën në dy kampe. Socialdemokratët dhe liberalët në Parlamentin Evropian, nën e drejtimit e presidentit të tij Martin Schulz,, kërkojnë më tepër Evropë, integrim e madje një qeveri evropiane.

Por këto ide nuk kanë shance në botën reale të BE-së. Kampi i dytë hedh idenë e vazhdimit kështu si deri tani, por më shpejt dhe më mirë. Idetë këtu janë të tipit riorientim, por pa ndryshuar drejtimin, sikur kërkon kryemininstri holandez Marc Rutte.

Apo ajo e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble, që thotë se BE-ja mund të shmanget dhe të gjehen koalicione të të gatshmëve brenda qeverive të shteteve anëtare.

Secili ka interesat e veta

Vendet jugore të BE-së shohin pas referendumit britanik shansin për të liberalizuar disiplinën buxhetore që gjoja diktohet nga Brukseli.

Vendet veriore, të cilave u duhet të paguajnë e refuzojnë këtë për shkak se Brexit-i nuk ka të bëjë asgjë fare me euron dhe kursimet e nevojshme.

Disa anëtarë lindorë të BE-së e përziejnë referendumin me shpërndarjen e refugjatëve dhe të azilkërkuesve. Edhe me këtë Britania nuk kishte shumë lidhje.

Politikanët e BE-së kanë vetëm të qartë që si për krizën ekonomike edhe krizën e refugjatëve duhet gjetur një zgjidhje.

Por cila? Në këto çështje Brexit-i si kërcënim i ndjerë nuk po e ngjiz BE-në, por po bën të dalin edhe më shumë në pah të kundërtat.

BE-së aktualisht nuk i mbetet mjaft kohë për përgjigje të arsyeshme, sepse më 2 tetor kërcënon “super e diela”:

Hungaria voton lidhur me shpërndarjen e refugjatëve dhe Austria për presidentin e ardhshëm. Të dyja këto votime do të tregojnë në parim edhe rrugën e këtyre vendeve në BE.

Dhe në tetor edhe Italia do të vendosë mbi reformat kushtetuese. Ky referendum mund të shndrrohet shpejt në një referendum për BE-në për shkak të euroskepticizmit të shfrenuar në Itali.

Dy javë pas referendumit për Brexit-in ekziston frika se për shkak të pikëpamjeve të kundërta në BE nuk do të ketë reforma vendimtare dhe një hov të ri për projektin evropian.

BE-ja po shkon me letargji drejt humnerës. Kush e ka fuqinë dhe vullnetin politik për ta ndaluar atë?

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme