Mjaft me këtë mllef të zi Shqipëri-Kosovë

Prishtinë | 23 Kor 2017 | 21:47 | Nga Edmond Arizaj

Sikur unë të mos kuptoja gjuhën por dikush të më përkthente, do të mendoja se ishte fjala për dy popuj armiq shekullorë mes njëri-tjetrit. Ky dyjavëshi i fundit ka qenë i tmerrshëm. Nuk e di ku qëndron gjithë ai helm që lëshon shqiptari ndaj shqiptarit? Ku prodhohet? I sigurtë jam, që “ai”, apo “ata”, ja kanë arritur qëllimit. Shqiptarë të Shqipërisë që thonë një mijë e një të zeza për shqiptarët e Kosovës, aq sa çetnikët e dikurshëm e të sotëm do të dukeshin engjëj para tyre. Shqiptarë të Kosovës që u kthehen me të njëjtën gjuhë-shpatë, duke i quajtur deri edhe pasardhës të andartëve grekë. Kjo është urrejtje! Unë nuk di çfarë emri t’i vë tjetër asaj që lexoj kudo, po po, kudo. Dhe nuk janë kudo duart e atyre që e ushqejnë këtë urrejtje. Tashmë duket që s’kanë më nevojë. Ju duken folklorizma këto? Legjenda me spiunë e agjentë? Pyesni ata që marrin vesh mirë nga këto punë…

Unë sot ngre një pyetje: Çfarë interesi kanë folësit publikë të ngjallin qoftë edhe minimumin e pakënaqësisë mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës? Përse duhet të ushtrojnë presion këta folës e shkrues mbi shqiptarët duke gjetur veç pika ndarjeje? A mos vallë nuk kemi asnjë pikë ku bashkohemi ne? Po analizoni njëherë mor u plaçin sytë, a do jemi më të fortë e më të aftë për vete dhe për BE-në, apo mirëbërësit tanë SHBA-të, nëse do kemi një Shqipëri normale (që as guxoni ta përmendni për turpin tuaj), apo kështu më dysh e më tresh?

A ka pakënaqësira? Sigurisht që po. A janë krijuar tashmë “legjendat”? Po, sigurisht. Ashtu si kemi pasur përherë kunja mes Vlorë-Lushnjë, Tiranë-Vlorë, Korçë-Pogradec, Shkodër-Pukë, apo në Kosovë mes qyteteve të tyre. Po kjo lloj urrejtje që vërshoi në këto dy javë mes shqiptarëve është serioze. Dhe ende unë nuk po dëgjoj një zë, nuk po lexoj askund: Mjaft! Boll më! Sepse nuk është si punë e qelbit që sa më shumë del aq më shumë pastrohet plaga. Jo! Kjo veç na shtyn më shumë në ndarje. Kjo ushqen edhe brezat ta shohin me sy të verbër njëri-tjetrin. Deri sa të ngrihet një mur mes nesh në vend të një kufiri. Këtë duam? Po, ka që e duan. Unë nuk i jap asnjë kuptim fjalëve të atyre që hiqen si transparentët e mëdhenj, si treguesit e të vërtetave therrëse, si ata që kanë zbuluar se çfarë na ndan, që duan të ecin paralel me Shqipërinë, pa takuar në asnjë pikë. Një pyetje për ta: Si ushtron më mirë presion Serbia, duke qenë Kosova vetëm apo bashkë me Shqipërinë?

Dakort, qeveritarët e shtetarët në të dy anët e kufijve e kanë gojën e mbyllur për ta përmendur këtë çështje, por ju, folësit publikë pse heshtni në rastin më të mirë, pse bëni retorikë urrejtëse në rastin e mesëm, apo të paguar në rastin më të keq? Jam i sigurtë se i gjithë ai vrer e urrejtje që është derdhur mbi shqiptarët po nga shqiptarët në këto dy javë, kanë pasur pikërisht si nxitje folësit në të dy vendet. Të rrallë, shumë të rrallë janë ata që nuk përpiqen të sheshojnë nxitjet duke ulur veten e ngritur tjetrin. Çfarë po numërojmë tani, meritat dhe dështimet që kemi? I kemi bashkë, nuk jemi dy palë. Jemi dy shtete, por jo dy palë siç duan të na trajtojnë folësit e shkruesit për hir të transparencës dhe të vërtetës mbi të vërteta.

Dilni e shkruani të ndalet vreri dhe urrejtja, sepse nuk i shërbeni as vetes, as të tjerëve. Ose shkruani kush çon naftën e keqe në Kosovë, e kush sjell miellin e përpunuar në Shqipëri. Sepse urrejtja që mbillni vetëm prish ekonominë e të dy vendeve, cilësinë e jetës së qytetarëve, dhe u jep përparësi të tjerë segmenteve. Vetëm në mos është ky qëllimi… (Te Sheshi)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme