KMDLNj: Me improvizime të çastit, nuk mënjanohet ajri i ndotur

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 14:13 | Nga

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) thotë se Kosova, që nga përfundimi i luftës ka pasur probleme të mëdha të ruajtjes së mjedisit dhe për pasojë qytetarët e saj, më shumë kanë thithur ajër të ndotur , se sa të pastër.

Sidomos ndotja e ajrit ka qenë e theksuar në muajt e dimrit. Mjedisi në Kosovë është degraduar skajshëm, qoftë duke shkatërruar rrjedhat e lumenjve , qoftë duke shkatërruar , pa asnjë mëshirë pyjet që deri në përfundim të luftës kanë qenë të ruajtura, thekson kjo organizatë në një komunikatë dërguar medieve.

“Institucionet e Kosovës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë nuk kanë krijuar mekanizma për mbrojtjen e mjedisit e lëre më të krijojë mekanizma për sanksionimin e dëmtimit apo shkatërrimit të mjedisit. Organizatat që janë angazhuar për mbrojtje të mjedisit nuk janë përkrahur dhe nuk është punuar fare në sensibilizimin e opinionin për këtë rrezik mjedisorë sikur që nuk është punuar fare për vetëdijesimin e qytetarëve për mbrojtje të ambientit. Sipas ekspertëve për ruajtje të mjedisit ku jetojmë , dy janë shkaktarët kryesorë për ndotjen e ajrit dhe ujërave në Kosovë; termocentralet Kosova A dhe B dhe cilësia e dobët e karburanteve , kurse përdorimi i thëngjillit për ngrohje është kontribut i papërfillshëm për ndotje të ambientit krahasuar me ato që u theksuan më lartë. Se voni , Ambasada Amerikane në Prishtinë ka filluar matjen e ndotjes së ajrit dhe ka alarmuar për një ndotje ekstreme që seriozisht e rrezikon shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Ditëve të fundit kjo ndotje e ajrit, sidomos në Prishtinë është shndërruar në rrezikuesin më të madh të shëndetit të qytetarëve të saj”.

KMDLNj thekson se të alarmuar për seriozitetin e gjendjes të ekosistemit në Prishtinë , institucionet e nivelit qendror dhe lokalë janë mobilizuar duke u marrë me pasoja , në ndërkohë që kurrë nuk janë marrë me veprime parandaluese. Ministria për Punë të Brendshme, ajo e Mjedisit dhe Komuna e Prishtinës i kanë “shpallur luftë” dy ndotësve të ajrit, veturave si ndotës i madh dhe heqja nga tregu i shitjes së thëngjillit , si ndotës minor kolateral kurse e kanë amnistuar kryendotësin apo “vrasësin” e ajrit në Prishtinë dhe rrethinë, termocentralet Kosova A dhe Kosova B.

“Paralajmërimi i kufizimit apo ndalimit të hyrjes së automjeteve në Prishtinë është diskriminues dhe do të prodhojë kaos në trafik sikur edhe shumë probleme për të punësuarit. Prishtina nuk ka kapacitet të parkingjeve për vendosjen e gjitha veturave në periferi të qytetit e as kapacitet për transportimin e udhëtarëve me autobus nga vendi ku i lënë veturat, deri te vendi i tyre i punës, shkollimit, banimit apo objektet shëndetësore dhe institucionale. Ndarja e veturave sipas numrit të fundit të tabelës në tek dhe çift do të ishte zgjedhje e përkohshme që e mbanë nën menaxhim kaosin e mundshëm në trafik. Nuk ka zgjidhje tjetër si zgjidhje emergjente. Nëse ndalohet hyrja në qytet e të gjitha veturave , Prishtina do të paralizohej kurse lejimi selektiv i hyrjes së veturave do të ishte diskriminim. Në këtë rast do të lejohej vetëm hyrja e veturave që janë të domosdoshme si : e ndihmës së shpejtë , policisë , zjarrfikësve , furnizuesve , taksive dhe disa shërbimeve të domosdoshme”.

“Kjo , në mungesë të sqarimit të mjaftueshëm për qytetarë , do të shkaktojë bllokim të qytetit . Ndalimi i shitjes së thëngjillit në treg do të ishte rrezikim i shëndetit të kategorive sociale që janë përdoruesit (për shkak të gjendjes së rëndë materiale) të ngrohjes me thëngjill. Nëse qeveria apo komuna e Prishtinës ua siguron një mundësi alternative për ngrohje, atëherë edhe mund të ndalohet shitja e thëngjillit për ngrohje”.

KMDLNj thotë se nëse i referohemi njohësit më të besueshëm për mbrojtje të mjedisit në Kosovë, Luan Shllaku, ngrohja me thëngjill është ndotës i papërfillshëm i mjedisit krahasuar me dy “vrasësit“ e mjedisit në Prishtinë dhe më gjerë. Termocentralet Kosova A dhe B dhe cilësia e dobët e karburanteve, veturat dhe mjetet e tjera të transportit që për këtë arsye emetojnë gazra helmues shumëfishë mbi vlerat e lejuara. Madje , sipas z. Shllaku , të gjithë shpenzuesit për ngrohje me thëngjill në Prishtinë dhe rrethinë, nuk shpenzojnë gjatë një sezoni dimërorë sa shpenzojnë Termocentralet Kosova A dhe Kosova B , për 24 orë prodhimi.

“Përgjegjësit kryesorë për cilësinë e dobët të karburanteve që janë importuar në Kosovë kanë qenë ish ministrat e mëparshëm të kësaj fushe që janë avancuar në karrierë ,njëra është deputete , tjetri ambasador që e patën monopolizuar kontrollin e cilësisë kur edhe matja e cilësisë së karburanteve ka qenë e monopolizuar dhe nuk është bërë fare ose vetëm formalisht. Edhe në KEK krimi i organizuar politik ka toleruar që Termocentrali Kosova A të punojë jashtë çdo standardi sikur që kanë lejuar që Kosova B të punojë me gjysëm standardi. Askush nuk i ka kontrolluar Termocentralet Kosova A dhe Kosova B në ndërkohë që janë legalizuar në prodhimin e gazrave helmuese që tani kanë përmasa alarmante”.

Tash , “vrasësve” të mjedisit në Kosovë po i shtohet edhe një “vrasës” tjetër , Kosova e Re që po ndërtohet pa debat dhe pa përfillur sugjerimet e ekspertëve mjedisorë, thotë ky Këshill. “Politika e kriminalizuar vendore dhe ndërkombëtare , për fitime të mëdha materiale kanë kontribuar në ndotjen e madhe të mjedisit në Kosovë përmes importimit të karburanteve me cilësi shumë të dyshimtë e që nuk kontrollohen fare e sidomos me dyshim “vrasës” të ambientit, Termocentrali Kosova A dhe Kosova B dhe i treti që po vjen, Kosova e Re”.

“Nëse e marrim si bazë ruajtjen e mjedisit dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës si e drejtë elementare e njeriut, improvizimet e çastit që po propozojnë institucionet qendrore dhe lokale nuk janë zgjidhje e mirë por zgjedhje e dhunshme emergjente që në planin afatgjatë vetëm sa do ta përkeqësojnë ekosistemin në Kosovë dhe shëndetin e qytetarëve të saj”.

“Kontrollimi i cilësisë së karburanteve të importuara dhe marrja në përgjegjësi e ministrave që e kanë lejuar këtë degradim sikur dhe mbyllja me urgjencë e Termocentralit Kosova A sikur edhe dënimi meritor për ndotësit e mëdhenj të ajrit si Kosova A dhe Kosova B do të parandalonin vazhdimin e legalizimit të ndotjes së ajrit dhe mjedisit. Për Kosovën , me një planifikim të mirë, më e leverdishme do të ishte mbyllja e Termocentralit A dhe mbase edhe B gjatë muajve të dimrit dhe importimi i rrymës për atë periudhë. Çështja e mbrojtjes së mjedisit duhet t’u lihet në duar të ekspertëve e jo politikanëve. Me këtë degradim të sistemit ekologjik të sistemit në Kosovë dhe me degradim të sistemit shëndetësorë, shëndeti i qytetarëve është seriozisht i rrezikuar. Kurrë më shumë Kosova nuk ka nevojë për një aktivizim qytetarë për mbrojtje të ambientit dhe kundërshtim të kapaciteteve të reja degraduese e që deri më tani i ka munguar”, thekson KMDLNj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme