Ne, brezi i Kadaresë dhe brezi i Unnikatilit

Prishtinë | 10 Gus 2018 | 12:09 | Nga Sokol Shameti

Kam nisur prej disa ditësh përshtatjen me idenë se të mbetesh prapa bote ka përparësitë e veta. Për shembull, ty mund të të ketë ngecur ora tek Kadareja, por pastaj mëson se vetë Kadareja dhe gjithë poezia e tij është një hiç përpara veprës së një poeti të ri të quajtur Unnikatil.

Dhe kështu një ditë prej ditësh u zhyta në fondin poetik të këtij ylli në agim të cilit, siç më pohuan, i janë njohur haptazi meritat nga vetë ylli i perënduar Kadare.

Interneti gëlon nga vargjet e tij. Të tërheqin vëmendjen poezi të gdhendura me mjeshtëri falë një fjalori të përbërë prej rreth 250-300 fjalësh gjithsej – aq sa një fëmijë 6 vjeç. Mjeshtëria qëndron tek fakti se pavarësisht këtij kufizimi që do ta paralizonte çdo njeri me kurajë mesatare, sërish autori dëshmon një aftësi të rrallë që me këto pak fjalë që zotëron, t’ia dalë që jo vetëm të plotësojë disa fjali të njëpasnjëshme, por edhe të arrijë në mënyrë të habitshme të komunikojë edhe një ide të përgjithshme mbi atë që e mundon.

Poezi të spikatura si “A pe sheh” ose “Dostat e vërtetë” i bëjnë vargjet e poezive “Mall” apo “Edhe kur kujtesa” të Kadaresë të ngjajnë si belbëzime foshnjesh. Më tej kryevepra të paharrueshme si “Gatshëm për pasoja”, “Arsyetimi jem” dhe “Hajde t’lagi”, të lindin ty një nevojë destruktive për të kërkuar një çakmak në xhep dhe për të pjekur me zjarr të ngadaltë gjithë bibliotekën e shtëpisë. Sidomos të poshtërojnë së brendshmi dhe të mbushin me një keqardhje pesimiste për jetën vargje lapidare si:

“Me fjal T’ronda si balena/
Kur pi gjuj anena/
Shqipe po perbrena shkurt jena qa jena/
Diqka qe ti kur smun mu kon”.

Shkurt muhabetit, pas një kredhjeje disa orëshe në artin poetik të vetëm njërit prej burimeve ku rinia e sotme njom buzët, ty të mbetet përshtypja se falë Zotit ke shpëtuar për fije nga aksidenti i tmerrshëm i ardhjes në jetë pak vite më vonë. Je një i mbijetuar kur mundej që për fare hiç gjë të rastisje të ishe adoleshent atëherë kur me pafajësi dhe naivitet, i vendosur nën një shtypje revoltuese papjekurie dhe nxitimi, s’do kishe rrugëdalje tjetër pos adhurimit të këtyre zotave të boshllëkut që njëkohësisht ta zbraz edhe ty kokën, sipërfaqësisë që ta ngec dhe ty në cektinë mendimin dhe çekuilibrit që ia humb gravitetin botës tënde dhe asaj të pasardhësve që do të të ndjekin duke të pasur ty si model.

PS. Një sqarim që e postova gjatë komenteve në vijim: Ndërkohë që me pushime, dëgjoj gjithandej muzikë hip hop në lokale, plazhe e radio. Mes tyre, mbase dhe Unnikatilin që mora si kampion thjesht sepse ma lëvduan për vlerat që mbart poezia e tij. Nuk e di a ka qenë ai që kam dëgjuar apo dikush tjetër me të njëjtin emër. Personalisht këta lloj poetësh – pavarësisht emrit apo seksit – më ngjajnë vazhdimisht si i njëjti njeri.

U bëra kurioz dhe ia lexova lirikat në mënyrë selektive pa shoqërim në muzikë, sepse doja të konfirmoja a ishin të vërteta fjalët se Kadareja e ka quajtur pasues të vetes. Jo se Kadareja është ndonjë kulm (dhe e kam thënë me kohë vlerësimin tim për të), por gjithsesi është kureshtare të dish kush po ia merr stafetën. Pastaj kur mbarova së kërkuari kush ishte Unnikatili që është lëvduar nga Kadareja, më lindën dyshime dhe kërkova kush ishte Kadareja që ka mburrur Unnikatilin.

Veç shkrimtarit, më doli edhe një muzikante e rrymës minimal techno e quajtur Kadarè Aliu ndaj ka të ngjarë që të ketë qenë edhe ajo që e ka quajtur Unnikatilin një poet të mirëfilltë. Ky varianti i dytë duket më i besueshëm duke qenë se Kadareja e technos bënte këngë pa fjalë fare, por varianti i dytë me Kadare shkrimtarin, ishte më kull ndaj stika tek ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme