Letra e Ismail Morinës: Mos më dorëzoni në Serbi!

Prishtinë | 08 Sht 2017 | 12:40 | Nga

Teksa pritet vendimi i ministrit të Drejtësisë në Kroaci mbi fatin e Ismail Morinës, i njohur si Ballisti, është zbuluar një letër që ai u drejton autoriteteve dhe gjithë shqiptarëve për të sqaruar pozicionin e tij.

Letra mban datën 23 qershor 2017 dhe është shkruar në Dubrovnik. Në këtë letër, Morina flet për akuzat që rëndojnë ndaj tij, të cilat i cilëson të pabaza dhe të pavërteta.

Gjithashtu ai ndalet edhe te Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre për shkak të dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe që fluturoi mbi stadiumin e Beogradit, shkruan “BalkanWeb”.

Letra e plotë e shkruar nga Ismail Morina:

“Letër e hapur, Dubrovnik 23/6/2017

Ndërkohë që po shkruaj këtë letër shpresoj që rrugëtimi i saj të jetë pa peripeci dhe të arrijë në destinacion, dhe falënderoj djaloshin nga Vlora për mundimin.

Me datë 12 qershor 2017 jam ndaluar nga autoritetet kroate si rrjedhojë e një urdhër ndalimi ndërkombëtar (INTERPOL Beograd) të lëshuar nga autoritetet serbe në llogarinë time, i cili daton më 14/10/2016, data e zgjedhjeve u jep shumë shpjegime shumë pyetjeve dhe nuk lë asnjë hapësirë dyshimi.

Autoritetet e Beogradit zyrtar akuzojnë Ismail Morinën (mua) si personi që më dt. 14/10/2014 në ndeshjen Serbi-Shqipëri e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016, ka ofenduar rëndë nderin e kombit serb duke ofenduar fenë, racën dhe provokues direkt i incidenteve në fushën e lojës, me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”.

E vërteta është se asnjë nga këto akuza nuk qëndron, mjafton që të hidhet një sy elementëve që përbëjnë flamurin “Autochthonous” dhe shihet qartë që nuk ekziston asnjë indicie që tregon ndonjë ofendim feje, race apo diçka tjetër.
Sa i përket ndërprerjes së ndeshjes dhe provokimit të incidenteve mund të thuhet dhe shihet qartë që në rastin e parë, gjyqtari i ndeshjes Atkindos ndërpret ndeshjen si pasojë e hedhjes së lëndëve tymuese në fushën e lojës (gjest i përsëritur), dhe në rasti e dytë ai i provokimit të incidenteve në terrenin e lojës, është lojtari serb Mitroviç me uljen e flamurit “Autochthonous” që provokon direkt incidentet dhe duhet theksuar që nuk është detyrë e lojtarëve në terrenin e lojës të ulin flamujt apo të bllokojnë ndonjë invazor të fushës, por janë stjuartët që e kanë këtë detyrë.

Gjithsesi autoriteteve serbe nuk është se u intereson shumë nderi i kombit serb, por ekziston diçka tjetër, mentaliteti i tyre është i uzurpuar nga urrejtja në drejtim të çdo gjëje që identifikon shqiptarët apo në rastin më flagrant që glorifikon në mënyrë paqësore historinë e tyre, dhe ky mentalitet i tyre që është shprehur edhe ndaj kombeve të tjera fqinje, ka dhënë rezultate katastrofale.

Unë nuk kam frikë, sepse e kam thënë edhe në raste të tjera dhe po e përsëris, që e kam ndërgjegjen të pastër në raport me veten pikë së pari, me shqiptarët e mi, dhe po ashtu me kombin serb, por lind pyetja a mund të lejohem të jem pjesë e gjahut të disa nacionalistëve perversë, të sëmurë mendërisht nga Beogradi, të cilët ishin deri dje delfinët e famëkeqit Voislav Sheshel (Aleksander Vuçiç, Nikoliç) dhe të atyre që në luftën e fundit në Kosovë eksperimentuar ç’ditën dhe ç’mundën ndaj popullsisë shqiptare dhe i bënin kasapit të Ballkanit “il portaborse” (Ivica Daçiç)???… Unë mendoj që jo….

Andaj i bëj thirrje numrit 1 të shtetit shqiptar, presidentit të Republikës së Shqipërisë, atij në ikje dhe atij në ardhje, ministrit të Punëve të Jashtme dhe çdo hallkë shtetërore që ka obligim moral por mbi të gjitha obligim institucional/kushtetues në mbrojtje të qytetarëve shqiptare në Shqipëri dhe nëpër botë të aktivizojnë çdo përpjekje ligjore në parandalimin e kësaj kërkese të turpshme nga autoritetet serbe.

Në një intervistë të dhënë nga burgu i Vaqarrit gazetarit të njohur Ylli Rakipi, në një moment them: Ekzistojnë dy gjëra, personi nga njëra anë dhe vepra nga ana tjetër. Personin me kalimin e kohës edhe mund ta fundosin, por veprën jo, ajo do jetë aty, kështu që shteti vampir serb mund edhe ta përpijë Morinën por vepra “Autochthonous” do të jetë gjithmonë, derisa jeta do ekzistojë mbi rruzullin tokësor, dhe aq më shumë kohë do kalojë, aq më shumë do piqet brenda vetes.

Rasti i fundit i Haradinajt, ai i shumë ish-ushtarëve pjesëtarë të UÇK-së, dhe rasti im së fundmi, tregon qarte që çdo pretendim, aktrim, i Beogradit se gjoja kërkon të jetë faktor stabiliteti në rajon, është i thjeshtë trillimi i radhës dhe nuk shihet se do ketë përmirësim në të ardhmen.

Para se ta mbyll këtë letër dua të bëj thirrje edhe autoriteteve kroate që rasti im të shihet me syrin e së drejtës, që do të thotë që rasti im është i pastër politik dhe aspak penal siç pretendojnë fqinjët tanë.

Gjithsesi jam i sigurt që autoritetet kroate i njohin shumë mirë se kush janë liderët e Beogradit.

Me respekt nga burgi i Dubrovnikut Ismail Morina, Ballisti
Rroftë shpirti i shqiptarit
Ora 23:28

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme