Kufiri i fundit i perëndimit

Prishtinë | 09 Jan 2017 | 11:10 | Nga

Pamjet që na vijnë nga Lindja e Mesme – pamje mizorie dhe dhimbjeje – duhet të na shtyjnë të jemi më të dhembshur e më solidarë. Por e bëjnë vetëm pjesërisht, duke qenë se limitet e empatisë sonë janë në përpjesëtim të drejtë me perceptimin e diversitetit, dhe kështu, bëhet edhe shumë e kollajtë të blindojmë ndjeshmëritë tona, përballë vuajtjeve të tyre që shihen të ndryshëm nga ne: për nga zakonet, feja, institucionet politike.

Në të vërtetë bëhet fjalë për injorancë dhe ndonjëherë për gënjeshtër të vetëdijshme, duke qenë se vetëm dje, nëse masim kohët e historisë njerëzore, feja jonë ishte fondamentaliste dhe sektare (përplasjet mes sunitëve dhe shiitëve nuk janë asgjë përballë mizorisë së luftërave të gjata të fesë mes katolikëve dhe protestantëve), zakonet tona ishin tejet maskiliste, ushtritë e pushtetit shumë mizore dhe arbitrare.

Dhe debatojmë për demokraci, liri politike dhe tolerancë fetare a thua kemi qenë gjithmonë demokratikë, liberalë dhe tolerantë, duke harruar apo duke bërë sikur harrojmë, se si ka qenë e gjatë dhe e vështirë, shpesh herë dhe e përgjakshme, rruga për transformimin e mospajtimit të garancive, për të krijuar një shtet të së drejtës për qytetarë dhe jo njerëz të nënshtruar, si dhe për të zbutur në brendësi të shoqërive tona, mizorinë e neveritshme të identiteteve militante. Kjo vetëdije është një pikënisje e domosdoshme, në përpjekjen për të ndërtuar një botë më humane.

Një vetëdije që duhet të na shpjerë, sigurisht jo në relativizëm, por drejt një modestie më të madhe në propozimin e një shembulli, që ka sjellë rezultate qytetërimi të cilët janë të pamohueshëm, por me siguri jo të lindur apo të pakthyeshëm, si e tregojnë edhe kontradiktat e mëdha që karakterizojnë shoqëritë tona dhe sjelljen tonë në rrafshin ndërkombëtar, ku shpesh herë duket sikur eksportojmë dhunën që kemi zbutur së brendshmi.

Problemi – një problem që sot më shumë se kurrë është dramatik – është që as edhe versioni më pak arrogant i këtij kontributit tonë për një qytetërim të përbashkët human ka shumë mundësi që të zbatohet. Arsyeja kryesore është që në vend se të formulojmë një propozim që, nëse parashtrohej si shembull, do të kish qenë bindës, kemi kërkuar për një kohë të gjatë të imponojmë modelin tonë (dhe vazhdojmë të duam që ta bëjmë), pa marrë parasysh diversitetin kulturor dhe të “rrugëtimit njerëzor” të shoqërive të tjera, të angazhuara në një proces zhvillimi edhe më të vështirë, se sa ai që na është dashur të përshkojmë historikisht.

Kolonializmi dhe imperializmi kanë imponuar, jo propozuar – dhe në këtë mënyrë mjetet kanë përfunduar duke deligjitimuar qëllimin, përveçse kanë ndërtuar një pakënaqësi, nga e cila veç të tjerash përfitojnë tiranët më të këqij për të justifikuar krimet dhe vjedhjet e tyre. Por ka një arsye të dytë, edhe më të rëndë. Ç’kuptim ka të bësh sikur vlerat tona merren në konsideratë, në momentin kur ne vetë kemi pushuar së besuari tek ato? Si mund të predikojmë demokracinë liberale, kur këtej nga nedemokracia po transformohet gjithnjë e më shumë në një sistem mazhoritar, me gjithnjë e më pak garanci dhe respekt për të drejtat e pakicave?

Pa folur për nivelet në rritje të pabarazisë që, të kombinuar me rolin e parasë në politikë, bëjnë që, nëse sistemet tona politike i përcaktojmë si si plutokratë dhe jo demokratikë, kjo gjë nuk konsiderohet më si një definicion polemizues me frymëzim ekstremist. Si mundemi të kërkojmë tolerancë, kur këtej nga ne rritet ksenofobia, dhe kur vazhdon të ekzistojë një antisemitizëm të cilit i është shtuar islamofobia?

Tingëllon pastaj shumë problematike të flasësh për “shtetndërtim” dhe të kritikosh sektarizmin e tribalizmin që kanë pllakosur në shumë vende, sidomos në Lindjen e Mesme, kur shtetet-kombe të Perëndimit janë vënë në provë të vështirë prej forcave centrifugale separatiste, të frymëzuara prej lokalizmave sa agresive, aq edhe shumë pak të besueshme dhe të qëndrueshme, politikisht dhe ekonomikisht.

Po atëherë, ato pamje që na vijnë nga Lindja e Mesme, nuk mund të konsiderohen sikur i përkasin një bote krejt të ndryshme nga e jona. Ato na tregojnë se si kemi qenë dhe se si mund të bëhemi sërish, nëse tek ne do të mbizotërojnë sektarizmi, intoleranca, egoizmi. Nuk bëhet vetëm për një detyrim solidariteti njerëzor, por bëhet fjalë për nevojën për të kuptuar, si dhe për të patur një mundësi që t’i bëjmë ballë përkeqësimit civili që na përket të gjithëve. Së bashku. (La Repubblica)

(Autori: Roberto Toskano)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme