Në Google, për luftë të Kosovës

Prishtinë | 16 Shk 2018 | 17:57 | Nga Blerim Xhemajli

Kosovo War.

Vetëm kaq mjafton të shkruhet në Google.

Pastaj mund të zgjedhen lajmet, artikujt, fotografitë dhe videot.

Kështu bëra edhe unë këto ditë, derisa m’u desht që bashkë me kolegun Zija Miftarin ta bëja një përmbledhje të zhvillimeve para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Më ra hise pjesa e luftës. Dhe, hyra në Google.

Sakaq e gjeta veten midis të shtënave dhe kufomave. Pak më tutje edhe u dëbova nga shtëpia.

Kujtime fort të dhimbshme këto.

Pas pak minutash kërkimi më të avancuar nëpër faqet e mediave kryesore të botës, më dolën përpara Richard Holbrooke, Bill Clinton, Tony Blair, Madeleine Albright, Robin Cook, Hubert Vedrine, Christopher Hill, Wesley Clark, Jamie Shea, James Rubin, William Walker…

Në një video të AP-së, Madeleine Albright shihet me krah të hapur e me gojën vesh m’vesh nga gëzimi që po i takon shqiptarët e shpëtuar në kampet e refugjatëve në Shqipëri.

Tutje, Javier Solana dhe Bill Clinton, zotohen se sulmet e NATO-s nuk do të ndalen derisa Serbia (kinse Jugosllavia) t’i tërheq forcat nga Kosova.

Në gjitha këto faqe m’u shfaqën edhe pamjet e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radhëve të së cilës në beteja iu ishte bashkuar edhe një vëlla i imi, dy vjet më i ri se unë. Dhe një më i madh, që mblidhte fonde për armatim.

Por, këto pamje ishin shumë më të pakta në numër. Me gjasë, kaq ishte edhe roli i këtyre trimave në gjithë këtë histori. Mbase edhe për fajin tim dhe të shumë të tjerëve që nuk e morëm guximin të luftonim e kontribuonim si dy vëllezërit e mi, që fatmirësisht janë gjallë, dhe plot të tjerë që kanë rënë për lirinë e këtij vendi.

Veçse ajo që pa bota atëherë, dhe mund ta shohë edhe sot falë “Gugllit”, është se Serbia, derisa i duroi për 78 ditë bombardimet e fuqisë më të madhe të botës, i bëri të gjitha të këqijat në Kosovë dhe se shqiptarët ishin viktima. E për më tepër, ishin shumë të dobët dhe pa mundësi që vetë ta përmirësonin gjendjen e tyre, e lëre më të ktheheshin si fitues të luftës për ta dëbuar Serbinë, rindërtuar gjithë Kosovën e djegur dhe mundësuar kthimin e afro një milion të dëbuarve jashtë vendit.

Fati ynë nuk ishte vetëm i keq.

Një më i mirë na erdhi më pas.

Shumëkush – unë njëri nga ta – e konsideron mrekulli.

E pas rikthimit në vëmendje të kësaj periudhe gjatë punës sime ditëve të fundit, po e riquaj dhe stërquaj të tillë.

Shqiptarët e Kosovës i shpëtoi Amerika me aleatët e saj europianë, por edhe të tjerë që i pati nëpër botë – ua dhuroi edhe Kosovën, që ia mori Serbisë pushtuese.

Dhe kjo duhet mbajtur mend: shqiptarët e humbën Kosovën, por miqtë e fituan për ta.

Ka ende momente kur edhe 20 vjet pas çlirimit dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, po e duan edhe më shumë se vetë ne.

Krahas atyre keqpërdoruesve që nuk ia dinë kimetin këtij fati, dhe mundësive që ua krijoi për jetë të lirë dhe zhvillim, ka edhe të tillë që e përbuzin këtë shtet të dhuruar.

Simbolet e tij i përbaltin, kurse qytetarët që i respektojnë ato i konsiderojnë tradhtarë.

Kjo sikur Kosova ta kishte shpallur pavarësinë nga Shqipëria dhe të kishte flamur me simbole serbe.

Kosova u çlirua dhe u pavarësua nga Serbia, të paktën një shekull pasi ishte deklaruar e humbur nga Shqipëria. Dhe kjo, ndodhi VETËM falë miqve të saj të fuqishëm.

Andaj, muhabetet për zgjedhjen midis flamujve të imponuar dhe të tillëve për të cilët duhet dhënë jetën, duhet përfunduar në këtë kohën kur Google tash e 10 vjet po i tregon botës se Kosova është shtet dhe ka simbole të veta.

Kërkojeni n’daçi me “Kosova”, n’daçi me “Kosovo”.

(Autori është kryeredaktor në Klan Kosova)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme