Kultura e popullarizuar në kontekstin kosovar

Prishtinë | 24 Tet 2017 | 11:58 | Nga Ahmet Jashari

Për dallim prej shteteve të tjera, sidomos prej atyre evropiane, debati për kulturën e popullarizuar apo siç njihet ndryshe për shijen popullore, është sforcuar shumë pas luftës së vitit 1999. Rrethanat e mëhershme kishin pamundësuar një debat të shëndoshë në lidhje me ndikimin dhe zhvillimin e kulturës së popullarizuar. Duke qenë në një robëri klasike, pa medie të lira dhe institucione të mirëfillta, kosovarët gjatë viteve ’90, ju kishin ekspozuar një tregu kaotik në sferën e kulturës. Absorbonin atë qëju ofrohej dhe ajo që ju ofrohej në shumicën e rasteve nuk ishte sipas shijes së tyre. Kjo ishte edhe një qëllim politik që servohej nga ata qëmbanin dhunshëm pushtetin në Kosovë. Rrethanat e atilla e kishin topitur masën kritike dhe për pasojë shija popullore e kosovarëve ishte ndërtuar jo sipas shijes së tyre tradicionale. Ky trend mandej është intensifikuar edhe më shumë pas vitit ’99, duke qenë se Kosova ishte shndërruar në një treg të hapur dhe të pakontrolluar. Nuk kishte kontroll as për prodhimet ushqimore e aq më pak për prodhimet kulturore. E gjithë kjo ka bërë që të zhvillohet debati për kulturën e popullarizuar, duke vënë nëthumb të kritikave degradimin e shijes popullore. Në këtë kontekst, specifikat që paraqet Kosova sa i përket këtij segmenti, pra maskulturës ose kulturës së popullarizuar, ofrojnë një rast tëveçantëtrajtimi.

Si është krijuar kultura e popullarizuar në Kosovë?

Revolucioni industrial i shekullit 20 që ka pasur për rrjedhojë edhe zhvillimin e maskulturës në pjesën më të madhe të botës, ka arritur me vonesë në Kosovë për shkak të rrethanave specifike që ka pasur.Pajisjet e reja teknologjike qëe kanë ndryshuar mënyrën e jetesës, poashtu kanë arritur me vonesë.  Kjo histori  e ka përcjell Kosovën gjatë gjithë shekullit të kaluar, duke rezultuar me një përvojë që shumë shpesh nuk mund të krahasohet me vendet tjera.  Të përballur me një realitet të tillë, kosovarët rëndom kanë qenë akterë pasiv të asaj qëështë ofruar. Si të tillë ata ishin në dorë të atyre që donin të shfrytëzonin potencialin revolucionar të masave. Sipas Walter Benjaminit, rol qenësor në orientimin e masave janë intelektualët. Në një përmbledhje me ese “Autori si prodhues”, Benjamini thotë: “Potenciali revolucionar i teknologjive të reja varet nga roli i intelektualit (shkrimtari, autori) në procesin e prodhimit, i cili duhej të rreshtonte veten me masat”.  Në Kosovë intelektualët ishintë maskuar pas politikës, andaj edhe orientimi i tyre ishte në thelb politik.

Radioja dhe gazeta që kanë filluar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, paraqet një moment të ri në këtë aspekt. Moment i ri mund të merret fakti se krijohet mundësi më e madhe për publikun që të jetë në kontakt me trendet në kulturë, muzikë, letërsi etj. Kjo gradualisht po hapte rrugë për lindjen e “kapitalizmit konsumator”, ku tregjet masive ofronin gamë të gjerë mallrash dhe të kohës së lirë. Ajo që e dallon Kosovën në këtë rast prej vendeve të tjera është se për dallim prej intelektualëve evropianë që ishin armiqësor ndaj “politikave të masave”, “shoqërisë së masave” etj, elita kosovaree asaj kohe e kishte mirëpritur një gjë të tillë. Përderisa debati nëEvropë ishte i lidhur me përmbajtjen që po sillte maskultura, duke vënë në thumb shijet e pakulturuara që po rrezikonin standardet e edukuara të shijes, kosovarët më tepër u fokusuan në formën që po sillte  maskultura.

Një aspekt tjetër poashtu specifik i shoqërisë kosovare në raport me kulturën e popullarizuar  deri në vitet ‘90 është niveli i pakët i përhapjes dhe rritjes sëkësaj kulture. Kjo jo për shkak të ekzistencës së ndonjë rezistence të vetëdijshme, mirëpo si rrjedhojë e gjendjes në të cilën jetonte shoqëria kosovare. Niveli i lartë i varfërisë, jeta patriarkale, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, si dhe situata politike, kanë bërë që kosovarët në masën më të madhe të mbeten të paasimiluar nga kultura e popullarizuar. Nëse kultura e popullarizuar do të vlerësohej si kulturëme vlera të dyshimta, atëherë kjo do të ishte fat në fatkeqësi për kosovarët. Si rrjedhojë njerëzit e këtij vendi janë rritur në një ambient  me taban tradicional dhe të rrethuar me kulturë popullore. Dëshmi për këtëështë fakti se në Kosovë edhe në shekullin 21 ekzistojnë fragmente tëkulturës popullore. Megjithatë së fundi, prej viteve ’90 të shekullit të kaluar e sidomos pas luftës gjithçka ju ka nënshtruar dominimit të kulturës së popullarizuar.

Cila është kultura e popullarizuar në Kosovë?

