Kodi i heshtjes

Prishtinë | 02 Maj 2017 | 19:48 | Nga Imer Mushkolaj

Bota e mafias funksionon bazuar në “kodin e heshtjes”, por shtetet demokratike mbështeten në kushtetutë e ligje, ku liria e shprehjes është ndër të drejtat themelore të njeriut. Andaj, tentimet për të imponuar një “kod të heshtjes” në Kosovë, duke kriminalizuar fyerjen dhe shpifjen, dështojnë turpshëm

Me siguri ju ka rastisur të dëgjoni për “kodin e heshtjes” ose, siç njihet në gjuhën e mafiozëve “omerta” që, më shumë se një ligj i heshtjes, është një mënyrë e vërtetë të jetuari, një kulturë, elementi qendror i vizionit mafioz të botës. Sipas këtij kodi të heshtjes, një mafioz nuk duhet të prezantojë veten para një mafiozi tjetër, por atë duhet ta bëjë një mafioz i tretë, i cili është i njohur nga këta dy. Po ashtu, ky kod i ndalon mafiozët që të tradhtojnë bashkëpunëtorët tek autoritetet. Nëse kjo ndodh, atëherë tradhtari dhe familja e tij dënohen me vdekje.

Bota e mafias funksionon bazuar në këtë kod, por shtetet demokratike funksionojnë bazuar në ligje dhe liria e shprehjes është një ndër të drejtat themelore të njeriut. Andaj, tentimet për të imponuar një “kod të heshtjes” në Kosovë, duke kriminalizuar fyerjen dhe shpifjen, dështojnë turpshëm, si ndodhi me propozimin e ministres kosovare të Drejtësisë.

Ajo kishte propozuar rishikimin e dekriminalizimit të shpifjes, respektivisht përfshirjen e dy neneve në Kodin Penal që do të mundësonin burgosjen e atyre që në të ardhmen shpifin kundër shtetit dhe fyejnë simbolet dhe institucionet shtetërore.

Sipas Ministrisë së Drejtësiëë, ndryshimet po bëheshin bazuar në praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian, respektivisht Gjermanisë. Por, këto pohime dolën të jenë blof i madh, pas argumenteve të ofruara nga ekspertë të fushës.

Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian kanë dhënë rekomandime të qarta që shpifja duhet të dekriminalizohet. Kjo ka bërë që shtetet, një nga një, të rregullojnë shpifjen me kodin civil, e jo me atë penal. Kosova e ka të rregulluar një gjë të tillë dhe duhet të jesh vërtet i krisur që të provosh ta kthesh mbrapa vendin sa i përket legjislacionit për lirinë e shprehjes.

* * *

Kur Hashim Thaçi në fillim të mandatit të tij si president paralajmëroi nismën për ndryshim dhe plotësim të Kodit Penal, u tha se ideja ishte që të forcoheshin ndëshkimet për goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Si president, e kam potencuar prioritetin që ka Kosova në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, inkurajoj grupin punues që t’i kushtojë vëmendje dispozitave duke bërë ndryshime që institucionet të kenë kompetenca për të goditur këto fenomene”, kishte deklaruar Thaçi nëntorin e vitit të kaluar. Ai kishte kërkuar që ndryshimet legjislative “të jenë të thella, gjithëpërfshirëse dhe të jenë të zbatueshme në praktikë”. Ky mund të ketë qenë sinjal për ministren e Drejtësisë që të preket edhe legjislacioni që rregullon lirinë e shprehjes, respektivisht të futen nenet me të cilat shpifjet dhe fyerjet ndaj shtetit, simboleve shtetërore dhe organeve kushtetuese do të dënoheshin me gjobë ose dënim me burg deri në pesë vjet.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, presidenti Thaçi dhe Ministria e Drejtësisë po përpiqeshin që, në emër të sanksionimit të lirisë së shprehjes, të godasin jo vetëm gazetarët kritikë, por edhe kundërshtarët politikë. Pra, ideja e ndryshimeve në Kodin Penal nuk kishte të bënte me rregullimin e një fushe të rregulluar tashmë, por nënkuptonte edhe disiplinimin e të gjithë atyre që guxonin të merreshin me pushtetin dhe institucionet.

Pas reagimeve të organizatave që merren me media e gazetarë dhe jo vetëm, Ministria e Drejtësisë u tërhoq nga propozimi i vet. Natyrshëm, pasi nuk kishte tjetër zgjidhje. Por, pa pikë nevoje, dëmi është shkaktuar.

* * *

Shpifja dhe fyerja në Kosovë janë probleme të mëdha për të gjithë qytetarët. Për këdo që i kryen këto vepra, duhet vendosur drejtësi civile, e jo penale. Rruga ligjore duhet ndjekur dhe gazetarët mund të ndëshkohen.

Ekziston një keqkuptim se gazetarët dhe mediat mund të raportojnë gjithçka, pa u ndëshkuar. Legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e medias në Kosovë është i mjaftueshëm. Por, po, është i nevojshëm forcimi i trupave vetërregullues, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia, respektivisht të bëhet e pamundur ndërhyrja nga institucionet. Natyrisht, gazetarë dhe media të papërgjegjshme e joprofesionale duhet të ballafaqohen me ligjin.

Sidoqoftë, kjo nuk i jep askujt të drejtë që të ndërmarrë nisma për kufizimin dhe ngulfatjen e lirisë së shprehjes, aq më pak si ndërmarrje politike dhe për interesa edhe individuale.

Nëse do të kalonin propozimet e Ministrisë së Drejtësisë, atëherë Kosova do të kthehej një dekadë mbrapa, atëherë kur shpifja dënohej me burg. Këtë do ta dëshironin shumica e njerëzve të pushtetit. Për ta, do të ishte i mirëseardhur aplikimi i “kodit të heshtjes”, nëpërmjet të cilit do të provohej t’iu mbyllej goja të gjithë atyre që nuk pajtohen me ta.

Mafia mund të funksionojë me kodin e vet, “omertën”, por shtetet funksionojnë me kushtetutë e ligje. Liria e fjalës është e drejtë themelore e njeriut, komponent thelbësor i çdo demokracie. Duhet çmuar dhe respektuar atë. “Kodi i heshtjes” është kod i turpit.

 

Të ngjashme