“Loja” me Ushtrinë e Kosovës

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 18:42 | Nga Plator Avdiu

Nisma e fundit politike për t’i dhënë mision, mandat dhe kompetenca ushtarake Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), edhe pse e vonuar, nuk nisi në mënyrë të mbarë dhe kështu nuk arriti cakun e saj final. Arsyeja kryesore për dështimin e saj (të paktën deri më tash) ishte protagonizmi politik i iniciuesve të saj që krye në vete dhe pa zhvilluar konsultime paraprake me të gjithë akterët përkatës e bëri këtë nismë të dështuar që në hapat fillestarë. Mungesa e koordinimit dhe konsultimit të mirëfilltë ishte vërejtur në dy nivele.

Së pari, mund të thuhet që të gjitha kushtet janë pjekur për transformimin e FSK-së në ushtri (qoftë përmes ndryshimeve kushtetuese apo ndryshimit të Ligjit aktual për FSK-në) dhe asnjë argument profesional nuk ekziston për shtyrjen e kësaj çështje. Në të vërtetë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe institucionet shtetërore (si Ministria për FSK-në dhe një pjesë e deputetëve të Kuvendit) tashmë ka disa vite që kanë shtruar nevojën e krijimit të ushtrisë së vendit dhe kanë theksuar gatishmërinë e FSK-së për të marrë kompetencat sovrane në fushën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Por, kjo nuk duhet assesi të ndodh pa u arritur konsensusi i brendshëm politik ndërmjet institucioneve dhe të gjitha komuniteteve në vend. Sidoqoftë, kështu ndodhi me iniciativën e Thaçit, i cili duke vepruar njëanshëm dhe pa u koordinuar me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, këmbëngulte në shtyrjen përpara të kësaj ideje.

Mos-koordinimi i presidentit me këto dy institucione kyçe për krijimin e ushtrisë së Kosovës do të mund të ketë pasoja të mëdha negative për shtet-ndërtimin në Kosovë. Duhet thënë troç që Qeveria e Kosovës, si institucion ekzekutiv, që prej konstituimit të saj e deri më tash ka dështuar krejtësisht të çojë përpara këtë çështje duke u mjaftuar vetëm me deklarata politike se janë duke u angazhuar për transformimin e FSK-në Forca të Armatosura të Kosovës, por pa ndërmarrë hapa konkret. Ndërsa, rol më të madh do të duhej të kishte edhe Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së që më shumë ka vepruar në bazë të inercionit në vend se të kërkojë që sa më shpejt Qeveria të bën përgatitjet e duhura për themelimin e ushtrisë.

Në këtë kontekst, ky trekëndësh institucional (Presidencë-Kuvend-Qeveri) nuk u koordinua në mes vete për të zhvilluar konsultime, qoftë edhe publike, me komunitetin serb në Kosovë që t’ju shpjegohet dhe të binden për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Kjo u dëshmua edhe nga kërkesa zyrtare e Presidencës drejtuar Kuvendit për tërheqjen e Projektligjit për FSK-me qëllim që të bëhen konsultime me komunitetin serb. Për më tepër, kjo do të ndërlikojë edhe më shumë këtë proces duke marrë parasysh varësinë e Listës serbe ndaj Beogradit dhe ‘veton’ e këtij subjekti politik në Kuvendin e Kosovës duke kundërshtuar në mënyrë kategorike votimin e ndryshimeve kushtetuese për transformimin e FSK-së në FAK, gjegjësisht Projektligjin për FSK-në.

Së dyti, niveli tjetër me të cilën institucioni i Presidencës nuk u koordinua ishin shtetet mike të Kosovës, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkësia ndërkombëtare, në këtë rast NATO. Mbase nisur nga supozimi që ndërkombëtarët herët a vonë do të përkrahin nismën për themelimin e ushtrisë së Kosovës, institucionet e vendit u treguan naive duke u munguar njohuritë themelore se si funksionon partneriteti bilateral me vendet e NATO-s që kanë njohur shtetin e Kosovës.

Për më tepër që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen, zhvillimin dhe profesionalizimin e FSK-së në forma të ndryshme, sikurse edhe shtete të tjera të NATO-s. Reagimi i ashpër deri në nivelet e larta politike nga ana e Departamentit të Shtetit Amerikan si pasojë e mungesës së koordinimit të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë është sinjal i qartë se formimi i ushtrisë në mënyrë të pakoordinuar nuk duhet ta gjejë assesi Kosovën duke i zbehur marrëdhëniet me partnerët e saj. Përkundrazi, kjo do të duhej të ndikonte në thellimin e mëtejshëm të raporteve bilaterale të Kosovës me shtetet mike, të cilat mund të mbështesin FSK-në ose ushtrinë e ardhshme të Kosovës në mënyra të ndryshme për ndërtimin një ushtrie moderne në interes të forcimit të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Në fund, duke e marrë parasysh në njërën anë pozitën e pafavorshme ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht në dialogun e Brukselit prej të cilit Serbia po përfiton më shumë në raport me integrimin në BE dhe në anën tjetër shfaqjen e protagonizmit politik me nismën e fundit për bërjen e FSK-së ushtri të Kosovës, duket që kjo çështje ka devalvuar e degraduar më shumë.

Tashmë do të jetë më e vështirë të shtyhet përpara transformimi i FSK-në në ushtri të Kosovës pas dorëzimit para presioneve ndërkombëtare, ndërsa edhe rezistenca nga përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë kundër ushtrisë do të mund të rritet edhe më shumë duke e ditur që ata janë të diktuar nga Beogradi për të mos dhënë pëlqimin lidhur ushtrinë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Rrjedhimisht, edhe përpjekjet për të bindur komunitetin serb për krijimin e ushtrisë së Kosovës do të jenë të vështira. Në rastin e kundërt, nuk përjashtohet mundësia që çështja e ushtrisë të vendoset në tavolinën e bisedimeve, ku komuniteti serb do të votonte për ushtrinë me kusht të votimit të Asociacionit të Komunave Serb në Kuvendin e Kosovës. Kjo mënyrë kompromisi nuk do të duhej të pranohej në asnjë mënyrë nga institucionet e Kosovës për shkak të papajtueshmërisë të Marrëveshjes së këtij asociacioni me Kushtetutën e Kosovës.(Sbunker)

Të ngjashme