Kryetari i Vushtrrisë, morali politik dhe zmbrapsja

Prishtinë | 13 Pri 2018 | 18:46 | Nga Bahri Bivolaku

“Gabimi i vërtetë do të lind nga shumë zmbrapsje” thotë mendimtari Lippmann, gjersa Erhard Eples në librin e tij “Rikthimi i politikës” thekson “Gjithnjë kur politikanët flasin për moral, këshillohet mosbesim.

Shpesh në këto raste, morali kthehet në diçka që nuk duhej të transformohej: në një instrument dhe pikërisht në një instrument të luftës për pushtet”.

E fillova këtë shkrim me këto thënie të këtyre mendimtarëve të filozofisë politike për të pasqyruar gabimin politik të kryetarit të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, e i cili ndërlidhet me zmbrapsjet e mëdha të tija nga koha e premtimeve të fushatës zgjedhore. Zoti Tahiri gjatë asaj kohe tregut politik i servoi moral politik për një qeverisje ndryshe nga e mëparshmja që sipas ishte keq-qeverisje, dhe gjykuar nga koha e sotme po del që ky moral politik nuk ishte asgjë tjetër veç instrument i luftës për pushtet.

Nga zoti Tahiri (LDK) na u tha se keq-qeverisja e me komunën ishte shkaku i ikjes së madhe të vushtrriasve drejt perëndimit. Do të doja ta pyesja tani se si është gjendja këtyre muajve sa ai po qeverisë? A u ndal trendi ikjes veçanërisht nga të rinjtë, apo u shtua? Ose çfarë bëre që ky trend të ndalet? Premtove një treg modern për qytetin e Vushtrrisë, ngjashëm me atë të Tiranës, me një hapësirë prej 5000m2 dhe ne si qytetarë ende nuk e dimë se si dhe ku do ta bënë! Premtove shujta ditore për nxënës e personelin arsimorë dhe nuk e di se ku po realizohet ky premtim! Premtove 5 çerdhe me bazë në komunitet dhe nuk e dimë se përveç atyre që kanë qenë të projektuara nga qeverisja e mëparshme, të kesh krijuar hapësirë që ky premtim të realizohet! Premtove krijimin e qendrës historike të Vushtrrisë dhe nuk e dimë se ku është ky projekt së paku ideor! Premtove menaxhim më efikas të mbeturinave duke angazhuar kompani të tjera përmes partneritetit publiko – privat të cilat ende nuk po shihen askund! Premtove zonë të veçantë për kompanitë e industrisë së drurit dhe ne ende nuk po e shohim këtë premtim, qoftë edhe si projekt ideor! Premtove qendër për strehim ditorë të të moshuarve dhe vërtet nuk e di se ku e si do ta realizoni këtë projekt!

Besa e shqiptarit dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë

Në njërin nga televizionet tona, ju zoti Tahiri dhatë besën shqiptare (besën e politikanit) se këto premtime do të përmbushen. Po në atë emision premtove se në qeverisjen e juaj 5 gra do të bartin funksione ekzekutive, pra do të jenë drejtoresha në qeverinë tuaj. Na trego sa janë sot në realitet? I nderuari kryetar, po në këtë emision televiziv iu drejtove atëherë rivalit tuaj në garën për kryetar, Besim Muzaqit (VV), i cili sot është nënkryetar i juaj, me fjalët se programi i tij nuk është program por pamflet me ideologji të bazuar në Marksizëm – Leninizëm, dhe si i tillë është i tejkaluar dhe vjen në shprehje të Vushtrri. Unë sot vërtetë nuk e di se kur lidhet koalicion qeverisës kush u tërhoq nga programi vetë, ju (LDK) apo nënkryetari (VV)? Çfarë ka ndodhur me atë programin ideologjik! Premtimet se ju do ta bëni sheshin “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri dhe rrugën “Ibrahim Rugova” – sikur kjo të ishte e vetmja detyrë e kryetarit – emrin i rrugëve e shesheve. Sot dua të ju pyes se a ju mbështesin partnerët e koalicionit tuaj në këtë rrugëtim? A thua drejtuesit e VV janë që kjo gjë edhe të ndodhë?

Qeverisja ndryshe apo vazhdimësia e një qeverisje?

Pyetja më e shpeshtë që i bëhet politikanit është: “A kemi projekte për të ardhmen? Duke qenë se e tashmja nuk kënaq kurrë njeri, për ti joshur ata ndriçohen qëllimet e së ardhmes. E ardhmja, e jo fusha e betejës së politikanit” thotë mendimtari Eduard Baladyen më librin e tij “Makiaveli në demokraci”. Gjykuar nga ky mendim ju i nderuari kryetar nuk po vendosni themele në politikën e së ardhmes por jemi duke ecur rrugës që të tjerët ua kanë përcaktuar. Së paku këto konkludime janë nga projektet që po realizohen apo janë në realizim e sipër. Familjarizmi në qeverisjen tuaj është i shprehur tej mase. Madje edhe vizitat në qytetet e Turqisë e Suedisë po i vazhdoni duke mos harruar peshqeshet. Projektet në realizim janë po ato projekte që kanë qenë programe të një partie tjetër rivale me ju. Dallimi është vetëm në promovimin zyrtar tuajin ku jeni shumë aktiv. Nuk ka asnjë qasje ndryshe. I nderuari kryetar, jeni duke ecur në programin zgjedhor të PDK-së dhe është mirë që po e bëni këtë gjë, pasi i shërben zhvillimit të Komunës dhe aspak mos u ndalni. E ardhmja- ku është fusha e betejës së politikanit gjendet në vazhdimësinë e politikës. Prerjet siç shpesh keni dëshirë t’i prezantoni ju në opinion janë karakteristikë e revolucionarëve, e nuk besoj që ju jeni revolucionar!

Të ngjashme