Rruga nëpër të cilën ka kaluar shoqëria kosovare ka determinuar edhe shtigjet nëpër të cilat ka kaluar dhe është ndërtuar kultura e popullarizuar. Refleksionet e ecurisë historike në këtë kontekst më së lehti është të vërehen në raport me periudha të caktuara kohore. Nga ajo që u tha më lartë del se gjatë shekullit 20, më saktë deri në vitet ’90, për shkaqe të ndryshme shoqëria kosovare ka qenë më pak e prekur nga ajo që ndryshe njihet edhe si kulturë e konsumatorit. Ndërsa periudha tjetër pas saj, paraqitet krejt ndryshe. Mundësitë në rritje në aspektin e teknologjisë, situata e re politike, ka bërë që maskultura tëarrij thellë në jetën kosovare. Ky trend ka vazhduar dhe është i pranishëm edhe sot, ndoshta më ndjeshëm se kurdoherë më parë për shkak të mundësive që janë krijuar. Liria e Kosovës, prania e madhe të huajve dhe qarkullimi i shtuar, pa harruar edhe mundësitë më të mëdha ekonomike, kanë bërë që kosovarët të bëhen pjesë e një kulture globale, prej të cilës ishin të përjashtuar për një kohë të gjatë. Megjithatë edhe kultura e popullarizuar qëështë e pranishme nëKosovë, është paksa më ndryshe se në vendet tjera. Hapja e madhe pas mbylljes së madhe në kuptimin politik dhe ekonomik, ka bërë që shija popullore të shpërthej në mënyrë të pakontrolluar. Dhe realiteti kosovar është se kultura e popullarizuar së fundi është përhapur në mënyrë stihike, duke cenuar në thelb vetë identitetin dhe origjinalitetin e kulturës vendore. Publiku kosovar këto vite ka qenë totalisht i pambrojtur, andej shija popullore ka degraduar në skajshmëri. Krejt ato që ju kanë servuar audiencës kanë qenëprodukte të lira dhe të dështuara në vendet e origjinës, që kanë gjetur treg në Kosovën e sapodalur nga lufta. Dhe të gjitha këto janë të lidhura në mënyrë kronologjike me situatën dhe statusin politik që e ka pasur kjo shoqëri.  Duke folur për probleme të kësaj natyre, profesori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Berisha,  potencon pikërisht të kaluarën politike si shkak që ka sjellur këtë situatë. Në një trajtim me titull “Maskultura dhe kultura neokoloniale”, ai thotë: Popullizmi kulturor nuk paraqitet në Kosovë në formën e maskulturës tipike, mbasi ai nuk i ka rrënjët në kulturën e popullarizuar po në platformën e popullizmin politik”. Sipas kësaj del se kultura e popullarizuar në Kosovë para së gjithash është pasojë e kolonializmit. Në përgjithësi ka një fryme kritike ndaj kulturës së popullarizuar që ka zënë vend në shoqërinë kosovare. Përderisa dikur ishte me rëndësi forma dhe risitë që po sillte maskultura, tash në fokus është përmbajtja e kësaj kulture edhe për ambientin kosovar. Në këtë drejtim ka një pranim të përgjithshëm se kultura e popullarizuar në Kosovë e ka topitur ndjenjën kritike të audiencës. Përmbajtja e kësaj kulture në thelbin e saj është komerciale dhe pa mesazh që paraqet shqetësimin kryesor të sociologëve dhe të studiuesve të fenomeve shoqërore. Për profesorin Ibrahim Berisha, në shoqëritë moderne neokoloniale “artistët e masfolkut” dhe të “patriotizmit tallava”, i kanë punët më së miri. Sipas tij, një shoqëri që ka rrjedhur kulturalisht në një periudhë dramatike paralufte dhe pas saj u jep shumë potencial të tillëve që madje, kanë edhe mundësinë e pakufizueshme publike-mediatike të jenë prore në mesin e “publikut komercial me sens emocional”. Ai thotë se kultura e tillë në Kosovë ishte e privilegjuar, krahasuar me kulturën elite, e cila mbetet ende pothuajse plotësisht e injoruar dhe e dënuar. “Vakumet ligjore, kanë bërë të mundur grumbullime mjetesh nga aktivitetet informale, pothuajse pa iu shtruar asnjëherë procesit formal të tatimit “kulturor”, që ka bërë  këto aktivitete “të kulturës masive” të jenë kryekëput biznese dhe jo kulturë apo së fundmi shenjë e artit. Në Perëndim bizneset e tilla tatimohen shumë lart (kategori e shundit)”.

Nga një vrojtim dhe analizë e përgjithshme për kulturën e popullarizuar nëkontekstin kosovar, mund të nxirret si përfundim se Kosova në këtë aspekt paraqet një rast specifik për mënyrën sesi është zhvilluar dhe zgjeruar kjo lloj kulture.  Mund të përmenden shkaqe të ndryshme që kanë sjellur një realitet të tillë, por kryesor është aspekti historik që ka determinuar rrjedhën e tillë të maskulturës. Në këtë kontekst del se kultura e popullarizuar në shoqërinë kosovare është më shumë fryt i popullzimit politik  sesa diçka tjetër. Nga kjo situatë mund të konkludohet se kultura e popullarizuar në shoqërinë kosovare ka rezultuar me:Topitjen e ndjenjës kritike, Mungesën e mesazhit,Komercializmin dhe Uniformitetin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme