Ne budallenjtë themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që na thoni

Prishtinë | 18 Mar 2018 | 14:37 | Nga Edison Ypi

Ne budallenjtë themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që na thoni. Ju skilet nuk thoni atë që mendoni, dhe nuk e besoni atë që ne budallenjtë iu themi.

Ne budallenjtë në takim me ju të squtët vijmë në orën e caktuar. Ju qerratenjtë në takim me ne budallenjtë vini gjithmonë me vonesë.

Ne budallenjtë u besojmë Rilindasve që thanë “Lind andej nga perëndon”. Ju inteligjentët që nuk dihet kujt i besoni, thoni se se lind andej nga lind.

Për ne budallenjtë ekonominë e mbajnë në këmbë biznesmenët. Ju pehlivanat, proletarët. Thoni si të doni, veç mos u habisni kur kallaballëku të zbresi në shesh të zhvasi gjithçka pa bërë asgjë.

Ne budallenjtë e kemi të qartë se banakierët televizivë të së enjtes mbrëma janë pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut. Ju kopilat këtë bëni sikur nuk e kuptoni. Sytë ju dalçin. Juve dhe atyre.

Ne budallejntë përdorim nja një mijë fjalë kur flasim dhe nja pesë mijë kur shkruajmë. Ju eruditët shkërdhata as flisni as shkruani. Derisa të mësoni ca fjalë ju kokpalarët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallenjtë.

Ne budallenjtë që nuk kemi asgjë dhe nuk fitojmë asgjë, e marrim faturën tatimore për çikërrimat që blejmë. Ju që banditët që keni gjithçka, faturë tatimore as merrni as e jepni.

Ne budallenjtë nuk vjedhim. Ju gjenialët vidhni. Po të vidhnim ne, budallenj do ishit ju.

Ne budallenjtë lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallenjtë ca hajvanë që poezitë i dinë përmendësh. Poezitë më të bukura për ne budallenjtë janë ato që flasin për dallimin kolosal mes ju gjenialëve dhe ne budallenjve.

Ne budallenjtë femrave u bëjmë komplimenta. Ju të squtët femrave u mbani leksione. Prandaj femrat ne budallenjve na falin atë humnerën brenda atij pyllit poshtë barkut, juve Noc Rrokun.

Ne budallenjtë nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Veç një gjë duhet të dini; Duke ikur ju, ne budallejt që tashpërtash jemi pakicë, dalngadalë bëhemi shumicë. Kur të ndodhi kjo, ne budallenjtë që nuk ikim do bëhemi të squtë, budallenjtë do bëheni ju të squtët që do mbeteni këtu.

Ne budallenjtë e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, deti, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, u përkasin juve të squtëve, por bota është e jona, e neve budallenjve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme