Mustafa, Kurti e Haradinaj nuk munden ta dërgojnë PDK-në në opozitë

Prishtinë | 16 Kor 2017 | 16:07 | Nga Ismet Kryeziu

Liderët si Mustafa, Kurti e Haradinaj më shumë se për ta dërguar PDK-në në opozitë, kanë punuar që ta zëvendësojnë Hashimin si kryeministër. S’kanë pasur beteja politike, por kauza personale, sikur ajo thënia popullore: “Po s’pata unë kalë, kurrë mos mbiftë bar”.

Në secilën variant të ndërtimit të qeverisë, PDK-ja nuk do të jetë në opozitë. Nuk bisedojmë me PDK-në, PDK-në duhet ta dërgojmë në opozitë, PDK-ja është e keqja më e madhe e vendit, janë tri formulimet më të shpeshta para edhe pas zgjedhjeve. Të dëgjuara me dhjetëra herë, sa që të duket se janë para çfarë do kauze, vizioni politik e programor. Ky është programi edhe politika e vetme e secilit deputet apo partie politike. Madje, disa parti dhe kandidatë e kanë të stërpërdorur si të vetmen mundësi për t`u zgjedhur, madje duke përfituar numër të madh votash.
Por, në politikat vepruese e përmbajtësore, asnjëri subjekt politik s`e ka bërë veprimin e mundshëm dhe të duhur që PDK-ja sot të jetë vërtetë në opozitë dhe të mos jetë temë e diskutimeve për përbërjen e qeverisë.

Nuk e ka bërë Mustafa kur pranoi kandidaturën për kryeministër dhe hyri në koalicion më PDK-në, bile duke e zgjedhur pastaj Thaçin president për pesë vite. Nuk e ka bërë Haradinaj kur pranoj kandidaturën për kryeministër dhe hyri në koalicion parazgjedhor, Nuk e ka bërë Kurti, ngase asnjëherë nuk pranoi koalicione parazgjedhore. Por, qe tre vite me të njëjtën retorikë ndaj PDK-së, ofrohet për koalicione paszgjedhore.

Liderët si Mustafa, Haradinaj e Kurti, më shumë se ta dërgojnë PDK-në në opozitë kanë punuar për ta zëvendësuar Thaçin si kryeministër. S’kanë pasur beteja politike por kauza personale, sikur ajo thënia popullore: “Po s’pata unë kalë, kurrë mos mbiftë bar’”.

Qeveria është vetëm një degë e pushtetit dhe pavarësisht se kush do të udhëheqë me Qeverinë. Presidenca dhe Legjislativi dy degë tjera të pushtetit do të udhëhiqen nga PDK-ja.

Rezultatet zgjedhore dhe interpretimi i kushtetutës nga viti 2014, edhe mund të nxjerrin ndonjë formacion qeveritar të udhëhequr nga Haradinaj, Kurti ose Hoti, por as njëra edhe as tjetra përbërje e këtyre qeverive nuk mund dhe as nuk e dërgon PDK në opozitë.

Është shumë skeptike pritja për ndryshim. Ndryshimin kundrejt premtimeve dhe parimeve të proklamuara, nga cilido koalicion si pretenduese për të udhëhequr me Qeverinë. Këto qeveri me këto përbërje politike do t`i nënshtrohen shpesh herë një mungesë fuqie për të vepruar, edhe në vazhdimësi do të sfidohen për të udhëhequr me një rivalitet brenda dhe jashtë koalicionit. E për pasojë, ky kompozicion pushtetesh dhe përbërje koalicionesh e bënë të komplikuar, për të mos thënë të pamundshëm ose të detyrueshme nevojën për të arritur një ekuilibër delikat para secilës vendimmarrje.

Qeveria e koalicionit PAN me komunitetet jo shumicë, me dy tre numra sa për ta zgjedhur qeverinë do jetë qeveri e njohur në teori si qeveri e pakicës dhe për pasojë do ketë shpeshherë vështirësi në sigurimin e votave për kalimin e ligjeve apo vendimeve të mëdha. Shumë më të komplikuar do t`ia bëjë veprimin kushtëzimi, sjelljet dhe kërkesat e grupit parlamentar të komunitetit serb. Lista Srpska duke pasur këtë fuqi do t`i shtojë aspiratat dhe kërkesat, teksa gjithnjë sjellja e tyre parlamentare do të jetë kushtëzuese përballë qeverisë me të cilën janë në koalicion.

Gjithashtu qeverisja e aspiruar nga një koalicion i mundshëm VV+LAA do jetë njësoj, apo më jofunksionale dhe më e komplikuar. Kjo qeveri e cila s’do t`i përfshijë të zgjedhurit serbë në koalicion, por do t`i ketë detyrueshëm në qeveri, nga ana tjetër do ta ketë një Presidencë e Legjislativ të udhëhequr nga PAN-i.

Në shikim të parë mund të duket jo e tillë, por në përmbajtje duke filluar nga kompetencat më të thjeshta të Presidentit si ajo për kthimin e ligjeve e deri tek kompetencat për marrëdhënie me jashtë, do të ndodh një dualizëm i vazhdueshëm që do të prodhoj sërish probleme rreth kompetencave dhe funksioneve. Vështirësi të tjera do jenë dhe në Kryesinë e Kuvendit dhe Komisionet Parlamentare, pasi PAN-i, si grup më i madh parlamentar shpeshherë do të ketë fuqinë e udhëheqjes në këto trupa legjislative e shpeshherë në bashkëpunim dhe me komunitet jo shumicë të papërfshira në koalicionin VV+LA do të mund të bllokojë procedura e ligje.

Të dyja versionet e koalicioneve për të udhëhequr qeverinë së paku të aspiruar deri sot, do kenë komplikimet e veta me gjasa të mëdha për jofunksionalitet shkaku i kompozicionit politik.

Nga ana tjetër, referenca e zhvillimeve të fundit në Maqedoni nuk është e njëjta me situatën në Kosovë as për nga zhvillimi politik e as për nga kompozicioni politik dhe institucional. Të vetmen analogji që mund t`i referohemi Maqedonisë është qëndrimi i partnerëve brenda koalicionit qeveritar dhe mundësia e kushtëzimeve, apo dalja nga qeveria. Pra, një qeveri, veprimi i secilës do të jetë i kushtëzuar dhe e cila në çdo moment mund të provokojë nevojën për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme