Medalja që mbulon të gjitha dështimet e politikës

Prishtinë | 10 Gus 2016 | 13:01 | Nga

Fadil Lepaja

Këngëtarja e famshme, Dua Lipa, ja bani përhajr kryeministrinë, Shpendit. Diqysh sikur me i thanë, ti je i gjykuar me e ndjekë Isën, prej pike në pikë.

Ajo, në dialektin e Londrës, të shqipes, u shpreh e lumtur që po takonte kryeministrin . Por, kryetari i Prishtinës, Shpendi, gjithsesi me pretendime që edhe postin e kryeministrit të ia “rrëmbejë” paraardhësit të tij në kryeqytet, menjëherë e korrigjoi, duke e falënderuar gjithsesi për këtë (tani për tani) gabim “frojdian”.

Pastaj , tregoi se si me Dua Lipën janë takuar në New York, ku patën biseduar për koncertin i cili do të mbahet sonte në “Gërmi”.

New York-u gjithqysh, është qendra e botës, por aktualisht kryeqyteti i botës është Rio. Flamuri i Kosovës u valëvit për së dyti herë në një vend të madh i cili ende se ka njohur shtetin e Kosovës.

Pas Rusisë edhe Brazili “u përkul” para Majlindës, e cila si duket ka ardhur në këtë botë nergut me i ba krenarë shqiptarët andej dhe këndej Bjeshkëve të Nëmura.

Shkuan huq edhe “grindjet “ e ndonjë nacionalisti të vonuar, mazohist, që kur nuk ka të tjerë, preferon edhe armiqësi dhe tradhti mes shqiptarëve andej dhe këndej Bjeshkëve të Nëmura. Grinden se kush ka të drejtë të gëzohet për këtë sukses sportiv.

Në anën tjetër, nuk la dështak pa e përdorë Majlindën, si maskotë, për të sharë armiqtë e vet, të cilët për ndonjë arsye nuk paskan kurrfarë meritash për kombin dhe aq më pak të drejtë të gëzohen për suksesin e sajë.

Pas konfliktit të sajuar me Turqinë, tash atdhetarët kosovarë dhe atdhetarët shqiptarë, po shahen në facebook, me dëshirë që me kallë edhe me Tiranën një konflikt emocional, nëse jo politik.

Edhe politika, po katrrithet për shiritin ku e ka varur medaljen e artë, Majlinda. Presidenti i vendit, në veçanti, ka hundë për me e nuhatë publicitetin.

Kur është fjala për publicitet ai është në gjendje me marrë udhë edhe këmbë deri në Rio, dhe me shpenzime të vetat e lëre më me aeroplan dhe me buxhet të shtetit. Me një fjalë, ai është gjithnjë aty ku (nuk)duhet.

Kudo ku ka një sukses sado të vogël, atij i takon së paku ½ e publicitetit, nëse jo më shumë. Pastaj duke u përsëritur në mediat “e lira”, harrohet se kush ishte heroi i vërtetë.

Kur e ke parasysh se edhe president apo kryeministra të tjerë, edhe ballkanik, ishin atje, as ky i yni nuk është dashtë kurrqysh të mungojë, edhe pse me reputacionin e tij ndërkombëtarë vështirë se e rritë shkëlqimin e medaljes së parë të artë, olimpike, të shtetit të cilin e përfaqëson edhe ai.

Anti-korrupsioni i besueshëm kosovarë, i njohur botërisht për luftën e pa kompromis për shtet, dhe ligj, me siguri, do të shohë shpenzimet publike të atyre që ishin të domosdoshëm të shkonin me shpenzime nga buxheti, në Rio, dhe do të konstatojë se gjithçka ishte në rregull dhe se nuk ka aspak elemente të veprës penale, ashtu si konstatoi këto ditë edhe kryeprokurori, pas dëgjimit të rreth 1000 telefonatave të spektaklit më të ri: “Pronto 2”, produksion ky me karakter, argëtues, përqafues, iluminues, …ues, …ues!

Shumica e qytetarëve të cilët nuk kanë pasur kënaqësinë, dhe fatin të flasin me Ademin në telefon, po ecin shlirë rrugës me hap solemn, ndërsa të tjerët po rrinë nën stres se cila seri, po i “kapë” edhe ata.

Por të kthehemi te suksesi. Pavarësisht krizës, demarkacionit, “zajednicës”, dështimit me liberalizim e vizave, varfërinë, papunësinë, megjithatë gjithçka është në rregull , sepse suksesi i Majlindës do të mbulojë shumëçka çfarë ka shkuar mbrapsht në politikë dhe shtet, së paku këto dy vitet e fundit, e sidomos shpresohet të mbyllet me të mirë “show” ma i ri argëtues, virtual: “Me Grabovcin”.

Uroj që , në mes të 1000 të tjerave, të mos ketë telefonatë, ku Ademi flet me Kryetarin e Komitetit Olimpik Botërorë dhe ku ai e pyet kush është i yni e kush jo, dhe pastaj, ku dëgjohet Ademi duke thënë: Kjo duhet me kalua, e kjo jo!

Përndryshe, derisa kryetari dhe Kryeministri morën pjesë në karrevalin politik të Rios, i cili po i përcjell lojërat olimpike, ambientet e presidencës u gjuajtën me zoll-ë!

Analistët e sigurisë, nëpër kafenetë rreth parlamenti, dhe qeverisë, i vërejtën disa elemente të cilat shtyjnë të mendohet se nuk është fjala thjesht për ushtarët e UÇK-së, të cilët deri më tani dyshohehishin për gjithçka, por bëhet fjalë për profesionist të trajnuar të cilët, sidoqoftë (nuk) e kishin ditur se ku ndodhet i zoti i shtëpisë. Pastaj, e vlerësuan si veprim “profi” edhe djegien e motorrit.

Prapseprap, përkundçr analizës së thellë, pyetja standarde kush, ka mbetur pa përgjigjje, njëherë për njëherë. Hetimet vazhdojnë, dhe bazuar në përvojën nga e kaluara ato do të vazhdojnë, vazhdojnë, …ojnë.

E kuptuat tashmë se është ngatërruar puna . Veç Serbia ka mbetur pa e dënuar goditjen mbi parlament, me “zoll”-ë. Përsëri u bë mjegull. Kurrsesi të kthjellohet (prapa)skena (para)politike e Kosovës.

Kush e gjuajti tempullin e demokracisë, edhe pse janë të dukshme asocimet e gazetarëve të koalicionit, se pas lotsjellësit “zoll”-a pritej? Ndoshta tingëllon më arsyeshëm formula: “mos pyet kush e bëri, por pyet përse !” Duke u nisur nga ky parim, mund të nxjerrim disa supozime interesante:

Kryetari i vendit ka alibi. Ai nuk e ka gjuajtur zyrën e vet. Është në lojëra olimpike, është pjesë e karnavalit politik! Bazuar nga stili i dëgjuar në “Pronto 2” mund të konkludojmë se pasi ka “luajtë …oqe” me parlament, me ambasada, e me popull, ka shkua pak edhe në Brazil me vazhdue lojën me buxhet të shtetit.

Por, jo vetëm presidenti, por edhe koalicioni ka interes me e frikësua popullin edhe protestusit potencial. Duke hedhur hije dyshimi mbi kundërshtarët e tij politik, ka arsye publike me e shtua sigurinë rreth parlamenti dhe me i shpërnda protestat e pritshme ditëve kur do të votohet demarkacioni.

Opozita, po ashtu ka motiv, edhe pse është vështirë të besohet që opozita të ketë ndërmarrë një sulm të tillë, sepse kështu do të jepte arsye të shpallet e jashtëligjshme.

Nuk përjashtohet as “armiku i jashtëm” . Sidoqoftë mbetet të shihet, sa po arrijnë këto ngjajrje të largojnë vëmendjen prej humorit të zi qeveritarë, produksion i 20011-tës. Apo ndoshta, edhe “Pronto 2” është konceptuar për të larguar vëmendjen nga diçka tjetër? Historikisht, të etur na kanë nxjerrur andej lumit. Të etur dhe të lagur.

“Protesta” më e madhe këto ditë pritet të mbahet në aeroportin turk, në Prishtinë, ku pritet të mblidhet masë e madhe. Vjen Majlinda. Në Prishtinë do të ketë reduktime të rrymës, nga distribucioni turk, sepse e arta olimpike do e bëjë ditë kryeqytetin. Nëse organizatorët tregohen të arsyeshëm dhe nuk lejojnë përdorimin e birrës, gjithçka mund të shkojë mrekullisht. Asgjë nuk ka më dehëse se suksesi ynë.

Për disa ditë rresht, askush të mos guxojë të na flas për probleme. Uroj që, edhe Majlinda si pejane, që është, të mos deklarohet për demarkacionin …

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme