Mimoza Kusari shkeli Kushtetutën kur kandidoi për deputete!

Prishtinë | 02 Pri 2018 | 10:47 | Nga Ilir Sefaj

Ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tashmë deputete në Kuvendin e Kosovës, e cila në paraqitjet e saj para opinionit mbanë ‘leksione’ për shtetin e së drejtës dhe demokracinë, në zgjedhjet e 11 qershorit të viti që e lamë pas, kishte paraqitur kandidaturën e saj për deputete pa hequr dorë nga pozita e kryetares së Komunës.

Në fakt ish-kryetarja e Gjakovës për të cilën thuhet se punoi fare pak, për të mos thënë aspak për qytetarët që i kishin dhënë votëbesimin në zgjedhjet e parafundit komunale, e cila plot gojën e ka ligj e demokraci, e kishte shkelur rëndë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këtë shkelje ajo e kishte bërë në momentin e kandidimit për t’u bërë deputete e Kuvendit e Kosovës, pa hequr dorë paraprakisht nga pozita e Kryetares së Gjakovës.

Sa për t’i rikujtuar opinionit publik, në Nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili bën fjalë për pamundësinë e kandidimit për deputetë në Kuvendin e Kosovës, pika 3 e këtij neni thotë: Kryetarët dhe zyrtarët e tjerë, të cilët mbajnë përgjegjësi ekzekutive në nivel komune, nuk mund të zgjedhën si deputetë të Kuvendit, pa hequr dorë paraprakisht nga detyra e tyre.

Në fakt për ketë shkelje të Kushtetutës së vendit, çuditërisht ajo nuk u akuzua nga askush, madje kjo shkelje nuk u përfill as nga zonja Daka e cila është kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndër të tjera këtë shkelje nuk e “vërejti” as Avokati i Popullit i cili merr pagë koti, madje jo çfarëdo page. Sidoqoftë në një realitet të tillë politik, ku shkelja e Kushtetutës është bërë normë, pak ka shpresë për shtet ligjor, shtet të së drejtës.

Sidoqoftë, çdo përpjekje imja për tejzgjatje të kësaj përqasjeje rreth asaj se si deputetja Kusari shkeli Kushtetutën e Kosovës, është e panevojshme. Deputetja Kusari shkeli në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në këtë rast nuk do duhej të mbetej pa dhëne përgjegjësi edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, por edhe Avokati (avokat i thënçin) i Popullit Hilmi Jashari.

Kaq tash për tash, ngase jam i vetëdijshëm se opinionet e gjata dinë të jenë të bezdisshme!  Europë na prit se po vijmë!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme