LDK-ja u turpërua! Po tani?!

Prishtinë | 12 Qer 2017 | 19:08 | Nga Xhavit Beqiri

Daniel Serwer tha se LDK-ja është humbësja më e madhe e zgjedhjeve. Ai vetëm e pohoi atë që tashmë ndodhi, atë që në Kosovë e dinin edhe zogjtë e malit, përveç Kryesisë së LDK-së.

Kushedi për çfarë arsyesh apo motivesh, “kryesorët” e Kryesisë së LDK-së e kishin vështirë ta besonin se “aleati” në Qeveri (PDK-ja) po punonte intensivisht për ta rrënuar partneritetin e shtirur dhe për të kërkuar “fillim të ri”.

Rezultati i “kënaqjes” së Kryesisë së LDK-së gjatë idilës bashkëqeverisëse me PDK-në u pa dje, kur LDK-ja, për herë parë në historinë e ekzistimit të saj, përfundoi e treta në zgjedhjet nacionale, duke u turpëruar keq para qytetarëve të vendit dhe para miqve ndërkombëtarë.

Prandaj, Kryesia e LDK-së, si përgjegjësja kryesore për këtë humbje kaq të turpshme, duhet të japë dorëheqje të menjëhershme!

LDK-ja duhet të mbajë zgjedhje të brendshme në të gjitha forumet e saj, duke u hapur përfundimisht ndaj mendimit kritik dhe duke u liruar nga mendësia primitive e vetëmjaftueshmërisë.

LDK-ja duhet të heqë dorë nga marrëzia e të konsideruarit kundërshtarë të atyre që nuk pajtohen me politikat e liderit apo të Kryesisë!

LDK-ja duhet të bindet një herë e mirë se votat nuk i sjellin “parashutat”, por qytetarët – ata që duan konsistencë mendimi e veprimi, etikë dhe parime poilitike (që, fatkeqësisht, kësaj kryesie i kanë munguar)! Asshtu si edhe parashutave mercenare!

Kaq për sot, se ju mërzita!

(Autori ka qenë këshilltar i presidentit Fatmir Sejdiu)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme