Majori Tom iku nga Kosova

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 12:51 | Nga Shkumbin Gashi

David Bowie, në këngën e tij të famshme Space Oditty i këndon një personazhi fiktiv të quajtor Tom, Majori Tom. Në udhëtimin e tij të parë për në Hënë ai e sheh Tokën. Një lëmsh të kaltër e të cilit nuk mund t’ia mohojë bukurinë, Por Majori Tom e njihte nga brendia, ia njihte shpirtin dhe ia ndiente egërsinë, pashpirtësinë, hipokrizinë, cinizmin, ia kuptonte edhe gënjeshtrën. Por Tomi nuk kishte se ç’t’i bënte. Kishte forcë aq sa në liri të plotë mund ta refuzonte. Ai iki nga kjo tokë, sepse arriti në përfundime pesimiste, se jeta në këtë top të bukur qenka luftë për shuarje të një etje që fundi i saj është pangrykësia kurse Toka shërbente veçse si një arenë e stolisur. Arena ku mbretëron egërsia dhe një kaos i pafundmë. Nuk mërzitem për botën pesimiste të Majorit Tom, por brengosem se pjesëz e plotësisë së këtij topi është edhe vendi ynë. Duke e njohur Tokën nga brendia e saj, ai me padije e njohu edhe vendin tonë.

“Sui Generis”-na duket lavdatë, ndonjëherë arsyetim. Prapësive të vendimeve nga politika ia mveshim një Sui Generis mbrapa dhe ja arsyetimi. Por prapësive ekonomiko-sociale të grumbulluara me vite si do ti arsyetojnë? Po sistemi i drejtësisë? Arsimi? Apo shëndetësia? Si do ti arsyetojnë? Ikjet? – Jo ikjet nuk kanë nevojë për arsyetim. Ato janë pasojë shkaku i të cilës është çdo gjë tjetër i mbirë duke u vyshkur në këtë vend.

Ikjet nga Kosova janë revoltë, janë shprehje agresive të shprehura në formë pasive, janë refuzim i këtij sistemi patrimonial, janë kërkesë për dinjitet njerëzor, për drejtësi njerëzore, për të drejtë natyrore që Locke e thoshte dhe stërthoshte shekuj më parë. Ikjet ishin të qeta në fillimet e pasluftës, por u bënë të zhurmshme në vitin 2015 ndërsa tash po na mbysin nga kjo kakofoni informatash se “cilat vende po kërkojnë të rinj? Cilat profesione janë më të pëlqyeshme? Cilat janë ato agjenci? Sa mjete duhen për të arritur në cak?” Pastaj kakofonia e dytë, kjo me një hipokrizi të shtuar si “Mos shkoni, atje do t’iu kthejnë, Kosova ka nevojë për rini. Këtu punë ka por punëtor s’ka, etj.”. “Nga lufta e këtyre dy zhurmave ky vend u bë i pajetueshëm andaj ta krijojmë një kakofoni të tretë” – thotë dikush tjetër me cinizëm”.

Ndoshta kakofonitë edhe mund të durohen, por efekti ekonomik që buron nga ikjet e popullit janë të tmerrshme.Viti 2015 ishte zhurma më e madhe e ikjeve. Flitej për më shumë se 120 mijë banorë që lanë vendin për arsyet e cekura më lartë. Një qytet i tërë mbeti pa asnjë qenie të arsyeshme. Mbetën kafshët dhe bimët, njëra se nuk kishte të zhvilluar arsyen sa duhet, ndërsa për tjetrën dimë se po të shkulej nga toka do të vdiste. Këtë fat ia dha natyra.

Efekti më i qartë ekonomik ishte ulja e GDP në nivel vendi nga 7.39 mld në vitin 2014 , në 6.44 mld në vitin 2015 bazuar në www.tradingeconomics.com. GDP është termi që përdoret për të përshkruar shumën totale të mallrave dhe shërbimeve nga një vend për një periudhë të caktuar prej një viti. Ulja e GDP për 12% brenda një viti rezulton me më pak kërkesa për mallra dhe shërbime, më pak kërkesa për arsim të ulët dhe të lartë, më pak kërkesa për punëtorë të sektorit publik që do të duhej të rezultonte me ulje të administratës shtetërore.”Por jemi Sui Generis”.

Ndonëse me një përqindje të lartë të papunësisë (rreth 29.8%), por zërat se nuk po gjenden punëtorët janë shtuar dhe gati po shndërrohet në makth për sektorin privat. Ky i fundit, pa ndjenjë kreativiteti rri e bën sehir. Vazhdojnë të besojnë se kushtet e punës të ofruara nga ta janë të dinjitetshme dhe se çdo përmirësim i mëtutjeshëm është sikur t’i ofrojmë punonjësve t’i japin supë breshke, karkaleca deti dhe mish kaprolli e të hanë me lugë floriri. Me këtë frymë ata shkojnë drejt falimentimit dhe nuk i dorëzon dot kërkesa e “paarsyeshme” e klasës punëtore (të mos lexohet si klasa punëtore marksiste) gjoja për një jetë njerëzore. Kjo kryeneçësi përfundim ka falimentimin e vet atyre dhe si kurorë falimentimin e shtetit. Nuk është për t’u fajësuar ndërmarrësit privatë. Ata shikojnë interesin e tyre dhe gjithmonë me të drejtë, edhe kur shkelen të drejtat njerëzore ata përsëri kanë të “drejtë”. Sepse gjykimin mbi shkeljen e të drejtës njerëzore e ka shteti me mekanizmat e tij, sepse gjykimi i shkeljeve bëhet nga gjykatës shtetëror, sepse gjykimi nga gjykatësi shtetëror e ka një letër para të cilit pushtetari ia lëkund sa herë që vendimet nuk janë të përshtatshme, sepse ky gjykatës nuk është misionar por një rrogëtar. Këtu është filli i padrejtësisë dhe arsyeja e ikjes.

Ne nuk po shkojmë për një jetë më të mirë. Ne po ikim!!!

Të ngjashme