Me kë do të bëjë “pazar” Perëndimi në Kosovë

Prishtinë | 11 Qer 2017 | 13:51 | Nga

Shqiptarët e Kosovës do të votojnë më 11 qershor, 18 vjet pas çlirimit të Kosovës, për të zgjedhur mes një koalicioni ish- komandatësh, një brezi të ri nacionalistësh skeptikë ndaj historisë së derisotme të Kosovës, dhe një koalicioni teknokratësh të përfaqësuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila duket se është kthyer në një pensioniste të politikës në Kosovë.

Koalicioni i ish- komandantëve të luftës, i cili ka kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn, duket se ka kapërcyer ndarjet mes vetes, për shkak të rrezikut që shikojnë nga Gjykata Speciale dhe nevoja për të qenë ata njerëzit e kompromisit me bashkësinë ndërkombëtare.

Partia e Thaçit, Haradinajt dhe Limajt, dy të fundit të shkuar dy herë në Hagë, janë duke tentuar të bëhen së bashku, për të qenë ata zotër të kompromiseve që Perëndimi kërkon për të stabilizuar situatën në Kosovë, në raport me pakicën serbe. Ata shpresojnë se lufta për paqe, mund t’u zbusë problemet e luftës së dikurshme për liri.

Sondazhet i favorizojnë ata si fituesit kryesorë në Kosovë, edhe pse ka shumë dyshime tek fryma e dominimit që kanë dëshmuar në fushatë dhe para saj, sidomos në bastionet e tyre respektive.

Bashkimi i tyre edhe numerikisht, i bën ata koalicion fitues, nëse elektorati i Kosovës nuk është tronditur nga koalicioni i Vetëvendosjes dhe performca e re, që ata shfaqën në këtë fushatë.

Kjo është fushata e parë kur Vetëvendosja ka ndryshuar politikisht, ka thyer gjuhën populiste, me një përmbajtje më konkrete dhe ka pasur emra cilësorë në lista. Ajo ka hequr dorë nga konvecionet përjashtuese për shtetin e Kosovës, ka kontrolluar gjuhën në raport me temat e mëdha të Kosovës, si kufiri me Malin e Zi apo bashkimi me Shqipërinë dhe ka folur më shumë për ekonomi, probleme sociale dhe deri fetare. Këtu duket se ka një tepërim, duke i bërë fresk një lloj fryme të islamit politik në Kosovë, sidomos me “tolerancën” ndaj shamive në shkolla, duke krijuar dyshime tek sinqeriteti i tyre politik, që dyzohet mes një majtizmi ateist nga një anë dhe një lloj islami politik nga ana tjetër, çka mund t’i dëmtojë seriozisht.

Albin Kurti është padiskutim kandidati për kryeministër më i artikuluar i Kosovës, me një popullaritet në rritje tek brezi i ri, por që duhet të qartësojë të adhmen e tij si një lider modern i së majtës në Kosovë, në trendin e partive majtiste populiste që po trondisin Europën. Këto janë zgjedhjet ku ai ka bërë ndryshime të mëdha për të qenë një lider i pranuar nga të gjithë në Kosovë, dhe kjo mund të shikohet dhe tek rezultati i nesërm.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe disa parti aleate me të, duket se do të rreshtohen të tretët. Isa Mustafa, që tërhoqi zvarrë deri tani karrocën e LDK, e ka lënë atë në dorë të një teknicieni pa identitet politik, i cili të krijon gjithnjë idenë, se dikush e ka lënë të ruaje karrocën, por jo ta tërheqe atë. Abdulla Hoti, edhe pse është i vlerësuar si teknicien, duket se do të vuajë krizën e partisë që përfaqëson, mungesën e reformimit brenda saj dhe mbajtjen të ngërthyer nga klanet e vjetra krahinore dhe nepotike, të cilat po e mplakin LDK më shumë se çdo gjë tjetër.

Edhe pse koalicioni i partive të luftës mund të dalë i pari, një rezultat i mundshëm pozitiv i Vetëvendosjes, së bashku me LDK, mund të ndryshojnë historinë e zgjedhjeve, nëse LDK do të pranojë Kurtin për kryeministër.

Edhe pse partitë e krahut të luftës, mund të duket se i ka bashkuar nevoja për të qenë të bashkuar para Perëndimit, edhe dy koalicionet e tjera po konkurrojnë kush të jetë më pro-perëndimor pas zgjedhjeve. Në fillim për të shpëtuar veten, e pastaj në emër të tyre dhe Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme