“Kombet e Domosdoshme” të Evropës së Re

Prishtinë | 11 Jan 2017 | 16:25 | Nga Joschka Fischer

Presidenti i zgjedhur Donald Trump sakaq ka minuar besueshmërinë e garancive të vjetra të Amerikës për sigurinë e Evropës. BE-ja tashmë duhet të përforcojë atë që mundet në respekt të NATO-s dhe të integrimit të vet, ndërkohë që duhet të mbështetet në anëtarët e vet më të fuqishëm për të ofruar një opsion alternativ për sigurinë

Pas tronditjes së referendumit Brexit në Mbretërinë e Bashkuar dhe zgjedhjen e Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara në vitin 2016, ky që sapo ka nisur do të jetë një vit vendimtar për Evropën. Zgjedhjet e pritshme parlamentare në Francë, Gjermani, Holandë e ndoshta edhe në Itali do të përcaktojnë nëse Bashkimi Evropian do të mbetet bashkim apo nëse ai do të dezintegrohet si pasojë e dallgës neo-nacionaliste që po përfshin Perëndimin.

Ndërkohë, negociatat për Brexit do të fillojnë me nxitim, duke ofruar sinjale mbi atë se si do të jetë marrëdhënia e ardhshme mes BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dhe inagurimi i Trump si president më 20 janar mundet që të mbahet mend në histori si një pikë kthese për Evropën. Nëse kemi parasysh deklaratat e mëparshme të Trump mbi Evropën dhe marrëdhëniet me SHBA-në, BE-ja duhet të përgatitet për t’u përballur me disa tronditje të thella. Presidenti i pritshëm i Shteteve të Bashkuara, një eksponent i nacionalizmit të ri, nuk beson te integrimi Evropian.

Presidenti amerikan ka një aleat këtu, ka Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, i cili është përpjekur prej kohës të destabilizojë BE-në përmes mbështetjes së forcave dhe lëvizjeve nacionaliste në vende të ndryshme anëtare. Nëse administrata e Trump mbështet apo i kthen një sy qorr këtyre përpjekjeve, BE-ja, e zënë mes trolleve rusë dhe [faqes së internetit.

Breitbart News – do të duhet të përgatisë veten me të vërtetë për kohë të vështira.

Pasojat për BE-në do të jenë edhe më serioze nëse, përveç vendosjes së marrëdhënieve SHBA-Ruri në një themel të ri, Trump vijon të vërë në pikëpyetje garancinë që SHBA ka dhënë për sigurinë e Evropës prej dekadash. Një lëvizje e tillë do të vijë në dëm të NATO-s, mjeti që ka institucionalizuar udhëheqësin e SHBA-së në sigurinë e botës që prej gjashtë dekadash. Evropianët mundet papritur të gjejnë veten vetëm përballë një Rusie që ka përdorur gjithnjë e më shumë mjete ushtarake për të sfiduar kufijtë, të tilla si në Ukrainë, si dhe për të ritheksuar ndikimin – e ndoshta edhe hegjemoninë e vet – në Evropën Lindore.

Ne shpejt do të mësojnë se çfarë do të ndodhë me NATO-n, por shumë dëm është bërë sakaq. Garancitë e sigurisë nuk janë thjeshtë çështje pajisjesh ushtarake. Garantuesi duhet të projektojë gjithashtu një mesazh të besueshëm se është i gatshëm të mbrojë aleatët e vet kurdo që të jetë e nevojshme. Për rrjedhojë, rregullime të tilla varen veçanërisht nga psikologjia dhe mbi besueshmërinë e një vendi te fqinjët dhe armiqtë e vet. Kur besueshmëria është e dëmtuar, ka një rrezik në rritje për provokime – dhe, bashkë me të, ka kërcënime për përshkallëzim në kriza më të mëdha ose në konflikte të armatosura.

Duke marrë parasysh këtë rrezik, BE-ja duhet tashmë të mbajë më këmbë atë që ka mbetur në lidhje me NATO-n dhe të përqendrohet në shpëtimin e integrimit të vet institucional, ekonomik e ligjor. Por ajo duhet të shohë gjithashtu te vendet e veta anëtare për të krijuar një opsion të dytë për sigurinë.

Vetë BE-ja është e bazuar te pushteti i butë: ajo nuk është dizenjuar për të garantuar sigurinë e Evropës dhe nuk është e pozicionuar në formën aktuale për t’u përballur me një sfidë në termat e pushtetit të fortë. Kjo do të thotë se do të bie në kurriz të dy vendeve më të mëdha dhe ekonomikisht më të fuqishme të BE-së, Francës dhe Gjermanisë, fuqizimi i mbrojtjes së Evropës. Vende të tjera të tilla si Italia, Belgjika, Hollanda, Luksemburgu, Spanja e Polonia do të kenë gjithashtu një rol për të luajtur, por Franca dhe Gjermania janë vendet e domosdoshme.

Natyrisht, të jetuarit në Europën kontinentale nënkupton njëkohësisht të kesh Rusinë si vend fqinj dhe marrëdhëniet e fqinjësisë, në përgjithësi, duhet të bazohen te paqja, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellët (veçanërisht kur njëri prej fqinjëve është fuqi bërthamore). Por Evropianët nuk mund të mbështeten te iluzionet mbi qëllimet e Rusisë. Përqasja e Kremlinit në politikën e jashtme si një lojë me rezultat final zero, do të thotë se ajo gjithmonë do t’i japë rëndësi fuqisë ushtarake dhe fuqisë gjeopolitike përkundrejt rregullimeve të sigurisë përmes bashkëpunimit.

Rusia nuk e shikon dobësinë apo mungesën e kërcënimit nga fqinjët e vet si bazë për paqe, por si një ftesë për të zgjeruar sferën e vet të ndikimit. Kështu, asimetria në fuqi në Evropën Lindore do të sjellë thjeshtë destabilitet. Nëse Evropa dëshiron një paqe të qëndrueshme dhe të gjatë, ajo fillimisht duhet të sigurohet se do të merret seriozisht, gjë që dukshëm nuk po ndodh aktualisht. Evropa mund të fuqizojë në mënyrë të besueshme sigurinë e vet vetëm nëse Franca dhe Gjermania punojnë së bashku drejt një objektivi të përbashkët, gjë që ata do të kenë mundësinë ta bëjnë pas zgjedhjeve përkatëse këtë vit.

Diplomatët e BE-së zakonisht thonë nën zë dhe jo zyrtarisht se Gjermania dhe Franca nuk do ta shikojnë kurrë njëri-tjetrin në sy në lidhje me problemet ushtarake apo financiare, për shkak të historisë dhe kulturës së ndryshme që kanë. Por nëse kushtet e sigurisë përkeqësohen, kjo mund të ndryshojë. Në të vërtetë, arritja e një kompromisi në të dyja anët e lumit Rin nuk ka pse të jetë shumë i vështirë: Franca pa dyshim ka eksperiencën për të udhëhequr në çështjet e mbrojtjes; dhe Gjermania ka eksperiencën për çështjet financiare.

Nëse ndjekja e këtij opsioni për siguri Evropiane shtyn SHBA-në të rinovojë garancinë e vet për sigurinë, atëherë kjo do të jetë edhe më mirë. Ndërkohë, BE-ja duhet të farkëtojë edhe një marrëveshje bashkëpunimi strategjik në epokën pas Brexit me Mbretërinë e Bashkuar, pozicioni gjeopolitik i së cilës dhe interesat e sigurisë do të mbeten të pandryshuara.

BE-ja e vjetër zhvilloi një fuqi ekonomike për shkak se ajo qe e mbrojtur nën garancitë e sigurisë së SHBA-së. Por pa këtë garanci, ajo mundet të përballet me realitetet aktuale gjeopolitike vetëm përmes zhvillimit të kapaciteteve të veta për të projektuar fuqi politike dhe ushtarake. Gjashtë dekada pasi Traktati i Romës themeloi Bashkësinë Ekonomike Evropiane, historia dhe zhvillimet aktuale po shtyjnë Francën dhe Gjermaninë për t’i dhënë formë të ardhmes së Evropës edhe një herë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme